Miliarderi Elon Musk, që pritet t’i bashkohet administratës së Presidentit të zgjedhur Donald Trump si këshilltar i jashtëm, u përfshi në fushatën zgjedhore të Gjermanisë të premten, duke e quajtur partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë, shpëtimtaren e vendit.
AfD është në vendin e dytë në sondazhe, duke u bërë pengesë për partitë e qendrës së djathtë, ose të qendrës së majtë, që të fitojnë shumicën në zgjedhje, por partitë kryesore të Gjermanisë, shumica të qendrës, janë zotuar të mos e pranojnë mbështetjen e AfD-së në nivel kombëtar.
Vendi më i fuqishëm i Evropës pritet të votojë më 23 shkurt pas rrëzimit të qeverisë së koalicionit të qendrës së majtë të udhëhequr nga kancelari Olaf Scholz.
“Vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë”, shkroi zoti Musk në platformën e tij të mediave sociale X.
Elon Musk, personi më i pasur në botë, ka shprehur edhe më parë mbështetjen për partitë e tjera kundër emigracionit në të gjithë Evropën.
Qeveria gjermane tha se e ka parë atë që shkroi zoti Musk, por nuk pranoi të bënte ndonjë koment të mëtejshëm në konferencën e rregullt të shtypit.
Zoti Musk ripublikoi edhe një mesazh nga aktivistja gjermane e krahut të djathtë Naomi Seibt që kritikonte Friedrich Merzin, kandidatin për kancelar të konservatorëve, të cilët kryesojnë në sondazhe.
Matthias Miersch, sekretari i përgjithshëm i socialdemokratëve të Kancelarit Scholz, tha për faqen e internetit ‘t-online’ se Gjermania nuk kishte nevojë për ndikime të huaja apo “Trumpizëm”.
Zoti Musk shprehu mbështetje për AfD-në vitin e kaluar, kur kritikoi mënyrën se si qeveria gjermane e trajtoi emigracionin e paligjshëm.
Muajin e kaluar, zoti Musk bëri thirrje për shkarkimin e gjyqtarëve italianë të cilët vunë në dyshim ligjshmërinë e masave të qeverisë për të parandaluar imigracionin e parregullt.
Gjatë kësaj jave Nigel Farage, udhëheqësi i partisë së krahut të djathtë të Britanisë së Madhe, ‘Reforma në Mbretërinë e Bashkuar’ dhe mik i Presidentit të zgjedhur Trump, publikoi një fotografi duke takuar zotin Musk në rezidencën e zotit Trump në Florida. Ai u takua me zotin Musk për të siguruar mbështetje financiare.
Dorezimi i armeve nga populli amerikan si dhe ndalimi i shitjeve te armeve
do te ishte rruga me e mire per parandalimin e terroreve ne Amerike.