Komisioni i Senatit për Zbulimin ka thirrur zyrtarisht djalin e madh të Presidentit Donald Trump për ta pyetur mbi një dëshmi të tij të vitit 2017 përpara një komisioni të Kongresit që po hetonte rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje.
Komisioni ka treguar sërish interes për të pyetur Donald Trump Jr. pasi në muajin shkurt, ish-avokati i presidentit Michael Cohen, i tha një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve, se e kishte informuar djalin e madh të presidentit rreth 10 herë mbi planin për të ndërtuar një kullë në Moskë.
Në 2017 Donald Trump Jr. i pati thënë komisionit Juridik të Senatit se kishte “njohuri periferike” rreth këtij plani.
Komisioni i Senatit për Zbulimin po heton rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje si dhe lidhjeve të zotit Trump me Moskën gjatë dy viteve të fundit.
Kjo është kërkesa e parë zyrtare e ditur, që një komision i Kongresit i bën një anëtari të afërt të familjes së Presidentit Trump dhe një sinjal i ri se ky komision po vazhdon hetimin mbi Rusinë edhe pas publikimit të raportit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi të njëjtën çështje.
Nuk dihet ende nesë Donald Trump Jr. do të pajtohet me thirrjen zyrtare për t’u paraqitur në komision. za
Komentet