Kryebashkiaku i qytetit New York, Bill de Blasio, tha se kjo shifër paraqet më pak se 6 për qind të fuqisë punëtore të bashkisë të qytetit New York
Qyteti New York ka vendosur rreth 9 mijë punonjës në pushim pa pagesë pasi ata refuzuan të respektojnë urdhrin e qytetit për t’u vaksinuar kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryebashkiaku i qytetit New York, Bill de Blasio, tha se kjo shifër paraqet më pak se 6 për qind të fuqisë punëtore të bashkisë të qytetit New York.
De Blasio po ashtu njoftoi se rreth 12 mijë punonjës të tjerë të pa vaksinuar kanë aplikuar për përjashtim mjekësor dhe pritet të marrin vendimin përfundimtar në ditët e ardhshme. Ata mund të qëndrojnë në punë derisa të vlerësohen rastet e tyre.
“Kushdo që nuk e ka bërë deri më tani, ka ende një mundësi për ta rregulluar atë. Vaksinohuni, kthehuni në punë, sepse ne kemi nevojë që të gjithë të bëjnë punën e tyre dhe ne kemi nevojë që të gjithë të jenë të sigurt”, tha de Blasio.
Një pakicë e vogël e fuqisë punëtore e qytetit New York zëshëm ka kundërshtuar urdhrin për t’u vaksinuar dhe sindikata që përfaqëson zjarrfikësit e qytetit ngriti alarmin se mund të rrezikohet siguria publike në qytetin më të madh të SHBA-së.
Megjithatë, de Blasio tha se nuk ka pasur asnjë shtëpi zjarrfikëse që është mbyllur dhe koha e përgjigjes mbetet “normale” për zjarrfikësit dhe policinë.
Por ai paralajmëroi se një numër jashtëzakonisht i lartë i punonjësve “pretendojnë se janë të sëmurë dhe nuk janë”, gjë që kërcënon veprime të mundshme ligjore.
“Nuk është e pranueshme. Gjëja që duhet bërë është të vini në punë, të mbroni njerëzit siç jeni betuar për ta bërë. Dhe shikoni, kjo është diçka që ne nuk e tolerojmë. Në fund të fundit, kur njerëzit bëjnë këtë lloj gjëje, ka pasoja”, tha de Blasio.
Komentet