VOAL

VOAL

Senatori Schumer kundër marrëveshjes me Iranin

August 7, 2015

Komentet

Emisari i zgjedhur për Ukrainën thotë se Trumpi dëshiron një përfundim të drejtë të luftës

I zgjedhuri nga Donald Trumpi për postin e të dërguarit për Ukrainën dhe Rusinë, tha se presidenti i zgjedhur amerikan do të ketë parasysh interesat e Kievit kur ai të nisë punën për arritjen e një marrëveshjeje për dhënien fund të luftës dhe do të synojë që zgjidhja të jetë e drejtë.

“Njerëzit kanë nevojë ta kuptojë se ai nuk po tenton t’i japë diçka [presidentit rus, Vladimir] Putin apo rusëve”, tha Keith Kellogg, gjenerallejtënant në pension, të cilin Trumpi e ka zgjedhur në postin e të dërguarit të tij për Ukrainën dhe Rusinë dhe e ka ngarkuar me udhëheqjen e negociatave për t’i dhënë fund luftës.

“Ai po tenton të shpëtojë Ukrainën dhe të shpëtojë sovranitetin e saj”, tha Kellogg gjatë një interviste për Fox News më 8 janar. “Ai do të sigurohet që të jetë i drejtë dhe këtë e ka thënë vazhdimisht”, përfshirë edhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Trump gjatë fushatës presidenciale vitin e kaluar tha se ai do t’i jepte fund konfliktit në Ukrainë brenda 24 orësh pasi të merrte detyrën e presidentit. Tani ai shpreson që t’u japë fund luftimeve brenda gjashtë muajve.

“Shpresoj që të ndodhë para se të kalojnë gjashtë muaj”, tha Trump gjatë një konference për media më 7 janar kur u pyet nëse do të mund të zgjidhte konfliktin për gjysmë viti.

Kellogg tha se ai preferon një periudhë më të shkurtër kohore, në një periudhë prej 100 ditësh nga inaugurimi i Trumpit si presidenti më 20 janar. Sipas emisarit, ai dhe Trumpi dëshirojnë që t’i japin fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur.

Kellogg nuk pranoi të zbulonte përmbajtjen e ndonjë nga bisedat e tij me Trumpin mbi luftën, duke thënë se Trump “flet vetë” dhe më shumë informacione për këtë temë do të bëhen publike pas inaugurimit.

Ai la të kuptohet se po punohet që Trump dhe Putin të bisedojnë.

“Ne do të vendosim kushtet… dhe ai më pas do të jetë në pozitë që të bisedojë me Putinin dhe po ashtu me presidentin Zelensky dhe mendoj se do të arrijmë deri te një zgjidhje në një periudhë të shkurtër kohore”, tha Kellogg.

Megjithatë, ai nuk u pyet lidhur me shtyrjen e një vizite që ai pritej të zhvillonte gjatë këtij muaji në Kiev dhe në kryeqytete të tjera evropiane. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, njoftoi më 7 janar se kjo vizitë do të riplanifikohet.

Gjatë intervistës, Kellogg kritikoi presidentin amerikan, Joe Biden, për moskomunikim me Putinin, duke thënë se kanë kaluar më shumë se dy vjet që kur ata kanë biseduar. Trump, në anën tjetër, flet si me kundërshtarët ashtu edhe me aleatët, tha ai.

“Ai e di se duhet të flitet me njerëz për të arritur te një zgjidhje përfundimtare dhe kjo është ajo çfarë ne do të bëjmë”, tha Kellogg.REL

Presidenti i zgjedhur Trump në Kongres

Presidenti i zgjedhur Donald Trump në godinën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara (8 janar 2025)

 

VOA Marrë nga Reuters

UASHINGTON – Presidenti i zgjedhur Donald Trump mbërriti në Senatin amerikan të mërkurën me synimin për të bashkuar republikanët rreth një strategjie për uljen e taksave, për kontrollet kufitare dhe rritjen e prodhimit të karburanteve fosile, 12 ditë përpara se të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Trump hyri në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara për herë të parë që kur mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën më 6 janar 2021, bazuar në pretendimet për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Ai bëri nderimet e tij me një vizitë tek arkivoli i ish-Presidentit Jimmy Carter në hollin e Kapitolit, përpara se të takohej me republikanët, që kanë një shumicë 53-47 në Senat. Presidenti i zgjedhur Trump do të marrë pjesë në funeralin e ish-Presidentit Carter të enjten në Uashington.

Presidenti i zgjedhur Trump me bashkëshorten e tij duke bërë homazhe tek arkivoli i ish-Presidentit Jimmy Carter (Kapitol, 8 janar 2025)

Presidenti i zgjedhur Trump me bashkëshorten e tij duke bërë homazhe tek arkivoli i ish-Presidentit Jimmy Carter (Kapitol, 8 janar 2025)

Me një shumicë të ngushtë në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët ende nuk kanë rënë dakord nëse duhet të ndjekin një projektligj që përmban përparësitë e tij, ose dy projektligje, si dhe duket se kanë pikëpamje të ndryshme rreth asaj që legjislacioni duhet të përmbajë.

Disa senatorë republikanë kanë argumentuar se duhet ta ndajnë axhendën e zotit Trump në dy projektligje, duke i lejuar ata të arrijnë një sukses të shpejtë për politikën kufitare dhe energjitike, përpara se të merren me çështjen më të mprehtë, atë të taksave. Disa republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve paralajmërojnë se, duke patur parasysh shumicën e tyre të ngushtë, përqasja me dy hapa rrezikon të dështojë në miratimin e projektligjit të dytë, që zgjat uljen e taksave të miratuara gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump.

