Komisioni i Senatit amerikan për Çështjet e Zbulimit nisi një seri seancash lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të nëntorit. Në seanca do të shqyrtohet edhe ndonjë bashkëpunim i fshehtë me rusët nga ana e rrethit të brendshëm të presidentit Donald Trump.
Krerët e Komisionit kanë thënë se ndërhyrja e Rusisë në demokracinë amerikane do të dalë në shesh herët a vonë. Michael Bowman i Zërit të Amerikës njofton.
Në komentet e hapjes sot, numri dy i Komisionit, senatori Mark Warner i Virxhinias, akuzoi drejtpërdrejt Presidentin rus Vladimir Putin.
Ai tha se ishte pa dyshim presidenti Putin që dha urdhër për një fushatë të orkestruar me kujdes që synonte të minonte zgjedhjet e nëntorit të kaluar në Shtetet e Bashkuara.
Ndërkaq, dy krerët e Komisionit kanë demonstruar unitet pa dallime partiake për këtë hetim që ata thonë se do të ketë përmasa mjaft të gjera.
“Nëse e politizojmë procesin, ka mundësi të dështojmë”, u shpreh sot kryetari i Komisionit, republikani Richard Burr.
Bëhet fjalë për dokumente të shumta që duhen analizuar dhe njerëz që duhen intervistuar, duke përfshirë këshilltarë të zotit Trump dhe dhëndrrin e tij Jared Kushner, të cilët pranuan vullnetarisht të dëshmojnë.
“Hetimi do të shtrihet aty ku do ta çojnë informacionet e zbulimit,” thotë kryetari republikan i Komisionit, Burr.
“Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj,” pohoi numri dy i këtij Komisioni, Warner.
“Komisioni do të zhvillojë një intervistë me zotin Kushner, pasi të kemi vendosur për datën”, tha Senatori Burr.
As kryetari republikan dhe as numri i dy demokrat i Komisionit nuk bënë të ditur ndonjë përfundim të arritur deri tani, përveç qëllimeve të Rusisë.
“Qëllimi i Vladimir Putinit është një Amerikë më e dobët: më e dobët ekonomikisht, më e dobët globalisht. Ky duhet të jetë një shqetësim për të gjithë amerikanët pavarësisht nga përkatësia partiake,” thotë demokrati Mark Warner.
Deri tani, rolin kryesor në hetimet mbi Rusinë e kishte marrë Komisioni për Zbulimin i Dhomës së Përfaqësuesve. Por Komisioni i anuloi seancat dëgjimore për këtë javë, pas një stuhie kritikash në drejtim të kryetarit të tij republikan, Devin Nunez, i cili e informoi personalisht presidentin Trump rreth materialeve sekrete që kishte në dispozicion, para se ato t’i ndante me Komisionin.
Meqenëse Komisioni i Dhomës nuk po gjen një gjuhë të përbashkët, Komisioni i ngjashëm i Senatit është tani në qendër të vëmendjes. Senatori Burr pranoi se ka votuar për zotin Trump nëntorin e kaluar, por tha se përkatësia partiake nuk do të ndikojë në punën e tij.
Megjithatë, një numër në rritje demokratësh thonë se e vërteta e plotë ndoshta nuk do të dalë kurrë në shesh në komisionet e Kongresit që kontrollohen nga republikanët.
“Mendoj se duhet të jemi të hapur ndaj krijimit të një komisioni të pavarur jopartiak për të hetuar se çfarë ka ndodhur. Ne nuk duhet të lejojmë që presionet ose akuzat e pabaza politike të na pengojnë për të ndjekur faktet,” tha senatori demokrat Martin Heinrich.
Shtëpia e Bardhë është ankuar për një fushatë diskreditimi kundër ekipit të presidentit, por ka pranuar nevojën që hetimet të vazhdojnë.
“Ne duam që kjo të përfundojë, po aq sa edhe disa prej jush. Por ne e kuptojmë se gjërat duhet të kalojnë nëpër një proces,” thotë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.
Ky proces mund të ketë jehonë përtej Shteteve të Bashkuara. Senatori Burr tha se Rusia është “përfshirë aktivisht” në zgjedhjet e ardhshme të Francës.
Komentet