Ardian Murraj: E Hëna e tretë e muajit Shkurt në SHBA njihet si “Dita e Presidentëve” dhe është një festë zyrtare kombëtare. Nga njohja juaj kur u vendos ajo dhe çfarë i bën kjo ditë bashkëkombasit të mendojnë dhe mënyrën se si ta kujtojnë dhe ta festojnë atë?
Aristotel Mici: – “Dita e Presidentëve” në Amerikë ka filluar të festohet që nga viti 1885 dhe është vendosur e Hëna e tretë e Shkurtit që koincidon me datëlindjet e dy persidentëve të mëdhenj të Amerikës. E presidentit George Washington (22 Shkurti) dhe Abraham Lincoln (12 Shkurti) dhe midis këtyre dy datave zgjidhet dita e Hënë si Dita e Presidentëve. Kjo është festë në mbarë Amerikën dhe një ditë simbolike sepse të gjithë presidentët e e zgjedhur nga populli dhe përfaqësojnë vullnetin dhe sovranitetin e popullit.
Ardian Murraj: – Ju e nisët si një referat gati 12 vjet më parë këtë temë dhe më pas arritët të botonit një libër. Pra në këtë kërkim arkivor materialesh dhe kurreshtar që keni grumbulluar si mund t’i ndani ato si elementë dhe të dhëna të shkencës së historisë për njohje?
Aristotel Mici: – Lidhur me “Ditën e Presidentit”, unë kisha disa ngacmime të karakterit shkollor dhe historik për të njohur më shumë vendin dhe për të qenë qytetar të Amerikës me një lloj formimi për vendin ku jetojmë. Kështu nga leksionet e dëgjuara dhe librat e lexuar arrita të konceptoj disa nga personalitetet e mëdha të historisë së Amerikës dhe të zgjedh katër presidentët për të cilët mblodha materialet dhe botova librin “Presidentët Amerikanë në Monumentin e Malit Rushmore”, ku jepen katër portrete presidentësh. Kjo nuk është një zgjedhje e imja, por është zgjedhja e vetë popullit amerikan, artistëve amerikanë dhe ndërgjegjja e historisë amerikane bëri që këta te katër presidentë të lartësohen ne një monument madhështor, ndoshta më i larti në botë në shtetin e South Dakota-s, në një mal 1745 metra të lartë. Atje ngrihen portretet e katër presidentëve ku sejcili prej tyre ka një bust me lartësi 18 metra. Karakteristike për t’u treguar është se mali ku janë gdhendur ata është prej graniti që nuk dëmtohet nga rreshjet dhe errozioni, dielli dhe era. Skulptori i njohur Gutzon Borglum (me një grup prej 400 gur gdhendësish punoi nga viti 1927-1941). Presidenti i kohës Calvin Coolidge e cilësoi këtë vepër si një vend të shenjtë dhe altar. Ky vend vizitohet nga miliona njerëz amerikanë dhe nga vende të tjera të botës. Vizita atje të njeh me katër kolona të historisë së SHBA-së . Presidentin (1-rë) George Washington (1732-1799) që sa ishte gjallë u quajt “Ati i kombit të vet”. Presidenti (3-të) Thomas Jefferson (1743-1826) që ishte autori i Deklaratës së Pavarësisë. Presidenti (16-të) Abraham Lincoln (1809-1865) i cili shpëtoi unionin e 50 shteteve nga përçarja dhe shkëputja. Presidenti (26-të) Theodore Roosevelt (1858-1919) një nga reformatorët e Amerikës i cili deklaroi se SHBA nuk është vetëm një fuqi kontinentale, por është një fuqi botërore.
Në vijim shkrimi i studiuesit Aristotel Mici
Presidenti Washington dhe Revolucioni Amerikan
Portret historik
Për gjithë meritat e tij prej strategu, ligjvënësi, dhe udhëheqësi vizionar, Presidenti Washington u quajt që me gjalljen e tij “Ati i kombit të vet”.
George Washington, Presidenti i parë i Amerikës, lindi më 22 shkurt të vitit 1732 në Mount Vernon, të Virginia-s. Prindërit e tij qenë latifondistë të pasur që zotëronin plantacione të gjëra tokash. Kur ishte njëmbëdhjetë vjeç i vdiq i ati . Atëherë ai u mbështet për ecurinë e tij mësimore dhe edukative tek i vëllai i madh (nga babai), Laurenci, i cili ishte një oficer i kulturuar. George Washingtoni e kishte figurë ideale të vëllanë dhe e imitonte atë; ndiqte këshillat dhe mësimet e tij. Ai ishte krenar për të. Washingtoni e kishte shpresë të vëllanë, po ai nuk ishte mirë me shëndet se vuante nga tuberkulozi. Kur Laurenci do të shkonte në ishullin Barbados (zona e Karaibeve) për kurim klimatik, me 1751, Washingtoni e shoqëroi atë, duke shpresuar ashtu se klima e ngrohtë do t`ia përmirësonte shëndetin. Po nuk qe fat. Laurenci vdiq një vit më vonë, me 1752. Mbas kësaj ngjarjeje të hidhur mbështetja kryesore e djaloshit të ri, do të bëhej e ëma. Mary Washington, që ishte një grua autoritare dhe serioze. Kur Washingtoni deshte të shkonte në shkollën e Marinës, ajo nuk ia aprovoi atë dëshirë. Dhe më vonë, kur i biri, ëndërronte për të vajtur për studime në Angli, ajo përsëri u bë pengesë, duke i kujtuar fermën që duhej të administronte. Sidoqoftë ai e bëri një shkollë. George Washingtoni ndoqi një kurs special në kolegjin shumë të njohur për atë kohë “William and Mary”, që ndodhej në Williamsburg të Virginias. Atje, në atë kolegj ai u diplomua si topograf dhe kontrollor tokash. Ndërkohë, qysh në rininë e parë, Washingtoni po dallohej edhe për aftësitë ushtarake. Në moshën njëzet e një vjeçare ai fitoi gradën e majorit. Në praktikën e përditshme Washingtoni po dukej gjithnjë e më shumë si një ushtarak i talentuar. Guvernatori i Virginias, i cili i kishte parë prirjet e tij , të shkathta prej oficeri, e thirri dhe i tha se do ta bënte komandant të ushtrisë për gjithë Virginian. George Washington e pranoi atë detyrë. Ishte viti 1755. Atëherë ai ishte vetëm 23 vjeç.
Më 1758 Washington-i njihet me një vejushe të re, Martha Kustis. Ajo ishte 25 vjeçe dhe kishte dy fëmijë. Washingtoni ra në dashuri dhe u martua me të.
Në atë kohë, në mes të shekullit XVIII, Anglia kishte 13 koloni në Amerikën e Veriut. Njerëzit që jetonin nëper koloni quheshin kolonistë. Ata përgjithesisht ishin me origjinë angleze, irlandeze, holandeze, por kishte edhe nga nacionalitete të tjera.
