Sacha Johnson ka mbi pesë vite e gjysëm që kërkon për thesarin e fshehur, gjoja të groposur në Malet Rosky nga koleksionisti dhe sipërmarrësi Ferrest Fenn.
“Sipas përllogaritjeve të mia kam mbi 300 herë që kam kërkuar për thesarin.”
Këtu shtrihet kampi i Kanionit të Zi në veri të qytetit të Santa Fe-së në shtetin e Nju Meksikos.
“Kjo është pika e nisjes”, thotë zonja Johnson.
Nëse është e vërtetë, thesari mund të jetë mes kësaj hapësire dhe shtetit të Montanës. Por çfarë e shtynë atë dhe të tjerët si ajo që të përpiqen kaq shumë?
“Jam bërë një me natyrën dhe kam zbuluar një eksperiencë të dobishme, pra kjo më shtyn. Por nga ana tjetër kemi bërë përparime në deshifrimin e të dhënave nga poezia e autorit Forest Fenn”.
Zoti Fenn thotë se mbushi arkën e thesarit me gurë të çmuar, flori dhe xhevahire dhe se shkroi poezinë duke ofruar të dhëna pasi u diagnostikua me kancer në vitin 1988.
“Nëse do vdisja, doja t’u jepja njerëzve të njëjtat mundësi që kam patur vetë.”
Ai e mundi kancerin dhe mbajti në zotërim arkën e thesarit deri në vitin 2010, kur Amerika vuante pasojat e recesionit .
“Doja t’u jepja njerëzve shpresë. Ndoshta është një qyp me florinjë në fund të rrugëtimit tënd, nëse del dhe e kërkon.”
Ai thotë se ishte 79 vjeç kur e fshehu thesarin.
“Nuk është në një vend të rrezikshëm.”
Në shtëpinë e tij në Santa Fe, Fenn është i rrethuar nga koleksione arti të grumbulluara gjatë jetës së tij. Një ciceron peshkimi që në moshën 9
vjeçare në “Yellowstone”, Fenn pati një jetë të jashtëzakonshme, sikurse edhe thesari i tij. Ai është një pilot luftarak i dekoruar i cili doli vullnetar për luftën në Vietnam. Ai thotë se kreu qindra misione luftarake dhe i shpëtoi vdekjes disa herë.
“Jam rrëzuar me aeroplan pesë apo gjashtë herë. Jam rrëzuar nga zjarri armik dhe jam hedhur me parashutë në Laos.”
Ai ruan një kujtim nga aeroplani i rrëzuar. Ai e konsideron veten si njeri të momenteve vendimtare. Thesari flet shumë për të, thotë argjendari Marc Howard.
“Kjo është trashgimia e tij.”
Marc Howard ka një miqësi mbi 25 vjeçare me zotin Fenn. Edhe ai ka mbi 9 vite që kërkon thesarin e fshehur.
“Jam argjendar. Do të doja të kisha një furnizim me flornjë, që nuk do të më duhej të paguaja 1,500 dollarë për 30 gramë.”
Por mungesa e një prove të qartë për vendndodhjen e thesarit dhe mundësinë e gjetjes vë në dyshim ekzistencën e tij.
“Kam folur me disa njerëz që e kanë parë thesarin kur Fenn e mbante në kasafortë para se ta fshihte”, thotë zoti Howard.
Gjurmimi i thesarit ka bërë që turizmi të rritet shumë në Santa Fe.
“Bashkia më vlerësoi me një çertifikatë sepse për dy vite rrjesh u shtua me 6 për qind hoteleria në Sanata Fe dhe askush nuk e di se përse”, thotë Fenn.
Por kjo prirje ka shkaktuar edhe viktima.
“Do t’u kërkoja njerëzve që të dinë se ku shkojnë dhe të njoftojnë njerëzit e tyre. Malet janë të ashpëra për ata që nuk i vlerësojnë rreziqet që paraqet natyra.”
Por a beson Fenn se njerëzit janë pranë gjetjes së thesarit?
“Është e mundur që thesari të gjendet këtë pasdite, ose mund të kalojnë 100 apo 500 vite, ku i dihet.”
Zonja Johnston nuk dorëzohet.
“Nuk kam nevojë që njerëzit e tjerë të besojnë se Fenn fshehu një thesar. Më duhet besimi tek vetja sepse sa herë dal të kërkoj kam të njëjtën ndjesi dhe gjallëri. Ndjehem mirë në kërkim të thesarit, madje edhe nëse nuk gjendet aty.”
Komentet