Në fjalimin e tij presidenti Trump i kushtoi një vëmendje të madhe reformimit të sistemit të emigracionit. Në Kongres, tema e emigracionit vazhdon të jetë thelbi i një debati të ndezur mes demokratëve dhe republikanëve.
Presidenti e prezanton reformën e tij si një plan që i shërben interesave më të mira të familjeve amerikane dhe punëtorëve amerikanë. Ai tha se Amerikës i duhet një sistem funksional emigracioni që nuk minon mirëqënien e amerikanëve dhe sigurinë e vendit e rendin në komuniteti.
Reformat e propozuara nga presidenti ndahen në katër shtylla ku veçohen politikat specifike. Në shtyllën e parë është statusi i rreth 2 milion të rinjve të sjellë në moshë të mitur ilegalisht në Amerikë.
Presidenti propozoi një rrugë drejt shtetësisë për ata individë që përmbushin standarde arsimimi dhe punësimi, një kompromis që ka zemëruar shumë përkrahës që e cilësojnë këtë politikë si amnisti për shkeljen e ligjit federal. Por me këtë lëshim, presidenti shpreson ta ketë më të lehtë arritjen e kompromisit me demokratët.
Fryma e përgjithshme e reformës së administratës është një emigracion që nuk dëmton, por ndihmon ekonominë amerikane, nuk cënon, por forcon sigurinë e vendit apo rendin në komunitete.
Presidenti kishte ftuar në sallën e Kongresit prindërit e dy vajzave të vogla të vrara brutalisht nga anëtarë të bandës MS-13.
Në sallë ishte i ftuar edhe një agjent i strukturave federale të anti-emigrancionit të paligjshëm, oficeri CJ. Administrata Trump e ka theksuar si përparësi të politikave të saj të brendshme luftën kundër rrjeteve kriminale që ai thotë se në shumë raste ushqehen nga elementë kriminalë që futen ilegalisht përmes kufirit. Presidenti kërkon nga Kongresi fondet për një barrierë mbrojtëse përgjatë kufirit me Meksikën:
“Kjo kërkon ndërtimin e një muri në kufirin jugor, kërkon punësimin e heronjve si CJ për të mbrojtur komunitetet tona. Ajo që ka rëndësi: plani ynë mbyll të çarat e tmerrshme që kanë shfrytëzuar kriminelët dhe terroristët për t’u futur në vendin tone, si dhe i jep fund praktikës së tmerrshme ‘kap e lësho’ (të elementëve kriminalë)”, tha Presidenti Trump.
Presidenti tha se politika të tilla ndihmojnë edhe mirëqënien e punëtorit amerikan, pasi ai thotë se emigrantët e pakualifikuar ushtrojnë presion negative mbi pagat, duke dëmtuar shanset e punësimit të amerikanëve.
Po në lidhje me ekonominë dhe aftësinë konkurruese të Amerikës, presidenti ka propozuar: eliminimin e lotarisë së vizave, duke e zëvendësuar atë me një sistem të bazuar tek meritat e aplikantit në raport me nevojat e tregut amerikan të punës. Plani i administratës parashikon ndryshime edhe në emigracionin familjar, apo emigracionin zinxhir, që u lejon emigrantëve të rinj të sjellin një rreth të gjerë të të afërmve pasi marrin shtetësinë. Presidenti ka propozuar një reduktim të këtij sistemi zinxhir.
Demokratët, në përgjigjen e tyre, nuk i kursyen kritikat edhe në lidhje me politikat e administratës lidhur me emigracionin. Ligjvënësi Joseph Kennedy III kishte zgjedhur si skenë nga ku mbajti fjalimin një qytet në Masaçusets, të ndërtuar nga emigrantë.
Ai iu drejtua emigrantëve me fjalët: ju jeni pjesë e historisë sonë; ne do të luftojmë për ju”. Ishte një fjalim që u përpoq të përcillte kredon amerikane, si një tokë e premtuar për të gjithë ata që vuajnë, që duan e që përpiqen për më shumë.
Por pavarësisht nga pathosi i fjalimit të ligjvënësit Kennedy, apo sa zymta apo të frikshme janë skenaret që prezantoi Presidenti Trump në fjalimin e tij, e që ai i lidhur me politikat aktuale të emigracionit, reforma do të kërkojë mendje të ftohta dhe një vullnet të mirë për të arritur kompromis.
Por do të kërkojë edhe punë intensive, pasi po afron afati i 8 shkurtit, dhe nëse nuk është arritur një marrëveshje brenda kësaj date, ka rrezik që të ketë një mbyllje tjetër të qeverisë federale.
Komentet