Qeveritarët anglezë i detyronin kolonistët (banorët e kolonive) të paguanin taksa të ndryshme. Ndërkohë kolonistët nuk kishin përfaqësitë e tyre në qeverisjen e vendit. Kjo ishte një padrejtësi që kolonistët nuk po e duronin dot më. Mbreti i Anglisë, George i Tretë, nuk po i merrte parasysh kërkesat e kolonistëve. Ai qe i vendosur që kolonistët t`i bindeshin dhe të paguanin taksa vazhdimisht pa kundërshtim. Populli i të 13 Kolonive Britanike po zjente atëherë nga shpirti i revoltës kundër sundimit shfrytëzues të Mbrtërsë së Anglisë. Gjithë banorët e kolonive po përqafonin gjithnjë e më shumë sloganin: “No taxation Without Representatives”, që do të thoshte “jo taksa pa përfaqësuesit tanë”. (No taxation without representation. Jo taksim pa përfaqësim)
Ndërkohë, pas Paqes së Parisit të vitit 1763, në banorët e kolonive qe zgjuar edhe ndjenja e kombëtarisë. Kolonistët kishin filluar ta quanin veten jo “englezë”, po “englezo-amerikanë”, ose vetëm amerikanë. Ishte koha kur qenë krijuar organizatat patriotike si “The sons of Liberty” dhe “Daughter of Liberty”, kur po dalloheshin mendimtarë e aktivistë të shquar si George Washingtoni, Patrik Henry, Samuel Adams, John Adams, ThomasJefferson e të tjerë. Në këtë kohë Patrick Henry do të deklaronte trimërisht në sallën e përfaqësuesve të Virginias: “Give me liberty or give me the death” (më jep lirinë, ose më jep vdekjen), e thënë shkurt shqip, thirrje për “Liri a vdekje”.
Nga dita në ditë atmosfera revolucionare po bëhej gjithnjë e më shpërthyese në të gjitha kolonitë Britanike të Amerikës së Veriut. Shenja e parë e rëndësishme e stuhisë revolucionare ishte Masakra e Bostonit, më 5 Mars,1770. Këtë ditë mijëra bostonianë dolën në revoltë popullore kundër sundueve anglezë. Ata ecnin duke hedhur parulla protestuese. Ushtarët britanikë, të pazotë për ta frenuar turmën e revoltuar, hapën zjarr mbi popull. Nga të shtënat u vranë pesë protestues dhe u plagosën me dhjetra të tjerë Kjo ngjarje e përgjakshme bëri bujë dhe jehona e saj u ndje në të gjitha kolonitë. Masakra e Bostonit u bë preludi i Revolucionit Amerikan.
Me këte rast duhet të kujtojmë se ushtarët që qëlluan me armë zjarri mbi demonstruesit, si edhe ata që dhanë urdhërin, u akuzuan dhe dolën para gjyqit. Qeveria nuk ndërhyri te gjyqësori për këtë çështje; dhe e treta gjë, që mbahet mend, është se avokati mbrojtës për të pandehurit, do të ishte John Adams, një nga ideatorët e Revolucionit Amerikan, i cili do të zgjidhej pas Washington-it, Presidenti i Dytë i Amerikës.
Tre vjet më vonë, më 16 Dhjetor, 1973, një grup patriotësh, të maskuar me veshje si indianë indigjenë, u futën në anijet e ngarkuara me pako të mëdha çaji, të cilat i hodhën në det në gjirin e Bostonit . Për këtë aksion patriotik antiqeveritar, juristi John Adams, do të shprehej: “This is the most magnificent movement of all”. (Kjo është lëvizja më madhështore nga të gjithat).
Pastaj, pas dy vjetësh, në Prill 1775, shpërtheu beteja e Lexington-it, që u bë fillimi i pandalshëm i revolucionit Amerikan që po ndizej në të gjitha kolonitë Britanike.
Atëherë, në këto rrethana revolte dhe proteste masive, u mblodh në fshehtësi dhe në mënyrë shumë sekrete Kongresi Kontinental Amerikan, që filloi më 5 shtator 1774. Ky kongrese qysh në mbledhjen e tij të parë diskutoi për çështjen e pavarësisë së kolonive, por ende nuk vendosi të shpallte menjëherë luftë për independencë. Megjithatë, kjo luftë dukej se ishte e pashmangshme. Kolonistët tashmë e dinin se nuk kishin ç`të prisnin më nga Anglia.
Në mbledhjen e tij të dytë, më 15 Qershor 1775, Kongresi Amerikan, duke shqyrtuar për organizimin dhe drejtimin e një ushtrie, që të përballonte luftën me Mbretërinë e Anglisë, vendosi që të zgjidhte edhe komandantin e përgjithshëm të kësaj ushtrie. Kongresi aprovoi propozimin e juristit të njohur, John Adams, i cili sugjeroi që George Washingtoni të emërohej komandant i përgjithshëm i ushtrisë Amerikane. Këtë detyrë ai e filloi më 2 korrik 1775 në shtetin e Massachusettsit. Që këtej Washingtoni do të niste marrshimin e tij triumfal për Pavarësinë e Amerikës. Do të ishte ky komandanti i famshëm, që si një strateg i talentuar, që njihte artin ushtarak të kohës, do të udhehiqte ushtrinë e Revolucionit Amerikan në tërë ato beteja fitimtare.
Pas gati një vit luftimesh, që nga koha kur George Washingtoni mori detyrën e kryekomandantit, Kongresi Amerikan më 4 Korrik 1776, do të shpallte Deklaratën e Pavarësisë. Ky lajm i shumëpritur u bë publik në sheshin para godinës shtetërore të Filadelfias më datën 8 korrik. Atë ditë Korriku një kambanë e madhe buçiti. (The Big Bell rang). Ajo kambanë, që peshon 943-kilogram, e ka gjuhëzën e saj prej me shumë se 22 kilogram. Me buçitjet e saj kambana mblodhi në shesh me dhjetra e mijëra njerëz për të dëgjuar fjalët e Deklaratës së Pavarësisë. Ideatori dhe hartuesi kryesor i kësaj Deklarate ishte Thomas Jefferson, i cili u quajt “Ati i Deklaratës se Pavarësisë”
Firmëtari i parë i këtij dokumenti historik qe presidenti i Kongresit Kontinental, John Hancock, i cili e shkroi emrin e vet me shkronja të zmadhuara, duke thënë: “I guess King George will be able to read that” (“Unë e marr me mend se mbreti George do të arrijë ta lexoj këtë”).
Në pjesën e parë Deklarata konfirmonte se njerëzit janë të barabartë para ligjit. Në pjesën e dytë flitet për qëndrimin kritik ndaj mbretit të Anglisë, George i Tretë, i cili pat abuzuar me pushtetin dhe se kolonistët kishin të drejtë të rebeloheshin ndaj regjimit të tij. Dhe, në pjesën e tretë të këtij dokumenti historik deklarohej se kolonitë Britanike shpalleshin tani e përgjithëmonë “The United States of America” (Shtetet e Bashkuara të Amerikës)
I mbështetur në parimet e Deklaratës së Pavarësisë, George Washington-i do të udhëhiqte me trimëri e zgjuarsinë e një strategu të vërtetë ushtrinë revolucionare të Amerikës në sa e sa beteja të përgjakshme, duke nisur që nga beteja famshme e Saratogës, te Long Island, Princeton, Trenton e deri te beteja e Yorktown-it, më 19 Tetor 1781. Këtë ditë gjenerali anglez Lord Cornwallis me gjithë ushtrinë e tij prej 7,200 trupash iu dorëzua Komandës së Gjeneral Washington-it. Dy ditë pas kësaj ngjarjeje banda e ushtrisë britanike do të këndonte këngën:
“The World turned upside down” që do të thotë se bota u kthye përmbys.