“Po shqyrtojmë nëse do jetë një apo dy projektligje. Çfarëdo që të jetë, nuk ka rëndësi, ne do të marrim rezultatin”, u tha Presidenti i zgjedhur Trump gazetarëve, ndërsa po ecte në Kapitol.

Ata gjithashtu do të duhet të merren me mënyrën se si të kompensojnë efektet e uljeve të reja të taksave tek borxhi në rritje i vendit prej 36 trilionë dollarësh.

Në një shenjë të mundshme të zhvillimeve që do të vijojnë, zotit Trump iu desh të ndërhynte në Dhomën e Përfaqësuesve javën e kaluar, kur Kryetari Mike Johnson fillimisht nuk pati votat e nevojshme për rizgjedhjen në postin e tij të lartë. Pas gati dy orësh negociatash, një telefonatë nga Presidenti i zgjedhur Trump ndihmoi që dy kundërshtarë republikanë të linjës së ashpër, të ndryshojnë qëndrimet e tyre dhe të mbështesin zotin Johnson.

“Asgjë nga këto nuk ndodh pa udhëheqjen e Shtëpisë së Bardhë. Diferenca është thjesht shumë e vogël”, u tha gazetarëve senatori republikan Thom Tillis. “Presidenti Trump merr statusin e kapitenit për zgjidhjen e votimit për kryetarin. Dhe ne do të kemi nevojë që ai ta vazhdojë këtë rol, për t’i përfunduar këto projektligje. Është e logjikshme”.

Presidenti i zgjedhur duke biseduar me mediat në Kapitol (8 janar 2025)

Presidenti i zgjedhur duke biseduar me mediat në Kapitol (8 janar 2025)

Të premten, presidenti i zgjedhur do të fillojë takime treditore me republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve në rezidencën e tij Mar-a-Lago, në Florida.

“Ai duhet të dëgjojë se cilat janë përshtypjet tona për sa i përket mënyrës se si do të arrijmë atje ku të gjithë duam të shkojmë”, tha senatorja Shelley Moore Capito, që ishte organizatorja e takimit të së mërkurës.

Republikanët synojnë të mbështesin axhendën e zotit Trump duke përdorur një manovër komplekse legjislative, që do t’i lejojë ata të anashkalojnë opozitën demokrate në Senat. Shumica republikane, 53-47 në Senat, është shumë e ngushtë për të kapërcyer pragun prej 60 votash që duhen në këtë dhomë për pjesën më të madhe të ligjeve.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, një shumicë prej 219 vendesh pritet të zvogëlohet në 217-215 pasi Presidenti i zgjedhur Trump të marrë detyrën në më pak se dy javë. Dy ligjvënës republikanë janë të gatshëm të largohen nga Kongresi dhe t’i bashkohen administratës së tij.

Homazhe shtetërore për ish-Presidentin Carter në Kapitol

Trupi i ish-Presidentin Jimmy Carter në hollin e Kapitolit, selisë së Kongresit të Shteteve të Bashkuara (8 janar 2025)

 

Anita Powell

Mijëra njerëz u përballën me temperaturat e ftohta për të shkuar në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara për të nderuar ish-Presidentin Jimmy Carter, për të cilin u mbajtën homazhe shtetërore të mërkurën në zemrën e demokracisë amerikane, përpara funeralit të tij shtetëror.

Vizitorët e shumtë, ndër të cilët edhe zyrtarë të shumtë të zgjedhur dhe Nënpresidentja Kamala Harris, theksuan arritjet dhe humanizmin e ish-presidentit 100-vjeçar, i cili vdiq muajin e kaluar.

David Smith, profesor në Shkollën Carter për Paqen dhe Zgjidhjen e Konflikteve në Universitetin George Mason, tha se ish-presidenti padyshim ndikoi në karrierën e tij. Ai i tha Zërit të Amerikës se erdhi në Kapitol për të nderuar njeriun, por edhe për të nderuar kauzat e ish-Presidentit Carter.

“Ai pati një ndikim të tillë tek kaq shumë njerëz”, tha ai. “Puna e tij për mbështetjen e pakicave, emërimet e grave në gjyqësor, mbrojtjen e mjedisit tonë, aktivizmin për të drejtat e njeriut – të gjitha ato gjëra janë shumë të rëndësishme për mua”.

Arkivoli i ish-presidentit i mbështjellë me flamur mbërriti në hollin e Kapitolit të martën, përpara funeralit shtetëror të së enjtes.

 

Në atë hapësirë madhështore – ku vetëm për rreth 50 amerikanë është bërë ky nderim i veçantë që nga viti 1852 – udhëheqësi i shumicës së Senatit Jon Thune, në një shërbesë të martën vonë, e përshkroi ish-Presidentin Carter si: “Një veteran i marinës, fermer kikiriku, guvernator i Xhorxhias. Dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara. Mësues në shkollën e kishës. Fitues i çmimit Nobel. Mbrojtës për paqen dhe të drejtat e njeriut. Dhe para së gjithash, një shërbëtor besnik i krijuesit të tij dhe bashkëqytetarëve të tij”.

Dhe Nënpresidentja Harris – e cila një ditë më parë, në këtë ndërtesë, çertifikoi fitoren e presidentit të ardhshëm – lartësoi politikën e ish-Presidentit Carter.

“Ai ishte presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara që kishte një politikë gjithëpërfshirëse energjetike, përfshirë sigurimin e një pjese të mbështetjes së parë federale për energjinë e pastër”, tha ajo të martën. “Ai gjithashtu miratoi mbi dymbëdhjetë pjesë të mëdha të legjislacionit në lidhje me mbrojtjen e mjedisit. Dhe më shumë se dyfishoi madhësinë e parqeve kombëtare të Amerikës”.

