Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se zyrtarë të lartë të administratës Trump kanë folur me princin saudit të kurorës Mohammed bin Salman rreth zhdukjes misterioze të gazetarit saudit Jamal Khashoggi, për të cilin zyrtarët turq thonë se besojnë se është vrarë javën e kaluar brenda konsullatës së Rijadit në Stamboll.
Siç njofton Shtëpia e Bardhë, këshilltari i sigurisë kombëtare, John Bolton dhe këshilltari i lartë Jared Kushner, dhëndër i Presidentit Trump, biseduan me princin Salman të martën, ndërsa Sekretari i Shtetit Mike Pompeo pati një telefonatë me udhëheqësin saudit për të përsëritur kërkesën e SHBA për informacion në lidhje me çështjen.
“Në të dyja telefonatat ata kërkuan më shumë hollësi dhe që qeveria saudite të jetë transparente në procesin e hetimit”, tha Shtëpia e Bardhë. Zëdhënësja Sarah Huckabee Sanders tha se SHBA po vazhdon të vëzhgojë hetimin që po zhvillohet në Stamboll, por nuk ofroi asnjë informacion se cili princ i kurorës u foli zyrtarëve amerikanë rreth zhdukjes së gazetarit Khashoggi.
Ndërkaq, Presidenti Trump u tha gazetarëve se kishte biseduar me zyrtarët në Arabinë Saudite “në nivelin më të lartë” rreth zhdukjes së Khashoggit, por nuk ofroi ndonjë hollësi mbi vendndodhjen e tij të mundshme.
“Është një situatë shumë e trishtueshme, një situatë e keqe”, tha Presidenti Trump. “Është një gjë e tmerrshme.”
“Askush nuk e di se çfarë ka ndodhur,” tha ai, duke shtuar, “Ne duam t’i shkojmë deri në fund kësaj. Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë, te gazetarët, te kushdo.”
Presidenti Trump nuk pranoi të thoshte se me kë kishte biseduar në qeverinë saudite. Ai tha se ndihmësit e tij kanë qenë në kontakt me të fejuarën e Khashoggit, Hatixhe Çengiz, dhe shpresojnë të organizojnë një takim me të në Shtëpinë e Bardhë.
Zyrtarët turq thonë se ata besojnë që Khashoggi, një kritik i princit Salman, që dhe që banonte në mërgim të vetimponuar në SHBA, është vrarë më 2 tetor në konsullatë kur shkoi atje për të marrë dokumente që e lejonin të martohej me zonjën Çengiz, shtetase turk, ose ndoshta është dërguar fshehurazi në Rijad.
Arabia Saudite e ka quajtur pretendimin e Turqisë “të pabazë”, por nuk ka ofruar asnjë provë se Khashoggi është larguar nga konsullata i gjallë. As Turqia nuk ka ofruar dëshmi se ai është vrarë brenda konsullatës.
NJË MISTER I PAZGJIDHUR
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo po i bën thirrje Arabisë Saudite që të mbështesë një hetim të plotë dhe transparent mbi zhdukjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, një banor i SHBA dhe kontribues i gazetës Washington Post.
Një mike e zotit Khashoggi, analistja e politikës së jashtme, Rula Jebreal, tha për Zërin e Amerikës se nëse konfirmohen njoftimet se gazetari Khashoggi është vrarë në konsullatën saudite në Turqi, qeveria amerikane duhet të ndalë shitjen e armëve për Arabinë Saudite dhe të rivlerësojë marrëdhëniet e saj me Rijadin. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton nga Departamenti i Shtetit.
Fati i gazetarit Jamal Khashoggi, dikur këshilltar i qeverisë saudite dhe redaktor e gazetar i njohur, mbetet një mister një javë pasi ai hyri në konsullatën saudite në Stamboll për të marrë një dokument martese. E fejuarja e tij turke po mbante telefonin e tij dhe po e priste jashtë, dhe ajo tha se 11 orë më vonë u largua pasi zoti Khashoggi nuk doli nga ndërtesa. Kamerat e sigurisë tregojnë se ai ka hyrë në konsullatë, por nuk ka pamje filmike të largimit të tij. Qeveria saudite mohon çdo përfshirje në zhdukjen e tij.
Në forumin “Fytyra e Re e Arabisë Saudite” në Uashington të martën, organizatorët thanë se zoti Khashoggi duhej të ishte pjesë e panelit.
Analistja e politikës së jashtme, Rula Jebreal, i shpjegoi Zërit të Amerikës njoftimet e policisë turke mbi atë që mund të ketë ndodhur brenda konsullatës saudite.
“Ata po flasin për vrasje, për copëtim të trupit të gazetarit, mikut tim Jamalit. Ata po flasin për kuti të nxjerra jashtë konsullatës, ku ata besojnë se ishte futur trupi i tij. Këto janë pohimet e policisë turke, për të cilat nuk ka konfirmim”, thotë Rula Jebreal me Universitetin e Majemit.
Reagimi i Shteteve të Bashkuara ka qenë i kujdesshëm.
“Që nga Sekretari e deri zyrtarët e tjerë të nivelit më të ulët, ne kemi qenë të angazhuar në këtë çështje. Ne e kemi ndjekur këtë çështje. Unë e kuptoj që Presidenti synon të flasë me sauditët, kështu që unë nuk do t’i paraprijë bisedave që Presidenti mund të ketë.”
“Unë jam i shqetësuar për këtë, nuk më pëlqen të dëgjoj për këtë, dhe shpresojmë se kjo do të zgjidhet. Tani për tani, askush nuk di asgjë për këtë, por po qarkullojnë disa histori mjaft të këqija. Nuk me pëlqen kjo”, tha presidenti Trump.
Zonja Jebreal tha se Princi saudit Mohammed bin Salman ishte i zemëruar që Khashoggi kishte një platformë kaq të rëndësishme si Washington Posti për shkrime kritike. Ajo theksoi se nëse njoftimet për vrasjen e tij konfirmohen, Perëndimi duhet të ndalë blerjet e armëve nga sauditët dhe të ngrijë asetet e princit dhe sunduesve të tjerë sauditë;
“Nëse jemi të shqetësuar për shkeljet e të drejtave të njeriut vetëm kur armiku i kryen ato, kur Irani dhe të tjerët i kryejnë ato, atëherë ne vërtetë nuk jemi aq të shqetësuar nga shkelja e të drejtave të njeriut dhe dërgojmë mesazhin se ne jemi bashkëpunëtorë dhe ne jemi në rregull me këtë, dhe Princi mund të bëjë vrasje pa u ndëshkuar.”
Presidenti Donald Trump bëri udhëtimin e tij të parë jashtë vendit në Arabinë Saudite në maj të vitit 2017, duke vazhduar një traditë të gjatë të Uashingtonit me lidhje të ngushta ekonomike dhe diplomatike me Rijadin.
Komentet