Me këtë betejë do të mbyllej epopeja heroike e popullit Amerikan për pavarësi.
Kështu në kontinentin e Amerikës së Veriut u krijua një shtet i ri, dhe një komb i ri.
Ky shtet i ri do të njihej botërish, mbas shtatë vjet luftimesh, prej të gjitha vendeve, më datën 3 shtator, 1783, në bazë të vendimeve të Traktatit të Paqes, që u mbajt në Paris midis Mbretërisë së Anglisë dhe ShBA-së.
Revolucioni Amerikan doli vërtetë fitimtar, por vendi nuk po qeverisej ende nga një kushtetutë e kompletuar. Në të vërtetë të trembëdhjetë Shtetet e Amerikës qenë marrë vesh që të administroheshin nga një dokument i titulluar “Artikuj të Konfederatës” (The Articles of Confederation), që ishin në thelb vazhdimi i orientimeve të Kongresit të Dytë Kontinental.
Koha po kërkonte që Amerika të udhëhiqej nga një kushtetutë më e studjuar. Revolucionarët amerikanë progresivë e dinin që fitorja kundër anglezeve ishte vetëm fillimi. Ruajtja e fitores dhe forcimi i pushtetit qendror ishin shumë të rëndësishme. Lidhur me këtë problem midis ligjvënësve amerikanë lindi një debat i ashpër. Ishin krijuar dy grupe. Ata që kërkonin forcimin e pushtetit qendror, pra, qevrinë e gjithë kombit, quheshin Federalistë. Midis tyre ishin Washington-i, Hamilton-i, Medison-i, James Willson.
Aleksandër Hamilton, që kishte punuar për një kohë të gjatë si sekretar personal i Washington-it, e shprehte hapur mospëlqimin e tij për “Artikujt e Konfederatës”. “Kombi, shkruante ai, është si një i sëmurë, dhe që të shërohet do një ilaç të fortë dhe ky ilaç qartësonte ai, është një qeverisje e fortë nacionale”. Kurse ata që nuk donin një qeveri të fortë nacionale, por një qeveri të fortë të shteteve të veçanta, u quajtën Antifederalistë. Këta të fundit nuk e donin një qeveri qendrore federative të fortë, sepse, sipas tyre, një qeveri e tillë fuqiplotë do të zëvendësonte tiraninë britanike me një tjetër qeveri të fuqishme. Midis opzitarëve antifederalistë, që nuk donin ratifikimin e kushtetutës ishte edhe revolucionari ardent i orëve të para të Revolucionit Amerikan, Patrick Henry, që arsyetonte se kështu me një qeveri qendrore të fortë “presidenti bëhet një zyrtar shumë i lartë, i cili fare lehtësisht kthehet në mbret”. Pra, midis 13 Shteteve të Bashkuara të Amerikës egzistonte një konfuzion politik përsa i përkiste administrimit shtetëror.
Në një atmosferë të tillë plot me debate dhe kundërshtime të ndërsjellta, në verën e vitit 1787 mblidhet në Filadelfia Konventa Konstitucionale. Delegati brilant i kësaj konvente do të ishte Xhejmes Medison… Ai ishte më i riu , por më i përgatituri, më i kulturuari, më profesionali për gjithë çështjet konstitucionale. Ai do të ishte hartuesi kryesor i kushtetutës së re Amerikane, prandaj do të quhej nga të gjithë si “Ati i Kushtetutës”.
Megjithë mesazhet dhe informacionet juridike që jepte me shumë mençuri Medison-i, mosmarrëveshjet nuk qenë sheshuar. Më në fund, delegati i shtetit Konektikat Roger Sherman propozoi kompromisin e tij të famshëm, që gjeti konsensus nga shumica. Në bazë të ketij kompromisi gjithë shtetet do të përfaqësoheshin në kongrese në mënyrë të barabartë, duke pasur në Senat nga dy senatorë secili, kurse popujt e shteteve do të zgjidhnin përfaqësuesit e tyre për në Dhomën e Përfaqësuesve të popullit sipas sasisë së banorëve në mënyrë proporcionale.
Si përfundim, pas shumë debatesh dhe polemikash Kushtetuta qe hartuar dhe më 17 shtator të vitit 1787 ishte gati për t`u firmosur nga delegatët e pranishëm të shteteve. Shteti i Delaware-it e firmosi i pari Kushtetutën e re, më 7 dhjetor 1787. Të fundit e firmosën delegatët e shtetit Rhode Island, në Majin e vitit 1790.
***
Ishte e qartë për të gjithë se figura qendrore në Amerikë si gjatë Revolucionit, dhe në vitet pas tij, qe ajo e George Washington-it. Ai e kishte fituar dashurinë e popullit me trimërinë, zgjuarsinë dhe modestinë e tij. Pse e themi edhe me modestinë e tij? Së pari këtë anë të figurës së tij e tregojnë biografët: kur Kongresi Kontinental Amerikan e propozoi Washington-in si komandant të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, ai me modesti u deklaroi të pranishmeve: “Unë nuk e ndjej veten të zot për detyrën e komandantit”. Por Kongresi ishte i vendosur që atë funksion do t`ia besonte vetëm atij. Atëherë, me sinqeritetin e tij Washingtoni iu drejtua përsëri Kongresit, duke pohuar se po e pranonte detyrën e komandantit të përgjithshëm, po nuk pranonte të paguhej për atë shërbim në ushtrinë e revolucionit.
Një vit para se të përfundonte lufta kundër kolonizatorëve britanikë, një kolonel i ushtrisë së tij tha midis të tjerave:” Amerika e çliruar duhet të bëhet monarki me Washington-in mbret”. Ndërsa Washington-i i dha atij me një herë një përgjigje kundërshtuese: “………ju kurrë nuk mund të gjeni një person tjetër më mos pranues se sa unë për këtë ide”.