Zoti Carter, i cili shërbeu si presidenti i 39-të, vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare, pas gati dy vitesh nën vëzhgim mjekësor në shtetin e Xhorxhias. Që atëherë, udhëtimi i tij i fundit e kaloi arkivolin e tij nëpër rrugët e ngushta të vendlindjes së tij të thjeshtë, qytezën Plains; nëpër bulevardet e Atlantës, kryeqytetit të shtetit, dhe përmes qiejve në Uashingtonin me dëborë, për funeralin e tij shtetëror.

Funerali i së enjtes do të mbledhë bashkë Presidentin Joe Biden dhe ish-presidentët, ndër ta edhe paraardhësin dhe njëkohësisht pasardhësin e Presidentit Biden, Presidentin e zgjedhur Donald Trump. Presidenti i zgjedhur mbërriti që në mbrëmjen e së mërkurës në Uashington, për të bërë homazhe për ish-Presidentin Carter dhe për t’u takuar me ligjvënësit republikanë.

Presidenti Biden firmos shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për zjarret në Kaliforni

Në Altadena, Kaliforni (8 janar 2025)

 

VOA

Presidenti Joe Biden miratoi të mërkurën një deklaratë federale për gjendje emergjence për Kaliforninë, që do të autorizojë fonde dhe burime për të luftuar zjarret.

“Jemi të përgatitur të bëjmë gjithçka dhe për aq kohë sa duhet, për të kontrolluar këto zjarre dhe për të ndihmuar në rindërtimin dhe për t’u siguruar që të kthehemi në normalitet. Do të jetë një rrugë e gjatë”, tha Presidenti Biden. “Do të marrë kohë”.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha të mërkurën se “do të punojë për të siguruar personel dhe aftësi shtesë zjarrfikëse” në Kaliforni për betejën e saj kundër zjarreve që kanë dalë jashtë kontrollit.

Shuma totale e dëmeve nga zjarret mund të shkojë midis 52 miliardë dhe 57 miliardë dollarë ose edhe më shumë, sipas një analize nga Qendra Globale e Motit e kompanisë “AccuWeather”.

Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut të Los Anxhelosit u përball me katër zjarre të rrezikshme për jetën, që kanë vrarë të paktën pesë persona, kanë djegur më shumë se 1’100 ndërtesa dhe kanë detyruar dhjetëra mijëra njerëz të evakuohen.

“Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut Los Anxhelos ishte përgatitur për një ose dy zjarre të mëdha pyjesh, por jo katër, veçanërisht duke patur parasysh këto erëra të qëndrueshme dhe lagështinë e ulët”, tha të mërkurën shefi i zjarrfikësve të qarkut Los Anxhelos, Anthony C. Marrone.

Ai tha se mbi 2000 hektarë janë djegur dhe zjarri po vazhdon të përhapet.

“Nuk kemi asnjë përqindje kontrolli”, tha zoti Marrone.

Zyrtarët kanë paralajmëruar banorët që t’i kushtojnë vëmendje urdhrave të evakuimit dhe të largohen kur të udhëzohen.

Dy mijë anëtarë të Gardës Kombëtare janë dislokuar për të ndihmuar zjarrfikësit vendas.

Makinat e shkrumbuara në Kaliforni (8 janar 2025)

Makinat e shkrumbuara në Kaliforni (8 janar 2025)

Në Palisadet e Paqësorit, zjarri kalonte nga një shtëpi në tjetrën, i shtyrë nga erërat e forta me fuqi uragani. Në të njëjtën zonë, zjarrfikësit thanë se uji pati shteruar.

“Patëm një kërkesë të jashtëzakonshme për sistemin tonë në Palisades”, tha të mërkurën Janisse Quiñones, drejtuese dhe inxhiniere kryesore në Departamentin e Ujit dhe Energjisë në Los Anxhelos. “E çuam sistemin deri në ekstrem”. Kërkesa për ujë ishte “katër herë mbi nivelin… për 15 orë rresht”, shtoi ajo.

Më vonë të mërkurën, aeroplanët mbështetës që ishin ndalur nga erërat e forta, u ngritën sërish në ajër, duke hedhur ujë dhe lëndë anti-zjarr.

Mbi 400,000 shtëpi dhe biznese janë pa energji në të gjithë Los Anxhelosin, sipas faqes në internet poweroutage.us.

Uashingtoni po mbështet përpjekjet për shuarjen e zjarrit të Kalifornisë me katër avionë të mëdhenj cisternë të Shërbimit Pyjor të Shteteve të Bashkuara dhe u njoftua se është nisur edhe një i pestë shtesë. Qeveria federale po ndihmon edhe me 10 helikopterë përpjekjet për shuarjen e zjarrit. Ndërkohë, dhjetëra zjarrfikëse të Shërbimit Pyjor u vendosën në gatishmëri për t’u dislokuar.

Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencia e lajmeve Associated Press.

Presidenti i zgjedhur Trump nuk përjashton përdorimin e forcës ushtarake për të marrë nën kontroll Groenlandën dhe Kanalin e Panamasë

Djali i Presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, biznesmeni Donald Trump Jr, gjatë qëndrimit në Nuuk, Groenlandë, më 7 janar, 2025/AP

 

VOA Marrë nga Associated Press

Presidenti i zgjedhur Donald Trump nuk përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake për të marrë nën kontroll Kanalin e Panamasë dhe Groenlandën, gjatë një konference shtypi të martën, duke thënë se kontrolli amerikan i dyjave është jetik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Në një konferencë me gazetarë vetëm dy javë para se të marrë mandatin e ri më 20 janar, zoti Trump la të hapur mundësinë që të përdorë ushtrinë amerikane për të siguruar kontrollin ndaj këtyre dy territoreve.

