Përballë kritikave të ashpra, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tërhoqi të martën komentet e mëparshme kur sugjeroi se ai ka autoritet të plotë për të rihapur ekonominë nga kriza e koronavirusit.
Në komentet për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të hënën, Presidenti Trump pretendoi se vetëm ai do ta merrte vendimin se kur dhe si do të dërgoheshin amerikanët përsëri në punë, si dhe për rihapjen e bizneseve, duke nënkuptuar se këtë vendim nuk do ta merrnin guvernatorët dhe kryetarët e bashkive që lëshuan urdhrat e ndalim-qarkullimit për qindra miliona njerëz.
Studiuesit ligjorë kundërshtuan qëndrimin e Presidentit Trump për baza të dyshimta kushtetuese.
“Nuk ka asnjë person të vetëm në Amerikë që ta ketë studiuar këtë çështje dhe të pajtohet me të (me presidentin),” tha Paul Rosenzweig, një bashkëpunëtor i lartë ligjor në Institutin “R Street”, një grupim studiuesish konservatorë dhe liberalë në Uashington.
John Yoo, një studiues ligjor konservator i cili shpesh mbron Presidentin Trump në kanalin televiziv Fox News, hodhi poshtë pretendimin e presidentit për autoritetin absolut presidencial.
“Kushtetuta ofron fuqi të kufizuara, të numëruara, për qeverinë kombëtare dhe ato nuk përfshijnë të drejtën për të përcaktuar aspekte të shëndetin publik, apo të të gjithë sektorëve të biznesit,” shkruante zoti Yoo, profesor i ligjit në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley, në revistën konservatore “National Review”.
Presidenti Trump e bëri pretendimin në konferencën për shtyp të Shtëpisë së Bardhë të hënën, gjatë së cilës ai u pyet nga gazetarët në lidhje me autoritetin e tij për të rihapur ekonominë.
“Kur dikush është president i Shteteve të Bashkuara, autoriteti është total,” u tha ai gazetarëve. “Guvernatorët e dinë këtë.”
Presidenti Trump pretendoi se ekzistojnë “dispozita të shumta” në Kushtetutë që i japin atij autoritetin të rihapë ekonomitë lokale dhe shteteve amerikane.
Por të martën, Presidenti Trump u duk se u zmbraps.
“Guvernatorët do t’i drejtojnë shtetet individuale,” u tha Presidenti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Ekspertët ligjorë vunë në dukje se nuk ka dispozita kushtetuese që i japin presidentit autoritet absolut mbi shtetet. Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara i jep qeverisë federale autoritetin për të rregulluar “tregtinë ndërshtetërore”, ndërsa u jep shteteve fuqinë për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike brenda kufijve të tyre. Kjo ndarje e pushtetit njihet si federalizëm.
Jonathan Turley, profesor i drejtësisë në Universitetin George Washington, i cili ishte dëshmitar republikan kundër hetimit për shkarkimin e Presidentit Trump në dhjetor, vuri në dukje se Presidenti Trump “kaloi javë të tëra duke deklaruar drejt këtë parim themelor të federalizmit“.
Presidenti Trump e bëri atë argument kur këmbënguli se ishte përgjegjësia e shteteve për të gjetur respiratorët, maskat e fytyrës, shtretërit spitalorë dhe pajisjet e tjera të nevojshme për të trajtuar qindra mijëra njerëz të goditur nga COVID-19, ndërsa qeveria federale mund t’i plotësonte më tej furnizimet.
Muajin e kaluar, qeveria federale nxori udhëzime ku këshillonte amerikanët të mos mblidhen në tubime me më shumë se 10 persona dhe të marrin masa të tjera paraprake për të shmangur marrjen dhe përhapjen e koronavirusit. Por, guvernatorët dhe kryetarët e bashkive lëshuan urdhëra të detyrueshëm për të mbyllur bizneset dhe shkollat dhe u kërkuan njerëzve që të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur.
“Tani, ai duket se ka bërë një kthesë prej 180 gradësh për këtë çështje, duke pretenduar se ndërsa guvernatorët mund t’i vendosin këto urdhra, ai ka autoritet absolut t’i heqë ato,” shkruajti profesor Turley në një postim të ashpër në internet.
Në të kaluarën, pikëpamjet zgjeruese të Presidentit Trump për pushtetin ekzekutiv, të mbështetura nga Prokurori i Përgjithshëm William Barr, e kanë vendosur atë në kundërshti me Kongresin. Tani, përpjekja e tij për kontroll ndaj shteteve amerikane shtron pyetje të reja se deri ku mund të shkojnë urdhërat e presidentit.
Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë nuk iu përgjigj pyetjes së Zërit të Amerikës nëse zoti Barr pajtohet me pretendimin më të fundit të Presidentit Trump për autoritetin presidencial.
Por, jo të gjithë ekspertët ligjorë po i marrin fjalët e Presidentit Trump si të mirëqena. Joyce Lee Malcolm, profesore në Shkollën Juridike “Antonin Scalia” në Universitetin George Mason, tha se Presidenti Trump nganjëherë bën pohime të tilla “nga pakënaqësia”.
“Ai ka qenë shumë i kujdesshëm për të punuar në të vërtetë me shtetet thjesht duke dhënë udhëzime,” tha Malcolm. “Pra, nuk e imagjinoj që ai të përpiqej të merrte përsipër atë lloj pushteti.”
Komentet