Washingtoni kishte fituar admirimin e gjithë popullit amerikan. Një gjeneral, bashkëluftëtar i kohës së tij, ka shkruar në kujtimet e e veta se “George Washington-i ishte i pari në luftë, i pari në kohë paqeje, i pari edhe në zemrat e bashkëqytetarëve”. Mirëpo siç thonë biografët, pas mbarimit të luftimeve Washington-i e ndjente veten të lodhur dhe nuk kishte synime për të marrë përsipër detyra të larta shtetërore. Diku në biografinë e tij shkruhet se kur ikën ushtarët e fundit anglezë nga Amerika dhe vendi qe çliruar përfundimisht nga sundimi i mbretit të Anglisë, Washington-i u tha bashkëluftëtarëve në një mbledhje të posaçme: “Ju e shikoni se si më janë bërë gri flokët nga thinjat në luftime. Shikimi më është dobësuar. Tani unë jam duke e zbritur kodrën, jam 52 vjeç. Tani unë dua të shkoj në shtëpinë time”. Deshte të çlodhej. Dhe vërtetë ai vajti në shtëpinë e tij, në Mount Vernon, në fermën e vet, ku e priste familja. Po nuk kishin kaluar dhe aq shumë ditë që kur Washington-i, pat mbrrijtur atje, kur i vjen pa pritur një letër nga shokët e tij prej Philadelphia-s.
“ Lexoma, ti Martha,” i tha së shoqes.
“Shokët e tu janë mbledhur për të bërë ligjet në një kuvend, po ata të kërkojnë ty që të jesh në krye – foli Martha duke lexuar letrën me kujdes.
“Unë kam nevojë të rri këtu në fermë”, tha ai sapo dëgjoi ato fjalë të Marthës.
“Ndërsa vendi ka nevojë për ty” ia ktheu ajo, duke buzëqeshur. Atëherë Washingtoni mori rrugën ende i paqetësuar, dhe shkoi në mbledhjen e Philadelphia-s. ku delegatët e zgjodhën President të Konventës Konstitucionale.
Për meritat e tij të larta gjatë luftës si gjeneral i shkëlqyer si edhe për përkushtimin ndaj popullit, Kongresi e zgjodhi Washington-in në mënyrë unanime Presidentin e Parë të ShBA-së më 30 Prill të vitit 1789. Washington-i qe futur thellë në zemrën e popullit, qe bërë pjesë e ndërgjegjes së popullit dhe kombit të ri Amerikan. Ai u zgjodh president edhe për katër vjetet e legjislaturës se dytë. Po kur i propozuan Washington-it edhe për radhën e tretë, ai jo vetëm nuk pranoi, po la edhe një porosi që … “asnjë president të mos zgjidhej më shumë se dy herë radhazi”. Kjo këshillë e tij u pranua dhe u bë ligj e normë morale në politikën amerikane. Ky është një shembull i shkëlqyer nga i cili mund të mësojnë gjithë presidentët e botës, dhe gjithë kryetarët e qeverive . Ky orientim i Presidentit të Parë të Amerikës fliste për gjykim e tij visionar lidhur me të ardhmen e Amerikës, që do të kishte rëndësi të posaçme për jetën politike dhe konstitucionale, që shmang kultin e individit si edhe autoritarizmin e liderit, gjoja, “të pazëvendësueshëm”
***
George Washington-i, që u shqua si një strateg i Revolucionit Amerikan dhe drejtues i sigurt i jetës së vendit, ishte edhe një diplomat largpamës. Biografët e tij shkruajnë se ai qe edhe një vizionar i mprehtë në arenën diplomatike. Filozofia e tij në fushën e politikës së jashtme ishte ajo e ekuilibrit të Amerikës. Në atë kohë ai kishte mendimin që të evitoheshin aleancat ushtarake dhe veprimet luftarake që nuk kishin të bënin me zhvillimin e vendit. Gjithë energjitë dhe resurset e Amerikës duhet të përdoreshin për fuqizimin e Amerikës, për forcimin e ekonomisë së saj.
Në kohën e presidencës së Washington-it lindi një mosmarreveshje lidhur me politikën e jashtme. Konkretisht, në një konflikt anglo-francez, Thomas Jeffersoni kërkonte që SHBA të mbështeste Francën e të merrte anën e saj, kurse Alexander Hamilton këmbengulte që Amerika të mbështeste Anglinë e të anonte nga Anglia. Në këto momente kritike dhe delikate për shtetin e ri Amerikan, u desh gjykimi largpamës i Presidentit Washington, që mbrojti idenë e neutralitetit të Amerikës në konfliktin midis dy fuqive të mëdha ndërluftuese të kohës në Europë, Francës dhe Anglisë. Siç tregon në librin e vet Marian Leighton, me zgjuarsinë e tij diplomatike, Presidenti Washington orientoi situatën dhe politikën e jashtëme, duke theksuar se “Amerika nuk kish as miq e aleanca të përhershme dhe as armiq të përhershëm, por vetëm interesa të përhershme.”
Presidenti i parë i Amerikës, George Washington, vdiq më 14 dhjetor 1799, në Mount Vernon, në moshën 67 vjeç. Ai u nda fizikisht nga gjiri i shoqerisë Amerikane, por ngeli i gjallë e i nderuar në kujtesën e mbarë popullit, si simboli i unitetit amerikan. Mjafton të themi se kryeqyteti i SHBA-së, Wahington DC mban emrin e tij,. Ai është i vetmi president emrin e të cilit e mban një shtet në Amerikë.. Shumë rrugë, bulevarde, sheshe dhe institucione mbajnë gjithashtu emrin e tij. Për gjithë meritat e tij prej strategu , ligjvënësi dhe udhëheqësi me mendje të ndritur, George Washington-i u quajt me gjalljen e tij “Ati i kombit të vet”.
Bibliografi
Adler D, George Washington Father of Our Country NY, 1995.
Davidson J., The American Nation, MA. Prentice Hall, 1995
Hoobler Th. and D., “George Washington and Presidents` Day”, NY, 1990
Leighton M., “ GeorgeWashington”, Baronetbooks, NY, 1997.
Smith L. and Nici Mare N., Insightfor Today , Boston, 1996
Whitnay D,” The American Presidents, Bookspan, NY., 2001.
Wood G. , The American Revolution, Modern Library, NY, 2002.
Miliarderi Elon Musk, që pritet t’i bashkohet administratës së Presidentit të zgjedhur Donald Trump si këshilltar i jashtëm, u përfshi në fushatën zgjedhore të Gjermanisë të premten, duke e quajtur partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë, shpëtimtaren e vendit.
AfD është në vendin e dytë në sondazhe, duke u bërë pengesë për partitë e qendrës së djathtë, ose të qendrës së majtë, që të fitojnë shumicën në zgjedhje, por partitë kryesore të Gjermanisë, shumica të qendrës, janë zotuar të mos e pranojnë mbështetjen e AfD-së në nivel kombëtar.
Vendi më i fuqishëm i Evropës pritet të votojë më 23 shkurt pas rrëzimit të qeverisë së koalicionit të qendrës së majtë të udhëhequr nga kancelari Olaf Scholz.
“Vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë”, shkroi zoti Musk në platformën e tij të mediave sociale X.
Elon Musk, personi më i pasur në botë, ka shprehur edhe më parë mbështetjen për partitë e tjera kundër emigracionit në të gjithë Evropën.
Qeveria gjermane tha se e ka parë atë që shkroi zoti Musk, por nuk pranoi të bënte ndonjë koment të mëtejshëm në konferencën e rregullt të shtypit.