“Nuk mund të zotohem”, tha ai, i pyetur nëse do të përjashtonte përdorimin e ushtrisë. “Ndodh që do të duhet të bëjmë diçka. Kanali i Panamasë ka rëndësi jetike për vendin tonë”.

Më pas ai shtoi se “Groenlanda na duhet për qëllime të sigurisë kombëtare”. Groenlanda është territor autonom i Danimarkës, një aleat tradicional i Shteteve të Bashkuara dhe njëra prej shteteve themeluese të NATO-s.

Zoti Trump po ashtu foli edhe për mundësinë që Kanadaja t’i bashkohej Shteteve të Bashkuara. Ai tha se për një gjë të tillë ai nuk do të mbështetej tek forca ushtarake, por në “forcën ekonomike”.

Ndërkohë, djali i madh i Presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump po viziton Groenlandën të martën në kuadër të një vizite private, duke nxitur spekulime se administrata e re e Shteteve të Bashkuara do të synojë që ta marrë nën kontroll territorin danez, të pasur me minerale.

Transmetuesi shtetëror danez njoftoi se avioni i Donald Trump Jr. arriti në Nuuk, kryeqyteti i territorit të madh dhe të akullt, që ka 57 mijë banorë. Mediat vendase transmetuan pamje të tij duke ecur në pistën e mbuluar me borë.

Qeveria e Groenlandës tha përmes një deklarate se zoti Trump Jr. Ndodhet atje në “një vizitë private” dhe se nuk bëhet fjalë për vizitë zyrtare, duke njoftuar se përfaqësuesit e Groenlandës nuk do të takohen me të. Groenlanda është një territor autonom që është pjesë e Danimarkës.

Sekretari i Përhershme në Departamentin e Punëve të Jashtme të Groenlandës, Mininguaq Kleist i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se autoritetet ishin njoftuar se zoti Trump Jr do të qëndronte atje për katër ose pesë orë.

As delegacioni i zotit Trump Jr. e as zyrtarët qeveritarë të Groenlandës nuk kërkuan takim, sipas zotit Kleist.

Por pavarësisht kësaj, vizita ka ngjyrim politik.

Territori në Arktik, është zonë e një rëndësie strategjike për Shtetet e Bashkuara, Kinën, Rusinë dhe të tjerët.

Ishulli më i madh i botës, Groenlanda shtrihet ndërmjet oqeanit Atlantik dhe atij Arktik dhe 80 për qind e territorit të saj është e mbuluar me shtresë akulli. Aty gjendet një bazë e madhe ushtarake amerikane.

“Po dëgjoj që popullsia e Groenlandës janë ‘MAGA’ (inicialet e sloganit ‘Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhërishme’. Djali im, Don Jr dhe përfaqësues të ndryshëm do të shkojnë atje për të vizituar disa nga pjesët më të mrekullueshme” Presidenti i zgjedhur Trump shkroi në një postim në platformën e tij sociale të hënën mbrëma.

“Groenlanda është një vend i mahnitshëm dhe banorët do të përfitojnë shumë nëse dhe kur të bëhet pjesë e shtetit tonë”, shkroi zoti Trump. “Do ta mbrojmë dhe do ta ruajmë nga një botë e rrezikshme. TA BËJMË GROENLANDËN SËRISH TË MADHËRISHME!”

Kryeministri i Groenlandës Mute Egede ka bërë thirrje për pavarësi nga Danimarka, duke theksuar në fjalimin e tij të Vitit të Ri se pavarësia do të ishte një mënyrë për t’u çliruar nga e kaluara koloniale. Por Kryeministri Egede po ashtu tha se ai nuk është i interesuar që Groenlanda të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, duke këmbëngulur që ishulli nuk është në shitje.

Kryeministri danez Mette Frederiksen tha të martën se e ardhmja e Groenlandës do të vendoset nga Groenlanda dhe i quajti Shtetet e Bashkuara aleatin më të rëndësishëm të Danimarkës.

Mbreti i Danimarkës Frederik X po rithekson të drejtat e shtetit të tij ndaj Groenlandës dhe Ishujve Faroe, një arkipelag që vetëqeveriset ndërmjet Islandës dhe Norvegjisë në pjesën veriore të Oqeanit Atlantik.

Muajin e kaluar, mbreti ndryshoi stemën e Danimarkës për të përfshirë pjesët që përfaqësojnë Groenlandën dhe Ishujt Faroe. Groenlanda përfaqësohet nga një ari i argjendtë me gjuhë të kuqe. Shpallja mbretërore theksoi se që nga viti 1194, stema mbretërore “ka simbolizuar legjitimitetin dhe sovranitetin e shtetit dhe të monarkut”.

“Të gjithë jemi të bashkuar dhe secili prej nesh është i përkushtuar ndaj Mbretërisë së Danimarkës …. deri në Groenlandë”, tha mbreti në fjalimin e tij të Vitit të Ri.

Gjatë mandatit të tij të parë, Presidenti i zgjedhur amerikan e kishte përmendur blerjen e Groenlandës, e cila fitoi të drejtën për vetëqeverisje nga Danimarka në vitin 1979. Zoti Trump anuloi një vizitë të planifikuar në Danimarkë në gusht të vitit 2019 pasi kryeministri danez e hodhi poshtë këtë ide.

Zoti Trump e ringjalli këtë temë muajin e kaluar kur njoftoi për emërimin e ambasadorit të SHBA-ve në Danimarkë, duke shkruar: “për shkaqe të sigurisë kombëtare dhe lirisë në tërë botën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndihen që pronësia dhe kontrolli i Groenlandës është një domosdoshmëri absolute”.

Djali i tij i madh, Don Jr, është figurë e rëndësishme në lëvizjen politike të babait të tij dhe është pjesë e ekipit të tranzicionit të presidentit, që përzgjedh pjesëtarët e administratës së ardhshme në Shtëpinë e Bardhë.

