Prokurori i Posaçëm Robert Mueller ka përfunduar hetimin e tij thuajse dyvjeçar rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016 dhe rreth një bashkëpunim të mundshëm të fshehtë të fushatës Trump me Rusinë.
Departamenti i Drejtësisë njoftoi se zoti Mueller i dorëzoi të premten raportin e tij përfundimtar kreut të këtij departamenti, Prokurorit të Përgjithshëm William Barr, i cili po e shqyrton.
Raporti i zotit Mueller, ende konfidencial, pritet të shndërrohet në një arenë për beteja të ashpra publike që do të vijojnë.
Hapat e ardhshëm që mund të ndërmerren pas dorëzimit të raportit të shumëpritur do të varen tani nga Prokurori i Përgjithshëm Barr, nga Kongresi dhe, me shumë gjasë, gjykatat federale.
Nuk është e qartë se sa pjesë të raportit do t’i vihen në dispozicion publikut ose do t’i jepen Kongresit. Zoti Barr ka thënë se do të hartojë raportin e tij ku do të përmbledhë faktet e gjetura nga zoti Mueller.
Hetimi i zotit Mueller ka hedhur hije mbi presidencën Trump dhe ka rezultuar në akuza kriminale kundër 34 personave, duke përfshirë gjashtë vetë që shërbenin në ekipin e fushatës së zotit Trump.
TRUMP: RAPORTI LE TË BËHET PUBLIK
Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se raporti përfundimtar i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller duhet të bëhet publik.
Por presidenti ai përsëri vuri në pikëpyeti bazat për hetimin, gjatë të cilit është shqyrtuar gjithashtu nëse vetë presidenti e ka penguar atë.
“Nëse doni që publiku ta shoh raportin, le ta shohin,” u tha presidenti Trump gazetarëve.
Presidenti Trump vuri në pikëpyetje se si prokurori Mueller – një njeri ” i cili kurrë nuk ka marr asnjë votë” – mund ta hetojë atë, duke pasur parasysh fitoren e tij në zgjedhjet e vitit 2016.
Presidenti Trump e ka quajtur në mënyrë të përsëritur hetimin e prokurorit Mueller një “gjueti të paligjshme shtrigash” gjatë dy viteve të fundit dhe e ka etiketuar ekipin e tij të hetuesve politikisht të njëanshëm.
Ndërsa prokurori Mueller ka lënë pak të kuptohet për mënyrën se si ai e sheh presidentin Trump dhe familjen e tij, si objektiva të mundshëm të hetimit, presidenti dhe Shtëpia e Bardhë kanë shtuar fushatën e tyre politike për të minuar legjitimitetin e hetimit.
“Asnjë bashkëpunim, nuk ka patur asnjë bashkëpunim”, deklaroi presidenti Trump të mërkurën.
“Ishte fitorja më të madhe elektorale në historinë e vendit tonë, një nga më të mëdhatë,” tha ai. “Ishte një sukses i madh, dhjetëra miliona votues .Tani dikush do të shkruajë një raport, dhe ai kurrë nuk mori asnjë votë.
“Do të shohim se çfarë thotë raporti. Le të shohim nëse është e drejtë.”
Komentet