Zoti Musk ripublikoi edhe një mesazh nga aktivistja gjermane e krahut të djathtë Naomi Seibt që kritikonte Friedrich Merzin, kandidatin për kancelar të konservatorëve, të cilët kryesojnë në sondazhe.
Matthias Miersch, sekretari i përgjithshëm i socialdemokratëve të Kancelarit Scholz, tha për faqen e internetit ‘t-online’ se Gjermania nuk kishte nevojë për ndikime të huaja apo “Trumpizëm”.
Zoti Musk shprehu mbështetje për AfD-në vitin e kaluar, kur kritikoi mënyrën se si qeveria gjermane e trajtoi emigracionin e paligjshëm.
Muajin e kaluar, zoti Musk bëri thirrje për shkarkimin e gjyqtarëve italianë të cilët vunë në dyshim ligjshmërinë e masave të qeverisë për të parandaluar imigracionin e parregullt.
Gjatë kësaj jave Nigel Farage, udhëheqësi i partisë së krahut të djathtë të Britanisë së Madhe, ‘Reforma në Mbretërinë e Bashkuar’ dhe mik i Presidentit të zgjedhur Trump, publikoi një fotografi duke takuar zotin Musk në rezidencën e zotit Trump në Florida. Ai u takua me zotin Musk për të siguruar mbështetje financiare.
Greko-amerikani Michael J. Rigas, është emëruar Zëvendës Sekretar i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump.
Presidenti Trump shprehu besimin e tij për Rigas, duke deklaruar se ai është një konservator që e di se si funksionon qeveria dhe do të ndihmojë në Rindërtimin e Amerikës.
“Jam i kënaqur të nominoj Michael J. Rigas për pozitat e Zëvendës Sekretar i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet. Michael do të sjellë përgjegjësi në Departamentin e Shtetit, ashtu siç bëri për të gjithë Qeverinë, kur shërbeu në mandatin tim të parë si Zëvendës dhe Drejtor i Përkohshëm i Zyrës së Menaxhimit të Personelit, si dhe Zëvendës Drejtor i Përkohshëm për Menaxhim në Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit. Mike është një luftëtar konservator që e di se si funksionon qeveria dhe do të ndihmojë në Rindërtimin e Amerikës,” tha Trump.
Rigas ka një master në administratën publike nga Shkolla Kennedy e Qeverisë e Universitetit të Harvardit, si dhe diploma bachelor dhe master në ekonomi nga Universiteti i Bostonit.
Gjatë karrierës së tij, Rigas ka punuar në sektorët publik dhe privat, duke u fokusuar në përmirësimin e performancës organizative dhe përmirësimin e operacioneve. Roli i tij në shërbimin publik përfshin detyrat si Këshilltar i Lartë dhe Zëvendës Administrator në Administratën e Shërbimeve të Përgjithshme (GSA) dhe Shef i Shtabit në Departamentin e Shërbimeve për Veteranët të Massachusetts.
Ai ka shërbyer gjithashtu si Drejtor i Projektit të Kalimit “America First” në Institutin për Politikat “America First”. sn
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të shtunën se ka zgjedhur ish-shefin e tij të zbulimit Richard Grenell, si të dërguar presidencial për misione të posaçme, një post ku ai pritet të ndihmojë administratën e ardhshme që të përballet me disa nga sfidat më të vështira të politikës së jashtme.
“Ric do të punojë për disa nga pikat më të nxehta në botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”, tha zoti Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, pa dhënë më tej për përgjegjësitë e këtij pozicioni.
Një burim nga ekipi i tranzicionit i zotit Trump tha për agjencinë Reuters se zoti Grenell do të fokusohet gjithashtu tek tensionet në Ballkan.
Zoti Grenell reagoi në platformën X:
“Të punosh në emër të popullit amerikan për Donald Trumpin është nderi më i madh i jetës. Presidenti Trump është dikush që u gjen zgjidhje problemeve, duke i mbajtur amerikanët të sigurt dhe të begatë. Kemi shumë punë për të bërë. Le të fillojmë punën”, u shpreh ai.
Gjatë mandatit të parë të zotit Trump, zoti Grenell shërbeu si ambasador në Gjermani, i dërguar i posaçëm presidencial për negociatat mes Serbisë dhe Kosovës, si edhe si Drejtor në detyrë i Zbulimit Kombëtar.
Ai ka qenë prej kohësh një nga këshilltarët e politikës së jashtme të zotit Trump.
Pasi bëri fushatë intensive për zotin Trump për zgjedhjet e 5 nëntorit, zoti Grenell ishte pretendent kryesor për postin e Sekretarit të Shtetit, por zoti Trump emëroi senatorin Marco Rubio për atë post.
Ai u përmend gjithashtu si kandidat i mundshëm për pozicionin e të dërguarit të posaçëm për luftën në Ukrainë, por përfundimisht zoti Trump zgjodhi gjeneral lejtnantin në pension Keith Kellogg për atë detyrë.
Ai ishte i pranishëm kur zoti Trump u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në shtator. Zoti Grenell është shprehur në favor të një marrëveshjeje paqeje që do të ruante territorin e Ukrainës megjithatë do të lejonte “rajone autonome” ku Rusia mund të mbetet në kontroll.
Ai ka këshilluar gjithashtu kundër zgjerimit të NATO-s përfshirë anëtarësimin e Ukrainës, duke thënë – ashtu si edhe zoti Trump – se aleanca nuk duhet të zgjerohet derisa anëtarët aktualë të përmbushin objektivat e shpenzimeve të mbrojtjes të aleancës. Anëtarët e aleancës transatlantike janë zotuar prej vitesh të shpenzojnë 2% të Prodhimit të tyre të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, por disa vende ende nuk e kanë arritur këtë objektiv.
Zoti Grenell bëri fushatë intensive për zotin Trump me votuesit arabo-amerikanë në Miçigan, ku presidenti i zgjedhur arriti të fitojë në një elektorat tradicionalisht demokratik, pavarësisht se në të kaluarën ai kishte ndaluar imigracionin nga disa vende me shumicë myslimane. Zoti Grenell organizoi aktivitete pro zotit Trump me votuesit arabo-amerikanë.
Presidentët emërojnë të dërguar të posaçëm apo presidencialë për t’u fokusuar në çështjet globale, krizat ose përpjekje specifike diplomatike. Koreja e Veriut dhe Venezuela janë kundërshtarë të SHBA-së, megjithëse sipas njoftimeve zoti Trump po konsideron mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, duke shpresuar të minimizojë rreziqet e konfliktit të armatosur.
Gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump e quajti udhëheqësin venezuelian Nicolas Maduro një diktator. Zoti Maduro tha se rizgjedhja e zotit Trump ishte “një fillim i ri” për marrëdhëniet dypalëshe.
Në mandatin e tij të parë, Trump vendosi sanksione më të ashpra ndaj vendit të Amerikës së Jugut, veçanërisht në industrinë e tij kryesore të naftës. Maduro i ndërpreu marrëdhëniet në vitin 2019.