Trumpi nis bisedimet me presidentin kinez: Besoj se do kemi raporte të mira, Xi Jinpingu lider i fuqishëm!

Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump ka deklaruar se ai dhe lideri kinez Xi Jinping kanë komunikuar përmes përfaqësuesve te tyre, duke theksuar se beson se të dy udhëheqësit do të kenë raporte të mira.

 

“Ne kemi folur tashmë. Ne kemi folur përmes përfaqësuesve,” tha Trump në një intervistë, raporton Reuters.

Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, e përshkroi liderin kinez përmes një postimi në rrjetin social “X” si një njeri të fortë dhe të fuqishëm.

“Unë mendoj se ne do të shkojmë shumë mirë,” theksoi republikani.

“Por, ju e dini, është një marrëdhënie e dyanshme,” shtoi ai, duke akuzuar përsëri Pekinin për “grabitjen” ekonomike të SHBA-së.

Çfarë tha përfaqësues i Ministrisë së Jashtme kineze?

Kina i kushton “rëndësi të madhe” deklaratave të Trump, tha sot një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze gjatë një konference për shtyp.

“Kina synon të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA,” shtoi Guo Jiakun, duke folur për respektin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin “përfitues reciprok”.

Guo nuk konfirmoi se përfaqësuesit e dy liderëve kanë folur, por vuri në dukje se Kina dhe SHBA mbajnë komunikim përmes kanaleve të ndryshme.

Trump ka ftuar Xi dhe liderë të tjerë të huaj në betimin e tij në Uashington më 20 janar, por ekspertët thonë se ka shumë pak gjasa që lideri kinez të marrë pjesë në ceremoni. Panorama

Gjykatësi hedh poshtë kërkesën e zotit Trump për të mos e dhënë dënimin të premten

VOA Marrë nga Associated Press

Presidentit të zgjedhur Donald Trump iu hodh poshtë të hënën kërkesa për të shtyrë për një kohë të pacaktuar shpalljen e dënimit për çështjen e gjyqësore për pagesat e bëra në këmbim të heshtjes së një gruaje përpara zgjedhjeve të vitit 2016, që ishte planifikuar këtë javë.

Ekipi i tij i avokatëve kishte kërkuar që dënimi të mos jepej ndërsa ai apelon një vendim që mbajti në fuqi në një vendim të mëparshëm që duket se do ta bëjë atë presidentin e parë që merr detyrën ndërsa është gjendur fajtor për një vepër penale.

Gjykatësi i Manhatanit Juan M. Merchan, urdhëroi që shpallja e dënimit të bëhet të premten siç ishte planifikuar, duke hedhur poshtë argumentet e avokatëve të zotit Trump, të cilët kishin kërkuar një pauzë ndërsa i drejtohen një gjykate të apelit shtetëror në përpjekje për të anuluar vendimin për ta mbajtur në fuqi atë të mëparshmin.

Zoti Trump gjithsesu mund t’i kërkojë gjykatës së apelit të ndërhyjë dhe të urdhërojë një ndalim ose pauzë. Përndryshe, ai do të marrë dënimin pak më shumë se një javë para se të inaugurohet për një mandat të dytë.

Avokatët e zotit Trump i kanë thënë gjykatësit Merchan se nëse seanca mbahet, ai do të shfaqet me video dhe jo personalisht. Gjykatësi e kishte lejuar këtë opsion në dritën e e procesit të tranzicionit presidencial.

Gjykatësi Merchan rrëzoi kërkesën e Presidentit të zgjedhur Trump për ta anuluar vendimin e 30 majit, për shkak të rikthimit të tij të afërt në Shtëpinë e Bardhë. Avokatët e zotit Trump thanë se do të apelojnë gjithashtu një vendim paraprak në të cilin gjykatësi refuzoi të pushonte çështjen për arsye të imunitetit presidencial.

Në vendimin e tij javën e kaluar, gjykatësi sinjalizoi se nuk ka gjasa të japë ndonjë ndëshkim për presidentin e zgjedhur republikan, pas vendimit të paprecedent të fajësisë për 34 akuza penale në lidhje me falsfikimin e të dhënave të biznesit.

Gjykatësi Juan M. Merchan

Gjykatësi Juan M. Merchan

Presidenti i zgjedhur Trump ka thënë se “do të ishte fundi i Presidencës siç e njohim”, nëse vendimi lejohet të qëndrojë.

Avokatët e tij argumentuan të hënën se apelimi i tyre në Divizionin e Apelit të gjykatës gjyqësore të shtetit Nju Jork duhet të shkaktojë atë që njihet si një ndalim automatik, ose pauzë të procedurave. Nëse kjo nuk ndodh, thanë ata, vetë gjykatësi Merchan duhet të veprojë dhe ta ndalë dënimin e së premtes.

“Sot, ekipi ligjor i Presidentit Trump ndërmori hapa për të ndaluar dënimin e paligjshëm në Gjuetinë e Shtrigave të prokurorisë së Manhattanit”, tha zëdhënësi i Presidentit të zgjedhur Trump, Steven Cheung më herët. “Vendimi historik i Gjykatës së Lartë mbi imunitetin, kushtetuta shtetërore e Nju Jorkut dhe precedenti i vendosur ligjor kërkojnë që kjo sajesë e pavlerë të hidhet poshtë menjëherë”.

Një mesazh ku kërkohej koment u la për zyrën e prokurorit të qarkut të Manhatanit, i cili drejtoi çështjen hetimore.

Ndërsa zoti Trump pohoi se imuniteti presidencial dhe mandati i tij i dytë i afërt kërkonin anulimin e vendimit, gjykatësi Merchan shkruajti në vendimin e tij të 3 janarit se vetëm “përfundimi i kësaj çështjeje” duke e dënuar zotin Trump, do t’i shërbente interesave të drejtësisë.

