UASHINGTON – Senatorët amerikanë i kanë dërguar një letër të re presidentit Donald Trump, ku kanë kërkuar që në kuadër të “Ligjit Magnitsky” të zbulohet qartë nëse princi saudit i kurorës, Muhammed bin Salman, është ose jo përgjegjës i drejtpërdrejtë në vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kreu i Komitetit të Senatit Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë, Bob Corker dhe anëtari i lartë i komitetit, demokrati Bob Menendez, i dërguan presidentit amerikan një letër të re në lidhje me vrasjen e Khashoggit.
Në letrën e re i referohen drejtpërdrejt princit Muhammed bin Salman
Senatorët të cilët i referohen letrës së parë të dërguar nga komiteti më 10 tetor, në letrën e re kërkuan në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qeveria e Trumpit që të zbulohet nëse princi Muhammed bin Salman është përgjegjës ose jo në vrasjen e Khashoggit.
“Në drejtim të zhvillimeve të fundit, në vendimin tuaj në mënyrë specifike kërkojmë zbulimin e asaj nëse princi trashëgimtar Muhammed bin Salman ka ose jo përgjegjësi në vrasjen e Khashoggit”, thuhet në letër.
Në letër po ashtu u theksua se presin dërgimin e një përgjigjeje në lidhje me çështjen te Komiteti i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë brenda 120 ditëve duke filluar nga 10 tetori.
Reagim i ashpër nga Graham
Në anën tjetër një prej emrave kryesor të Republikanëve, senatori i Karolinës Jugore, Lindsey Graham, nëpërmjet rrjetit social Twitter ka folur në lidhje me vrasjen e Khashoggit.
“Një gjë që kam mësuar nga vitet e Obamës, shikimi i problemeve në Lindjen e Mesme ‘nga këndi tjetër’ dhe kjo rrallë herë funksionon. Ngjashëm kur erdhi radha edhe te vrasja brutale e Jamal Khashoggit, rruga tjetër nuk po iu përshtatet interesave tona kombëtare”, ka shkruar Graham.
Duke e marrë objektiv të drejtpërdrejtë princin saudit të kurorës, Graham tha se kur në rend të ditës do të vijnë sanksionet serioze ndaj Arabisë Saudite, përfshirë edhe pjesëtarët e familjes Mbretërore Saudite për shkak të këtij akti barbar i cili është në kundërshtim me të gjitha normat civile, “besoj se do të ketë mbështetje nga që të dy partitë në kongres”.
“Edhe pse Arabia Saudite është një partner strategjik, veprimi i princit trashëgimtar është jorespekt nga aspekte të shumta ndaj marrëdhënieve mes nesh dhe sipas meje (kjo gjendje) e ka helmuar atë. Jam plotësisht në dijeni se duhet të interesohemi me aktorët e këqij në arenën ndërkombëtare dhe me raste që nuk janë perfekte, por nëse e humbim zërin moral atëherë do të humbim pasurinë tonë më të fuqishme”.
Letra e parë më 10 tetor
Në letrën e parë të komitetit ishte kërkuar “zbulimi i të gjithë personave që janë përgjegjës të vrasjes së Khashoggit”.
Komiteti i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë në letrën e dërguar më 10 tetor për presidentin Trump kërkoi që për fatin e Jamal Khashoggit, i cili ishte zhdukur pas hyrjes në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, të fillojë një hetim në kuadër të “Aktit Global Magnitsky për Përgjegjësi mbi të Drejtat e Njeriut”.
Në letër ishin përfshirë nënshkrimet e kreut të Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë, Bob Corker, anëtarit të lartë të komitetit, Bob Menendez, anëtarit të komitetit senatorit të Karolinës Jugore, republikanit Linsdey Graham dhe të senatorit demokrat, Patrick Leahy.
Në letrën në fjalë thuhet se, “Në kuadër të Aktit Global Magnitsky për Përgjegjësi mbi të Drejtat e Njeriut kërkojmë nga ju vendim në çështjen e zbatimit të sanksioneve ndaj personave të huaj që kanë rol në ndonjë shkelje në lidhje me rastin Khashoggi”.
Ligji Magnitsky
Në rast të një kërkese nga Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit, Ligji Magnitsky i sjell kusht presidentit të SHBA-ve për hetim në kuadër të “ekzekutimeve të paligjshme, torturave dhe shkeljeve të tjera të rënda kundër një individi që ushtron lirinë e shprehjes”.
Sipas ligjit, presidenti amerikan pas kërkesës së komitetit duhet të paraqesë një raport që përfshin gjetjet për kërkesën në fjalë, si dhe nëse ka vendimin e sanksioneve ndaj personit apo personave të huaj të përfshirë në shkeljet e të drejtave të njeriut.
Ligji Magnitsky u miratua në SHBA në vitin 2012 pasi Sergey Magnitsky, një prej avokatëve të fondit Hermitage Capital Management, humbi jetën teksa ndodhej i burgosur në Rusi në vitin 2009, ku SHBA dhe vendet evropiane duke mbrojtur idenë se nuk kanë marrë masat e nevojshme gjatë burgimit kërkuan dënimin e zyrtarëve përgjegjës rusë.
Komentet