Agjencia Reuters njofton se në vitin 2020 zoti Grenell u takua fshehtazi me një përfaqësues të Maduros në përpjekje për të siguruar ikjen paqësore të udhëheqësit venezuelian nga pushteti pasi rizgjedhja e tij në vitin 2018 u konsiderua e manipuluar nga shumica e vendeve perëndimore, por nuk u arrit ndonjë marrëveshje.
Senatori republikan amerikan Bill Hagerty shprehu mbështetje për zotin Grenellin, duke thënë në platformën X se ai do të “bëjë një punë të shkëlqyer duke u marrë me disa nga sfidat më të vështira të botës”.
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha të premten se Partia Republikane “do të bëjë përpjekjet e saj më të mira” për t’i dhënë fund praktikës së ndryshimit të orës, të cilën ai e quajti “të papërshtatshme dhe shumë të kushtueshme për vendin”.
Praktika që synon një përdorim më të mirë të orëve me dritë e kursim të energjisë – duke i lëvizur akrepat një orë përpara gjatë gjysmës së vitit, në verë, për të shfrytëzuar sa më shumë mbrëmjet – ka qenë në fuqi pothuajse në të gjithë Shtetet e Bashkuara që nga vitet 1960. Por kjo çështje ka qenë një temë debati vitet e fundit.
Disa ligjvënës duan të qëndrojnë me orën lokale gjatë gjithë vitit, ashtu siç është, pa ndodhur ndryshimi, një pjesë kërkojnë që ndryshimi të ndodhë gjatë gjithë vitit, të tjerë duan të ruajnë status quo-në. Presidenti Joe Biden nuk ka mbajtur kurrë një qëndrim publik mbi këtë çështje.
Në mars të vitit 2022, Senati amerikan votoi njëzëri për ta bërë të përhershme çështjen e ndryshimit të orës, por përpjekja ngeci në Dhomën e Përfaqësuesve, për shkak të mungesës së konsensusit mbi këtë çështje.
Në mars një grup dypartiak senatorësh bëri një përpjekje të re në këtë drejtim.
Mbështetësit e ndryshimit të orës argumentojnë se kjo gjë sjell pasdite më me shumë dritë dhe më shumë aktivitet ekonomik gjatë muajve të dimrit. Kritikët thonë se një gjë e tillë i detyron fëmijët të shkojnë në shkollë në errësirë, pasi lindja e diellit vonohet me një orë.
Përkrahësit e eliminimit total të ndryshimit të orës thonë se ndryshimi dy herë në vit i saj, shkakton shqetësime të gjumit dhe probleme shëndetësore.
Kongresi nuk ka mbajtur asnjë seancë dëgjimore të re për këtë çështje për më shumë se dy vjet dhe Senati do të duhet ta shqyrtojë këtë çështje sërish.
Ndryshimi i orës për gjatë vitit u përdor gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u miratua përsëri në vitin 1973 në një përpjekje për të reduktuar përdorimin e energjisë për shkak të një embargoje ndaj naftës, por vendimi nuk ishte popullor dhe u shfuqizua një vit më vonë.
Që nga viti 2015, rreth 30 shtete kanë prezantuar ose miratuar ligje për t’i dhënë fund ndryshimit të orës dy herë në vit. Disa shtete kanë propozuar që ta bëjnë këtë vetëm nëse shtetet fqinje bëjnë të njëjtën gjë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka falur 39 amerikanë të dënuar për vepra të padhunshme penale, si dhe ua ka zbutur dënime gati 1.500 njerëzve të tjerë.
Shtëpia e Bardhë tha se ky është numri më i madh i faljeve presidenciale brenda një dite të vetme. Ajo nuk i ka bërë të ditur emrat e njerëzve të falur.
Bideni tha se do të ndërmarrë më shumë hapa të tillë në javët e ardhshme dhe se do të vazhdojë t’i shqyrtojë kërkesat për falje.
“Amerika u ndërtua mbi zotimin për dhënien e mundësisë dhe shansit të dytë”, tha Biden në një komunikatë.
“Si president, kam nderin të tregoj mëshirë për njerëzit të cilët kanë dëshmuar pendesë dhe rehabilitim, duke ua dhënë mundësinë amerikanëve të marrin pjesë në jetën e përditshme dhe të kontribuojnë në komunitetet e tyre, dhe duke ndërmarr hapa për t’ua hequr dënimet të dënuarve për vepra të padhunshme, posaçërisht atyre të dënuar për drogë”, tha ai.
Bideni e mori këtë vendim disa javë pasi e fali djalin e vet, Hunter, i cili po ndiqej penalisht për vepra penale në lidhje me armën dhe taksat.
Bideni është duke u përballur me trysni nga grupet avokuese për të falur më shumë njerëz, përfshirë ata të dënuar me vdekje, para se presidenti i zgjedhur Donald Trump ta marrë detyrën në janar.
Njerëzit e falur të enjten kanë qenë të dënuar për krime të padhunshme, si droga, dhe e kanë ndryshuar jetën për mirë, thanë avokatët e Shtëpisë së Bardhë.
Në të kaluarën, presidenti i kishte falur 21 njerëz dhe ua kishte zbutur dënimin 122 të tjerëve.
Ai fali gjithashtu të dënuar për përdorimin dhe posedimin e marihuanës në tokat federale dhe në Distriktin e Kolumbisë, dhe fali ish-anëtarët e ushtrisë amerikane të dënuar për shkelje të ndalesës, që është shfuqizuar tashmë, të seksit homoseksual në ushtri. REL
Presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump është shpallur “Personi i Vitit” nga revista Time. Viti 2024 shënon herën e shtatë radhazi që fituesi i zgjedhjeve presidenciale gjithashtu u shpall Personi i Vitit.
Trump mori titullin edhe në vitin 2016, pas fitores së tij të parë në zgjedhjet presidenciale, dhe tani i bashkohet grupit të njerëzve që janë zgjedhur dy herë.
Grupi përfshin tre presidentët e fundit me dy mandate: Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama. (Franklin D. Roosevelt është i vetmi person që i është dhënë titulli tre herë.)
Trump ka pasur një marrëdhënie të ‘stuhishme’ me revistën Time. Pasi u emërua personi i vitit në vitin 2016, ai e përshkroi revistën si një botim “shumë të rëndësishëm” dhe tha se i kishte dhënë një “nder të jashtëzakonshëm”.
Por Trump, i cili kishte fituar një garë polarizuese presidenciale, në të cilën ai humbi votën popullore, u përplas me revistën, e cila e përshkroi atë si “president i shteteve të ndara të Amerikës”. gsh
Presidenti Joe Biden ka miratuar një dokument të ri mbi sigurinë kombëtare përpara kthimit të Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë. Dokumenti mund të shërbejë si një udhërrëfyes për administratën e ardhshme mes përpjekjeve në dukje të saj për t’iu kundërvënë bashkëpunimit në rritje mes Kinës, Iranit, Koresë së Veriut dhe Rusisë. Lajmi u njoftua të mërkurën nga Shtëpia e Bardhë.