Gjykatësi shkruajti se dënimi i Presidentit të zgjedhur Trump me atë që njihet si një “shkarkim i pakushtëzuar” – pra mbyllja e çështjes pa burg, gjobë, apo ndonjë kusht – “duket të jetë zgjidhja më e zbatueshme”.

Akuzat ndaj zotit Trump përfshinin një skemë për të fshehur pagesën për të siguruar heshtjen e aktores pornografike Stormy Daniels, në javët e fundit të fushatës së zotit Trump në vitin 2016, për të shmangur publikimin e pretendimeve se kishte patur marrëdhënie seksuale me të vite më parë. Ai thotë se historia e saj është e rreme dhe se nuk ka bërë asnjë shkelje.

Çështja u përqëndrua në mënyrën se si zoti Trump regjistroi rimbursimin e avokatit të tij personal të atëhershëm Michael Cohen, i cili pati bërë pagesën për zonjën Daniels. Gjetja fajtor krijoi mundësinë e dënimit që varionte që nga një gjobë, një dënim me kusht, apo deri në katër vite burg.

Zoti Cohen, një dëshmitar kyç i prokurorisë, i cili më parë kishte bërë thirrje që zoti Trump të futej në burg, tha se “bazuar në të gjitha rrethanat ndërhyrëse” vendimi i gjykatësit Merchan për ta dënuar zotin Trump pa ndonjë ndëshkim “është i arsyeshëm dhe i përshtatshëm”.

Dënimi i Presidentit të zgjedhur Trump fillimisht u caktua për 11 korrikun e kaluar dhe më pas u shty dy herë me kërkesë të mbrojtjes. Pas zgjedhjes së zotit Trump më 5 nëntor, gjykatësi Merchan e shtyu sërish dënimin në mënyrë që mbrojtja dhe prokuroria të mund të jepnin mendimin e tyre mbi të ardhmen e çështjes.

Kongresi certifikon fitoren e Presidentit të zgjedhur Trump

Nënpresidentja Kamala Harris shtërngon duart me Kryesuesin e Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson pas seancës së përbashkët të Kongresit ku u certifikua fitorja e Presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump më 6 janar, 2025, në Kapitol, në Uashington/AP

 

VOA

UASHINGTON – Kongresi amerikan zyrtarisht certifikoi fitoren elektorale të Presidentit të zgjedhur republikan Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit, duke i hapur rrugë betimit të tij më 20 janar.

Certifikimi i rezultatit zgjedhor të hënën në 50 shtetet dhe në Distriktin e Kolumbisë u përcoll me një ceremoni të shkurtër zyrtare gjatë një seance të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit. Kjo seancë u udhëhoq nga Nënpresidentja Kamala Harris, rivalja demokrate e zotit Trump në zgjedhjet presidenciale, e cila u paraqit në rolin e drejtueses së Senatit.

Ky ritual, që bëhet çdo katër vjet, dalloi nga ngjarjet e para katër viteve kur një turmë përkrahësish të zotit Trump hynë me forcë në Kapitol, duke bërë një përpjekje të dështuar për ta bllokuar certifikimin e humbjes së vitit 2020 të Presidentit të atëhershëm Trump ndaj Presidentit demokrat Joe Biden.

Zoti Trump vazhdon të bëjë pretendime të pavërtetuara se humbja e tij në vitin 2020 ishte rezultat i një vjedhje të përhapur. Ai ka vazhduar të shprehë shqetësime të ngjashme gjatë tërë fushatës së vitit 2024, deri në momentin kur arriti të fitonte ndaj zonjës Harris më 5 nëntor.

“Kongresi certifikoi sot fitoren tonë të mahnitshme – një moment i madh në histori. MAGA (inicialet për sloganin “Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhërishme)”, shkruajti zoti Trump të hënën në platformën e tij sociale, Truth Social.

Seanca e përbashkët e Kongresit u mbajt megjithë stuhinë e borës e cila përfshiu kryeqytetin amerikan, me reshje dëbore që arritën deri në 15 centimetra dhe që penguan qarkullimin e automjeteve.

Certifikimi përfundimtar vulosi rezultatet paraprake se zoti Trump fitoi 312 votat e Kolegjit Zgjedhor krahasuar me 226 votat e zonjës Harris.

Republikanët do të kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin

Republikanët po ashtu fituan shumicën e vendeve në Senatin amerikan dhe një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit, fitore që do t’i japin zotit Trump përkrahjen e partisë, e cila i nevojitet për të zbatuar planin e tij për shkurtim të taksave dhe dëbim të emigrantëve të jashtëligjshëm.

Demokratët nuk u përpoqën që të bllokojnë certifikimin e fitores së zotit Trump të hënën.

“Na duhet të angazhohemi sërish që të mbrojmë demokracinë amerikane”, tha nënkryetarja e ligjvënësve demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve, Katherine Clark. “Si përfaqësues të zgjedhur, ne duhet t’i jemi besnik, në radhë të parë dhe gjithnjë ndaj Kushtetutës. Jemi këtu për të respektuar vullnetin e popullit dhe sundimin e ligjit”.

Masat e sigurisë brenda dhe jashtë Kapitolit u përforcuan në prag të certifikimit dhe pritet që ato të mbesin të tilla deri në ceremoninë e betimit të zotit Trump.

Perimetri rreth Kapitolit u rrethua me barrikada metalike dhe hyrjet në pika të caktuara ruheshin nga policët me uniformë.

Autokolonat e veturave të zeza të policisë ishin të vendosura në afërsi. Përforcimet nga Departamenti i policisë i Nju Jorkut po ashtu janë dislokuar për të patrulluar në këtë zonë.

