Në një mesazh emocionues me pamje filmike, duke iu referuar disa ngjarjeve intime të fëmijërisë së tij në Austrinë post-naziste, ish-Guvernatori republikan i Kalifornisë Arnold Schwarzenegger dënoi dhunën në Kapitol dhe ato që ai i quajti gënjeshtra të Presidentit Donald Trump, që sipas tij u bënë shkak për ngjarjen.
“Presidenti Trump u përpoq të përmbyste rezultatet e një procesi zgjedhor të ndershëm. Ai u përpoq të kryente një grusht shteti duke i mashtruar njerëzit me gënjeshtra“, shprehej në një video shtatë minutëshe të postuar në mediat sociale të dielën, ish-aktori 73-vjeçar, i cili gjatë karrieres se tij në Hollivud njihet më së shumti me rolin e tij ne filmin “The Terminator”.
“Babai im dhe fqinjët tanë u mashtruan gjithashtu me gënjeshtra dhe unë e di se ku të çojnë gjëra të tilla“, tha zoti Schwarzenegger, një përfaqësues i republikanëve.
Zoti Trump vazhdon të pohojë, por pa dhënë asnjë provë, se ai i ka fituar zgjedhjet e 3 nëntorit. Një turmë e mbështetësve të tij hynë me forcë në mjediset e Kapitolit të mërkurën ndërsa Kongresi po zhvillonte procesin e çertifikimit të fitores së Joe Biden-it në zgjedhjet e 3 nëntorit. Në një video për mbështetësit e tij publikuar të mërkurën, gjatë kohës që dhuna në Kapitol ishte në zhvillim e sipër, presidenti u kërkonte atyre të shkonin në shtëpi, por përsëriti pretendimin se ishte ai që i kishte fituar zgjedhjet. Më vonë ai publikoi një tjetër video në të cilën premtonte një tranzicion të qetë të pushtetit. Të enjten zëvendës Sekretar i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë shkruante në Twitter se Shtëpia e Bardhë dhe Presidenti e kishin dënuar dhunën.
Zoti Schwarzenegger tha të dielën se ndërsa pas inaugurimit, zoti Trump mund të bëhet “i parëndësishëm, e të harrohet, ashtu si një postim i vjetër twitteri” ligjvënësit, të cilët ai i kritikoi si “pa shtyllë kurrizore”, duhet të vendosen përpara përgjegjësisë për veprimet e tyre dhe se sipas tij, duhet të miratohen ligje në mënyrë që ngjarje të tilla si ajo e 6 janarit, të mos përsëriten më, kurrë.
Zoti Schwarzenegger tregoi një histori të fëmijërisë së tij në Austri pas Luftës së Dytë Botërore, duke thënë se ai ishte rrethuar nga burra të shkatërruar, mes tyre dhe babai i tij, që deheshin për të harruar turpin e të qenit pjesë e “regjimit më të ligë” në histori.
Duke i krahasuar nazistët me anëtarët e grupit “Djemtë Krenarë”, një grup supremacistësh të bardhë që Qendra Juridike Jugore mbi Çështje të Varfërisë e quan një grup urrejtjeje, zoti Schwarzenegger vuri në dukje se shumë prej pjesëtarëve të komunitetit të tij, kur ai ishte fëmijë, nuk ishin “anti-semitë të tërbuar ose nazistë”.
“Shumë prej tyre thjesht u bënë pjesë e turmës, duke i ndjekur hap pas hapi ndërsa ata (nazistët) bënim përpara me synimet e tyre“, tha ai.
Në videon e shoqëruar me një sfond muzikor zoti Schwarzenegger shfaqet me “shpatën e Conan-it”, përdorur në një nga filmat e luajtur prej tij në vitit 1982 “Conan the Barbarian”, (Barbari Conan).
“Një shpatë sa më shumë ta punosh, duke e rrahur për të fituar elasticitet, aq më e fortë bëhet”, tha ai.
“Demokracia jonë është si çeliku i kësaj shpate, sa më shumë e punon, aq më e fortë bëhet. Demokracia jonë është përpunuar nga luftërat, padrejtësitë dhe kryengritjet“, tha ai.
“Unë besoj se, sado të tronditur të jemi nga ngjarjet e ditëve të fundit, ne do të dalim më të fortë sepse tashmë kemi kuptuar se çfarë mund të humbasim“, tha ish-guvernatori.
Në 2016-s zoti Schwarzenegger i shprehu hapur ambicient e tij presidenciale duke thënë se do të kishte kandiduar po të kishte lindur në Amerikë, një faktor që e skulifikon atë nga mundësia për të garuar për këtë post, pavarësisht shtetësisë amerikane.
Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë asnjë koment rreth videos së tij të publikuar të dielën në mbrëmje.
Komentet