Zyrtarët e administratës Biden nisën punën për hartimin e udhëzimeve këtë verë. Sipas dy zyrtarëve të lartë të administratës, dokumenti u hartua në formën e një udhëzimi, që mund të ndihmojë administratën e ardhshme të ndërtojë që nga dita e parë e punës, qasjen e saj mbi mënyrën se si do t’i trajtojë marrëdhëniet e vështira me vendet kundërshtarët dhe konkurrentët më të mëdhenj të Amerikës.
Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se dokumenti sekret nuk do të bëhej publik për shkak të ndjeshmërisë së disa prej gjetjeve që përfshihen në të.
Dokumenti përmban katër rekomandime të gjera siç janë: përmirësimi i bashkëpunimit ndërinstitucional brenda qeverisë amerikane, përshpejtimi i shkëmbimit të informacionit me aleatët rreth katër vendeve kundërshtare, kalibrimi i veprimeve në përdorimin e sanksioneve dhe mjeteve të tjera ekonomike nga ana e qeverisë amerikane për të siguruar efektivitet maksimal si dhe forcimi i përgatitjes për të menazhuar krizat e njëkohshme që lidhen me kundërshtarët.
Për shumë vite Shtetet e Bashkuara ka qenë të shqetësuara për bashkëpunimin mes Kinës, Iranit, Koresë së Veriut dhe Rusisë. Koordinimi mes tyre është përshpejtuar si pasojë e sulmit rus në Ukrainë në vitin 2022.
Zyrtarët amerikanë vunë në dukje se në një kohë që Rusia është izoluar nga pjesa më e madhe e botës, Moska i është drejtuar Iranit për dronë dhe raketa.
Nga Koreja e Veriut, Rusia kanë siguruar artileri, raketa e madje mijëra trupa i janë bashkuar trupave ruse për t’i ndihmuar ata në përpjekjet për të zmbrapsur forcat ukrainase nga rajoni i Kurskut.
Kina ndërkohë ka mbështetur Rusinë me komponentë me përdorim të dyfishtë që e kanë ndihmuar atë të ruajë industrinë e saj ushtarake.
Në këmbim, Rusia ka dërguar avionë luftarakë në Iran dhe ka ndihmuar Teheranin në synimet e tij për të forcuar sistemet e mbrojtjes me raketa si dhe teknologjinë hapësinore.
Koreja e Veriut ka marrë nga Rusia lëndë djegëse dhe fonde shumë të nevojshme për të ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve të saj prodhuese dhe ushtarake.
Zyrtarët amerikanë shtuan se Rusia e ka njohur “de fakto Korenë e Veriut, si një vend me armë bërthamore”.
Ndërkohë Kina po përfiton nga ekspertiza ruse dhe Moska e Pekini po punojnë së bashku për të thelluar bashkëpunimin e tyre teknik ushtarak. Po kështu ata po kryejnë patrullime të përbashkëta në rajonin e Arktikut.
Presidenti Biden dhe Presidenti i zgjedhur Trump kanë botëkuptime të ndryshme, por zyrtarët e të dyja administratave, asaj në largim dhe asaj që po vjen në pushtet, thanë se ata kanë kërkuar të koordinojnë çështjet e sigurisë kombëtare gjatë tranzicionit.
Një nga zyrtarët tha se me këtë dokument Shtëpia e Bardhë “nuk po përpiqet t’ia vështirësojë punën administratës Trump apo ta orientojë atë drejt një opsioni të caktuar”.
Zyrtari tha se dokumenti synon të ndihmojë administratën e ardhshme të ndërtojë “kapacitet” ndërsa formëson qasjen në disa prej politikave të jashtme më të vështira, me të cilat do të përballet.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me ambasadorin Michael Carpenter.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me drejtorin për Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare amerikane, ambasadorin Michael Carpenter, tha se Serbia nuk është e gatshme për normalizim të raporteve me Kosovën.
Bislimi tha se tregues për këtë mosgatishmëri të Serbisë për normalizim dhe fqinjësi të mirë është sulmi i 29 nëntorit në Varragë të Zveçanit, ndaj kanalit të Ibër Lepencit.
Ky kanal furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Për këtë sulm, që Kosova e konsideron terrorist dhe i cili është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara, Prishtina e bën fajtor Beogradin. Por, Serbia ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se do ta hetojë këtë rast.
“Ai [Bislimi] theksoi dhe nevojën që akti i agresionit i Banjskës i shtatorit të vitit të kaluar si dhe sulmi i fundit në Ibër-Lepenc të ndëshkohen me masa konkrete, në mënyrë që të parandalohet që Serbia të përsërisë sulme të përmasave të tilla që minojnë sigurinë e vendit dhe të rajonit”, u tha në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Kosova po ashtu fajëson Serbinë për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, kundër Policisë së Kosovës. Një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.
Serbia mohon akuzat për përfshirje në këtë sulm, përgjegjësinë për të cilin e ka marrë Millan Radoiçiq.
Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – në aktakuzën e ngritur nga autoritetet në Kosovë për Banjskën, konsiderohet si organizatori dhe udhëheqësi i sulmit. Kosova kërkon që Serbia ta ekstradojë atë.
Në takimin në Shtëpinë e Bardhë, Bislimi – i cili njëherësh është edhe kryenegociator i Kosovës në procesin e dialogut – tha se Kosova vazhdon të mbetet konstruktive dhe e angazhuar në dialogun për normalizim të raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe që mbështetet nga SHBA-ja.
Ai po ashtu ka folur për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Kjo marrëveshje u arrit vitin e kaluar. Palët nuk e nënshkruan atë për shkak të kundërshtimit të Serbisë. Por, BE-ja thotë se pavarësisht se nuk është nënshkruar, marrëveshja është e obligueshme për palët dhe ka thënë se Kosova dhe Serbia ende s’kanë nisur zbatimin e saj.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut. REL
Tregu i punës në Shtetet e Bashkuara u rimëkëmb në nëntor, duke shtuar 227,000 vende pune, një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me muajin e mëparshëm, kur efektet e grevave dhe uraganeve ulën ndjeshëm numrin e të punësuarve.
Punësimi muajin e kaluar u rrit ndjeshëm krahasuar me muajin tetor, kur ekonomia krijoi vetëm 36,000 vende të reja pune.
Raporti i së premtes nga Departamenti i Punës tregoi gjithashtu se shkalla e papunësisë u rrit nga 4.1% në tetor në 4.2% në nëntor. Pagat me orë u rritën 0.4% nga tetori në nëntor dhe 4% krahasuar me një vit më parë.
Raporti i punësimit për muajin nëntor ofron provat më të fundit se tregu i punës në Shtetet e Bashkuara mbetet i qëndrueshëm pavarësisht ngadalësimit që përjetoi krahasuar me rritjen e madhe të punësimit në vitet 2021-2023, kur ekonomia po rimëkëmbej nga rënia e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Ngadalësimi gradual i tregut të punës është pjesërisht pasojë e normave të larta të interesit, që Rezerva Federale i rriti në kuadër të përpjekjeve për të zbutur inflacionin.