Brenda ndërtesës, ekipe shtesë të policëve të Kapitolit kontrollin dokumentet e identifikimit në hyrjet e ndërtesës, përfshirë tek dyert dhe tunelet e nëndheshme që çojnë në sallat e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.

Zoti Trump ka deklaruar se planifikon t’i falë disa nga mbi 1,500 personat e paditur për pjesëmarrje në sulmin e 6 janarit të vitit 2021 ndaj Kapitolit, kur turma u përplas me policinë, duke u futur me dhunë përmes dritareve dhe dyerve, ndërsa brohoriste “Vareni Mike Pence-in”, nënpresidentin e atëhershëm të zotit Trump, në përpjekje për të penguar certifikimin e fitores së zotit Biden nga Kongresi.

Në trazirat e vitit 2021 në Kapitol, protestuesit e dhunshëm çanë barrikadat e policisë, duke sulmuar 140 pjesëtarë të policisë dhe duke shkaktuar dëme, që kapën shifrën 2.8 milionë dollarë. Disa nga policët që u përleshën me protestuesit vdiqën gjatë javëve në vijim, disa prej tyre u vetëvranë.

Për shkak të dhunës së asaj dite, Kongresi miratoi ligje në fund të vitit 2022 për ndërmarrjen e masave shtesë për t’u siguruar që procesi i certifikimit të bëhet në mënyrë ligjore.

Shumë nga këto ndryshime janë bërë si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të zotit Trump përpara dhe gjatë 6 janarit të vitit 2021. Për shembull, ligji i ri thotë se roli i nënpresidentit është kryesisht ceremonial.

Trumpi kërkon shtyrjen e shpalljes së dënimit në rastin e blerjes së heshtjes

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka kërkuar një gjykatësi në Nju Jork të hënën që ta shtyjë shqiptimin e dënimit ndaj tij në rastin penal të blerjes së heshtjes, në të cilin ai u shpall fajtor vitin e kaluar.

Avokatët e Trumpit thanë se synojnë t’i kërkojnë Gjykatës së Apelit ta hedhë poshtë vendimin e javës së kaluar nga gjykatësit Juan Merchan për shqiptimin e dënimit më 10 janar.

Avokatët Todd Blanche dhe Emil Boce i kërkuan Merchanit të mos e shpallë aktgjykimi ndaj Trumpit derisa ata ta bëjnë ankesën në Gjykatën e Apelit. Nëse kjo ndodh, atëherë gjasat janë që aktgjykimi ndaj Trumpit të mos shpallet para inaugurimit të tij më 20 janar.

Merchan e caktoi të premten si datë për shpalljen e aktgjykimit, por la të kuptohej se Trumpi nuk do të përballet me ndonjë dënim me burgim apo gjobë.

Trumpi u shpall fajtor në maj për falsifikimin e regjistrave biznesore për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila tha se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.

Ai ngarkohej me 34 akuza penale, përfshirë për falsifikimin e 11 faturave, 12 kuponëve dhe 11 çeqe, për ta fshehur pagesën në vlerë prej 130.000 dollarëve që ia kishte bërë Stormy Danielsit për ta blerë heshtjen e saj në lidhje me pretendimet e saj se kishte kryer marrëdhënie seksuale me Trumpin më 2006.

Daniels donte të fliste publikisht për lidhjen e dyshuar seksuale me Trumpin një muaj para zgjedhjeve të vitit 2016, gjë që do t’ia kishte dëmtuar fushatën presidenciale të nominuarit republikan.

Trump ka thënë se rrëfimi i saj ishte i rrejshëm dhe i ka mohuar të gjitha akuzat. REL

Biden: Të mos lejojmë nënvlerësimin e sulmit të 6 janarit në Kapitol

VOA Marrë nga Reuters dhe AP

Presidenti Joe Biden është zotuar se tranzicioni i pushtetit nga ai te Presidenti i zgjedhur Donald Trump do të jetë i rregullt, ndryshe nga katër vjet më parë. Gjatë një fjalimi që mbajti mbrëmë para ligjvënësve demokratë në Shtëpinë e Bardhë, zoti Biden kundërshtoi atë që ai e quan “përpjekje të pandërprerë” për të nënvlerësuar sulmin e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol nga një turmë mbështetësish të zotit Donald Trump. Turma bëri përpjekje të pengojë certifikimin e fitores së zotit Biden ndaj rivalit Donald Trump në zgjedhjet e vitit 2020

Presidenti Joe Biden tha, se pas asaj që ndodhi në vitin 2021, 6 janari, dita kur sipas kushtetutës Kongresi çdo katër vjet certifikon rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, nuk mund të meret më si e mirëqenë që gjithshka do të shkojë qetë.

“Shpresoj që të mos e marrim më kurrë si të mirëqenë. Para katër vjetësh, më 6 janar, Kapitoli u sulmua nga një turmë e dhunshme. Nëse vini në zyrën ovale përpara se të largohem, do t’ju tregoj dhomën ngjitur në të cilën ish-presidenti, për tre orë e gjysmë po shihte çfarë po ndodhte në televizor. Demokracia jonë u vu vërtet në sprovë, por fatmirësisht, ajo mbijetoi. Arsyeja kryesore është guximi i policisë së Kapitolit dhe të njerëzve që qëndruan me ne. Mos i harroni kurrë”, tha Presidenti Biden.

Procesi i certifikimit, zakonisht një formalitet, u përmbys katër vjet më parë kur mbështetësit e Presidentit Donald Trump sulmuan dhunshëm Kapitolin. Ata bënë përpjekje për të ndaluar transferimin e pushtetit te demokrati Joe Biden, i cili kishte fituar zgjedhjet.

