Mbi tetë muaj pasi u propozua fillimisht për të udhëhequr punën e zbulimit të agjensive amerikane, Ligjvënësi John Ratcliffe u premtoi në mënyrë të përsëritur ligjvënësve skeptikë se do të braktisë politikat partiake dhe do t’i ofrojë presidentit dhe hartuesve kryesorë të politikave “të vërtetën e palustruar”.
“Ajo çfarë dikush dëshiron të reflektohet në të dhënat e zbulimit nuk do të ndikojë në të dhënat që do të jap unë“, u tha teksani republikan kolegëve të tij, për mënyrën se si do të veprojë nëse konfirmohet në detyrën e drejtorit të zbulimit kombëtar. “Nuk do të errësohet për askënd“.
Rrugëtimi i tij ka qenë i pazakontë deri kur mbërriti të martën në seancën dëgjimore në Komisionin e Senatit për Zbulimin, në një sallë pothuajse të boshatisur për shkak të shqetësimeve për pandeminë e koronavirusit.
Një mbështetës i zellshëm i Presidentit Donald Trump, Ligjvënësi Ratcliffe u detyrua fillimisht ta tërheqë emrin e tij nga shqyrtimi në gusht të vitit të kaluar, pasi ligjvënës republikanë dhe demokratë ngritën pikëpyetje rreth pretendimeve se kishte fryrë arritjet e tij kundër terrorizmit, kur kishte qenë prokuror federal.
Të tjerë përmendën mungesën e eksperiencës me agjensitë amerikane të zbulimit, duke vënë në dukje se lidhja e tij më e dukshme ishte si anëtar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, një rol që e pati luajtur për vetëm një vit.
Megjithatë, Presidenti Trump e emëroi zotin Ratcliffe sërish në shkurt, duke e quajtur “një burrë të jashtëzakonshëm me talent të madh!”.
Në deklaratën e tij çelëse, zoti Ratcliffe u tha ligjvënësve se megjithë të kaluarën e tij politike, nëse ai do të konfirmohej si drejtor i zbulimit kombëtar, ai do të përpiqej të bëhej “një forcë stabilizuese” për agjensitë amerikane të zbulimit ndërsa do t’i mbronte ato nga çfarëdolloj testi politik.
“Keni zotimin tim për të sjellë materiale të zbulimit në kohën e duhur, me saktësi dhe objektivitet, për t’i thënë të vërtetën pushtetit, qoftë Kongresit apo ekzekutivit”, tha ai.
Zoti Ratcliffe u mundua gjithashtu të distancohej nga komentet e Presidentit Trump në korrik të vitit të kaluar, kur ai tha se komunitetit të zbulimit i duhet dikush “për të vendosur nën kontroll” agjensitë që “janë tërbuar”.
“Unë nuk jam shprehur kurrë kështu”, tha zoti Ratcliffe, duke shtuar se shpreson që deklarata të tilla nuk do të ndikojnë tek morali i punonjësve.
Kina dhe COVID-19 prioritet
Zoti Ratcliffe u tha ligjvënësve se nëse do të konfirmohej në këtë detyrë, prioriteti i tij kryesor do të ishte Kina dhe pandemia e koronavirusit.
Presidenti Trump dhe një numër zyrtarësh të tjerë të lartë të administratës kanë thënë se ekziston evidencë në rritje se virusit COVID-19 u përhap nga një laborator kinez në Wuhan, ku u raportuan rastet e para, megjithëse zyrtarë amerikanë të zbulimit kanë thënë publikisht se virusi nuk ishte një prodhim i njeriut.
“Komuniteti i zbulimit do të fokusohet maksimalisht në marrjen e të gjitha përgjigjeve që mundemi në lidhje me atë se si ndodhi, kur ndodhi kjo”, tha Ratcliffe. “Populli amerikan meriton përgjigje.”
Megjithë vlerësimet e republikanëve të komisionit, përfshirë kryetarin, senatorin Richard Burr, zoti Ratcliffe u kritikua nga demokratët, të cilët thonë se megjithëse ai kishte dhënë përgjigje për më shumë se 100 pyetje para seancës dëgjimore, ai nuk kishte arritur të lehtësonte shqetësimet e tyre.
“Unë do të flas qartë. Ende kam disa prej të njëjtat dyshimeve tani, siç kisha në gusht”, tha nënkryetari i Komisionit të Zbulimit të Senatit Mark Warner, megjithëse ai gjithashtu tha se ai ishte i gatshëm t’i jepte zotit Ratcliffe edhe një shans.
Ndërhyrja e Rusisë
Një nga shqetësimet më të mëdha për zotin Warner dhe ligjvënësit e tjerë, ka qenë reagimi i administratës Trump ndaj konkluzioneve të komunitetit të shërbimeve të zbulimit se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, me synimin kryesor për të ndihmuar kandidatin e atëhershëm Trump.
Një raport dypartiak i botuar muajin e kaluar nga Komisioni i Senatit për Zbulimin konfirmoi gjetjet fillestare, duke i quajtur konkluzionet “të qëndrueshme”.
Zoti Ratcliffe tha se nuk mundet të mbështesë plotësisht konkluzionin e komunitetit të zbulimit, duke përmendur një raport të vitit 2018 nga Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve ku ngre pikëpyetje mbi përfundimin se Rusia u përpoq të ndihmojë në fitoren e zotit Trump.
“Nuk jam njohur me të dhënat mbështetëse të zbulimit që të kuptoj përse ka një diferencë opinionesh mes dy komisioneve”, tha zoti Ratcliffe.
Të tjerë senatorë demokratë e pyetën zoti Ratcliffe për çështjen e mbrojtjes së informatorëve nga brenda komunitetit të zbulimit. Senatorja Diane Feinstein e akuzoi zotin Ratcliffe se ishte “pjesë e fushatës së Presidentit Trump për të ndëshkuar dhe diskredituar” informatorin e CIA-s, në bazë të ankesës së të cilit u vendos në lëvizje procesi i hetimit për shkarkimit.
Komentet