Në të gjitha industritë muajin e kaluar, kompanitë prodhuese shtuan 22,000 vende pune, duke reflektuar fundin e grevave nga punonjësit e kompanisë Boeing dhe atyre të kompanive të tjera. Kompanitë e kujdesit shëndetësor shtuan 54,000 vende pune, agjencitë qeveritare 33,000 dhe restorantet 29,000. Por dyqanet e shitjes me pakicë shkurtuan 28,000 vende pune në nëntor.
Ekonomia u rrit me një ritëm vjetor 2.8% nga korriku deri në shtator për shkak të nivelit të mirë të shpenzimeve nga konsumatorët, që janë motori i ekonomisë amerikane. Rritja vjetore ekonomike ka arritur nivelin e mirë prej 2% në tetë nga nëntë tremujorët e fundit. Inflacioni ka rënë nga 9.1% në qershor të vitit 2022 në nivelin 2.6% muajin e kaluar.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka bërë të ditur se e ka falur djalin e tij, Hunter Biden, ndonëse kishte premtuar se do të rrinte larg procedurave ligjore që rëndonin kundër djalit të tij.
Hunter Biden është deklaruar i pafajshëm në akuzat për mashtrime me taksa dhe është dënuar për një rast që lidhet me armëmbajtje.
“Sot e kam nënshkruar faljen për djalin tim Hunter. Prej ditës kur e kam marrë detyrën kam thënë se nuk do të përzihem në vendimmarrjen e Departamentit amerikan të Drejtësisë, dhe e kam mbajtur fjalën edhe teksa e kam parë djalin tim duke u gjykuar padrejtësisht edhe në mënyrë selektive”, ka thënë presidenti përmes një deklarate.
Shtëpia e Bardhë ka thënë vazhdimisht se Biden nuk do të falë Hunterin, i cili i është nënshtruar një periudhë rehabilitimit nga përdorimi i drogave.
“Asnjë njeri i arsyeshëm që analizon faktet për rastin e Hunterit nuk mund të arrijë në përfundim tjetër përveçse Hunter është veçuar sepse ka qenë djali im”, ka thënë Biden përmes një deklarate të lëshuar pak para nisjes në një udhëtim në Afrikë.
Vendimi për falje vlen për të gjitha veprimet që mund të jenë kryer në periudhën 1 janar 2014 – 1 dhjetor 2024.
Hunter Biden ishte paraparë për përballej me dënimet këtë muaj.
“E kam pranuar dhe kam marrë përgjegjësi për gabimet e mia gjatë ditëve më të rënda të varësisë – gabime që janë shfrytëzuar për të më nënvlerësuar dhe për të më turpëruar mua dhe familjen tim për shkaqe politike”, ka thënë Hunter Biden përmes një deklarate, duke siguruar të gjithë se është i pastër nga çdo drogë për më shumë se pesë vjet.
Republikanët e kanë kritikuar vendimin e presidentit.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump e ka quajtur vendimin si abuzim dhe ka pyetur nëse në falje janë përfshirë edhe personat e burgosur për sulmin në Kongresin amerikan më 6 janar të vitit 2021, pasi Trump pati pretenduar se i ka fituar zgjedhjet e vitit 2020.
Biden, në anën tjetër, ka thënë se vendimin për falje e ka marrë këtë fundjavë.
“Shpresoj që amerikanët do ta kuptojmë pse një baba dhe një president mund të marrë një vendim të tillë”, ka thënë mes tjerash ai. REL
Sot në Shtetet e Bashkuara është Dita e Falenderimeve që festohet çdo vit, të enjten e fundit të nëntorit. Kjo festë e ka origjinën në vitin 1621, kur evropianët e vëndosur në Shtetet e Bashkuara u ulën për të darkuar së bashku me banorët indigjenë të Amerikës në qytetin Plymouth në shtetin e Masaçusets.
Megjithëse amerikanët tani e festojnë Ditën e Falenderimeve të enjten e katërt të nëntorit, historianët nuk mund ta përcaktojnë datën e saktë se kur u festua për herë të parë Dita e Falenderimeve.
Sipas ekspertëve, ushqimet që u shtruan në darkën e parë të Falenderimeve ishin ndryshe nga gjeli i detit, patatet e skuqura dhe misrat e zierë, gatimet e njohura sot si trandicionale të kësaj feste.
Në vitin 1863, gjatë Luftës Civile, Dita e Falënderimeve u bë një festë kombëtare. Presidenti Abraham Lincoln nxiti idenë për një Ditë Falenderimesh për arsye strategjike.
Një grua me emrin Sarah Josepha Hale, redaktore e një reviste për gratë, ndikoi për të bindur Presidentin Lincoln se një festë kombëtare për dhënien e Falenderimeve do të ndihmonte të bashkonte vendin e dërrmuar nga lufta.
Sot, trashëgimtarët e banorëve autoktonë të Amerikës e shënojnë ditën e Falenderimeve në mënyra të ndryshme. Disa e konsiderojnë atë një ditë zie duke pasur parasysh kolonizimin e shpejtë dhe zhvendosjen e anëtarëve të fisit të tyre. Të tjerë mblidhen me familje, por pa patur në mendje pelegrinët.
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të hënën se në ditën e tij të parë në detyrë do të vendoste një tarifë 25% për të gjitha produktet nga Meksika dhe Kanadaja, dhe një tarifë shtesë prej 10% për mallrat nga Kina, duke përmendur rolin e tyre në emigracionin e paligjshëm dhe tregtinë e drogave të paligjshme.
“Më 20 janar, në mesin e shumë Urdhrave të parë Ekzekutiv, unë do të nënshkruaj të gjitha dokumentet e nevojshme për të vendosur 25 për qind tarifë ndaj të gjitha produkteve nga Meksika dhe Kanadaja që hyjnë në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në një postim të zotit Trump në rrjetin “Truth Social”.
Zoti Trump tha se tarifat do të mbeten në fuqi derisa të dyja vendet të ndalin kalimin në Amerikë të drogës, veçanërisht të fentanilit dhe emigrantëve të paligjshëm.
Presidenti i zgjedhur gjithashtu akuzoi Kinën se nuk ka ndërmarrë veprime mjaft të forta për të ndalur rrjedhën e drogave të paligjshme që mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara përmes kufirit meksikan.
“Ne do të vendosim një tarifë prej 10 për qind ndaj të gjitha produkteve të Kinës që vijnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila nuk do të hiqet derisa ata të ndalin rrjedhën e drogës”, thuhet në postimin e zotit Trump.
Presidenti i zgjedhur është zotuar më parë t’i japë fund statusit tregtar të vendit më të favorizuar që gëzon Kina dhe të vendosë mbi 60 për qind tarifa ndaj importeve kineze, shumë më të larta se ato të vendosura gjatë mandatit të tij të parë.
Ekonomia kineze është në një pozitë shumë më të vështirë, duke patur parasysh rënien e tregut të shtëpive dhe pasurive të patundshme, rreziqet nga borxhi publik dhe dobësimi i kërkesave të konsumit të brendshëm.
Dollari u rrit me më shumë se 2% kundrejt pesos meksikane, pas publikimit të komenteve të zotit Trump në platformën e tij të mediave sociale.
Komentet