Shumica e protestuesve shkuan drejt Kongresit nga një tubim aty pranë ku zoti Trump u kërkoi të “luftonin fuqishëm” kundër asaj që ai e quan “manipulim i zgjedhjeve”. Një mbështetëse e zotit Trump, Ashli Babbitt, u qëllua për vdekje nga një oficer teksa u përpoq të hynte me forcë në ndërtesën e Kongresit. Oficeri i policisë së Kapitolit, Brian Sicknick, i plagosur ndërsa u përball me turmën, pësoi infarkt të nesërmen dhe sipas mjekëve vdiq nga shkaqe natyrore. Kongresi u mblodh disa orë më vonë më 6 janar për të përfunduar certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Gjatë fjalimit në Shtëpinë e Bardhë ai u kërkoi ligjvënësve demokratë të “thonin të vërtetën” për sulmin e 6 janarit dhe të mos lejojnin që historia e asaj që ndodhi të “rishkruhej apo edhe të fshihej”.

“Tani është detyra juaj të thoni të vërtetën, të mbani në mend atë që ndodhi dhe të mos lejoni që 6 janari të rishkruhet dhe as të fshihet. Duhet nderuar Kushtetutën, jo vetëm në ditët më të jashtëzakonshme dhe gjashtë janari është një nga ditët më të vështira të historisë amerikane, por çdo ditë. Tani, katër vjet më vonë, po largohem nga posti i presidentit dhe jam i vendosur të bëj gjithçka në fuqinë time për të respektuar transferimin paqësor të pushtetit”, tha Presidenti Biden.

Presidenti Biden kaloi pjesën më të madhe të vitit 2024 duke paralajmëruar votuesit se zoti Trump është një kërcënim serioz për demokracinë e vendit. Javën e kaluar, presidenti i dha Medaljen Presidenciale të Qytetarisë zonjës Liz Cheney dhe ligjvënësit demokrat Bennie Thompson, udhëheqësit e hetimit të Kongresit për sulmin e 6 janarit në Kapitol.

Kongresi do të mblidhet të hënën në Uashington për të certifikuar fitoren e zotit Trump në një seancë, që do të drejtohet nga rivalja që ai mposhti, Nënpresidentja Kamala Harris. Këtë herë nuk pritet dhunë, madje as kundërshtime procedurale, duke shënuar një rikthim në traditën amerikane që të transferimit paqësor të pushtetit presidencial.

Presidenti Biden sqaroi se arsyeja pse ai do të veprojë ndryshe nga Presidenti i zgjedhur Trump dhe republikanët është se “rregullat dhe institucionet kanë rëndësi”.

“Traditat thelbësore që kemi respektuar prej kohësh në Amerikë përfshijnë certifikimin e zgjedhjeve dhe duke marrë pjesë në inaugurimin e një presidenti të ardhshëm”, tha Presidenti Biden.

Republikanët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve me një shumicë të vogël me katër vende më shumë se demokratët, si dhe Senatin me gjashtë vende më shumë.

Kongresi amerikan do të certifikojë fitoren e Trumpit në zgjedhje

VOA

Kongresi amerikan do të mblidhet të hënën për të certifikuar fitoren e zotit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, përballë nënpresidentes aktuale, Kamala Harris.

Nënpresidentja është përgjegjëse për kryesimin e numërimit të rezultateve nga secili prej 50 shteteve të vendit, duke e vënë zonjën Harris në pozicionin e certifikimit të humbjes së saj.

Procedura ishte për një kohë të gjatë një formalitet në procesin zgjedhor, por katër vjet më parë u shndërrua në kaos pasi mbështetësit e zotit Trump hynë në Kapitol, duke plagosur rreth 140 oficerë policie, duke shkaktuar dëme në ndërtesë dhe duke detyruar ligjvënësit të strehoheshin për shkaqe sigurie.

Skena të ngjashme nuk priten të hënën, meqë zonja Harris e ka pranuar humbjen dhe presidenti Joe Biden ka theksuar nevojën për një proces paqësor të kalimit të pushtetit.

Autoritetet janë përgatitur për çdo rast, duke ngritur pengesa të larta metalike rreth kompleksit të Kapitolit.

Duke folur të dielën në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Biden e quajti atë që ndodhi më 6 janar të vitit 2021 “një nga ditët më të vështira në historinë amerikane”.

“Ne duhet të kthehemi në kalimin normal të pushtetit”, tha ai.

Ai shtoi se sjellja e zotit Trump katër vjet më parë, e cila përfshinte pretendime të përsëritura të rreme se ai fitoi zgjedhjet, “ishte një kërcënim i vërtetë për demokracinë”.

Më shumë se 1500 persona janë akuzuar në lidhje me sulmin në Kapitol. Zoti Trump është zotuar se do të shpallë faljen e tyre pasi të marrë detyrën më 20 janar.

Nikki Haley reagon ashpër për dekorimin e Sorosit nga Bideni

Ish-kandidatja republikane për Presidente të Shteteve të Bashkuara, Nikki Haley ka reaguar ashpër për dekorimin që Presidenti Biden ka bërë për Xhorxh Soros duke i dhënë atij medaljen e Lirisë.

“Dhënia Xhorxh Sorosit Medaljen Presidenciale të Lirisë është një tjetër shuplakë në fytyrën e Amerikës pas uljes së dënimeve për vrasësit dhe faljes së djalit të tij. 16 ditë janë shumë deri në inaugurim. Çfarë është ai në gjendje të rrëshqasë më pas? 20 janari nuk mund të vijë aq shpejt.”

Kështu është shprehur për Joe Biden në llogarinë e saj X, konkurentja kryesore e Trump në garën e primareve brenda Partisë Republikane për presidencialet 2024, Nikki Haley. sn


Send this to a friend