Senati amerikan konfirmoi diplomatin Jeffrey Hovenier për të shërbyer në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Z. Hovenier, një diplomat karriere, u emërua në për këtë post në muajin korrik nga presidenti Joe Biden.
Ai ka shërbyer së fundmi si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuara në Ankara të Turqisë.
Më herët, ai ishte zëvendës shef në detyrë i Misionit dhe ministër këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën amerikane në Berlin.
Zoti Hovenier ka shërbyer gjithashtu në misionet amerikane në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru; në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Zoti Hovenier ka përvojë në Kosovë, pasi ka shërbyer në ekipin e të Dërguarit të Posaçëm të OKB për statusin politik, Martti Ahtisaari.
Në vitin 2018, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e nderoi zotin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, “për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Gjatë ceremonisë për dhënien e medaljes, Presidenti Thaçi e falënderoi diplomatin amerikan “për kontributin në Konferencën e Rambujesë, në procesin e Vjenës dhe në procesin e shtetndërtimit të Kosovës”.
“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, ishte shprehur diplomati Hovenier.
Zoti Hovenier do të zëvendësojë ambasadorin Philip S. Kosnett, i cili u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump në korrik të vitit 2018, u konfirmua nga Senati në shtator dhe filloi detyrën si ambasadori i pestë amerikan në Republikën e Kosovës në dhjetor të atij viti.
Në Uashington, diplomati Hovenier, ka shërbyer si Drejtor për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore.
Gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e tij në senat, zoti Hovenier, tha se do të punojë për të çuar përpara mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për një Kosovë sovrane dhe demokratike dhe do të mbështesë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Që të citoj presidentin Biden, kjo duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë. Normalizimi është thelbësor për qëndrueshmërinë dhe sigurinë rajonale dhe do të hapë rrugën për integrimin e të dy vendeve në institucionet euro-atlantike dhe evropiane”, tha ai.
Komentet