Të ejten në një fjalim para Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump njoftoi vendimin për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, duke thënë se marrëveshja do të shkaktonte humbjen e mijëra vendeve të punës në vend. Ai tha se marrëveshja do të pengonte rritjen ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe do të dëmtonte familjet amerikane.
Presidenti theksoi se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë menjëherë përpjekjet për arritjen e një marrëveshje të re mbi ndryshimet klimatike që do të jetë më e mirë për popullin amerikan.
“Marrëveshja e Parisit për Klimën është një shembulli i hyrjes së Uashingtonit në marrëveshje që dëmtojnë Shtetet e Bashkuara,” tha presidenti Trump, duke shtuar se “që nga ky moment ne do t’i japim fund zbatimit të marrëveshjeve të padetyrueshme.”
Marrëveshja e nënshkruar nga parardhësi i presidentit Trump, ish presidenti Barack Obama në vitin 2015, e cila synon të reduktojnë çlirimin e gazeve karbonike në atmosferë, ka aktualisht mbështetjen e 194 vendeve.
Vendimi për tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit, vjenë disa ditë pas debateve mbi atë nëse Presidenti Trump do të përmbushte premtin e tij elektoral për tërheqje nga kjo marrëveshje.
Më parë të mërkurën, pas një takimi me Kryeministrin vjetnamez Nguyen Xuan Phuc, zoti Trump tha se po dëgjonte mendimet e “shumë njerëzve nga të dyja skajet e debatit” për të analizuar opsionet.
Zëdhënësi Sean Spicer tha se personat me të cilët është konsultuar presidenti përfshijnë drejtues biznesi dhe krerë shtetesh të huaja.
Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit, shënon një hap prapa në politikat ambjentaliste të ndjekura nga administrata e mëparshme amerikane, nën Presidentin Barak Obama. Tërheqja do të entuziazmojë bazën republikane të presidentit, por do të revoltonte ambjentalistët dhe aleatët e Amerikës.
Njoftimet se Amerika mund të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit u përcollën me kundërshti nga komuniteti i organizatave dhe aktivistëve për mjedisin si dhe nga kryebashkiakët e qyteteve më të mëdha amerikane, të cilët u zotuan t’i përmbahen marrëveshjes, pavarësisht nga vendimi që merr presidenti.
“Nëse Shtëpia e Bardhë tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, ne do ta zbatojmë marrëveshjen në Los Anxhelos,” u shpreh përmes një postimi në Twitter, kryebashkiaku i Los Anxhelosit, Eric Garcetti.
Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio postoi këtë koment në Twitter: “Do ta marrim situatën vetë në dorë. Kam në plan të nënshkruaj një urdhër ekzekutiv për të ruajtuar angazhimin e qytetit të Nju Jorkut ndaj Marrëveshjes së Parisit”.
Aktivistët për klimën shprehën revoltim, duke kritikuar Presidentin Trump:
“Donald Trumpi ka bërë një gabim historik, të cilin nipat tanë do ta gjykojnë të shtangur dhe të pezmatuar duke pyetur veten se si mundet një udhëheqës botëror të jetë aq i shkëputur nga realiteti dhe morali,” tha përmes një deklarate për Zërin e Amerikës Michael Brune, presidenti i Klubit Sierra, një organizatë e fuqishme ambjentaliste.
Një deklaratë të ngjashme nxorën edhe anëtarët e grupit Votuesit e Ligës së Mbrojtësve të Mjedisit, ku thonin “Me një vendim tepër të papërgjegjshëm, Presidenti Trump do të rrezikonte jo vetëm shëndetin dhe sigurinë e komuniteteve amerikane, por do të minonte edhe pozitën e Amerikës si udhëheqëse globale në një numër çështjesh”.
Elon Musk, miliarderi që zotëron kompanitë Tesla dhe Space X, ka thënë se nëse presidenti tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit, ai do të japë dorëheqjen nga tre grupe shkencore që ofrojnë konsulencë për Shtëpinë e Bardhë.
Ekonomisti Gary Hufbauer i Institutit Peterson me seli në Uashington tha për Zërin e Amerikës se parashikon që vende të tjera do të mbeten pjesë e marrëveshjes dhe se vendimi i zotit Trump për t’u tërhequr do ta vinte Amerikën në një pozitë jo të mirë.
“Një deklaratë nga Presidenti Trump se Amerika po tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit nuk do të sjellë medoemos vendime të ngjashme nga vende të tjera. Ajo është më tepër një deklarim synimesh se sa një akt konkret tërheqjeje,” thotë ekonomisti.
Në pritje të vendimit të qeverisë amerikane, aleatë evropianë dhe të tjerë kanë shprehur shqetësimin e tyre.
“Unë po vazhdoj të loboj pranë autoriteteve amerikane në të gjitha nivelet për t’i marrë shumë seriozisht ndryshimet klimatike dhe për të treguar udhëheqjen që Amerika ka treguar në të kaluarën,” tha Sekretari i Jashtëm britanik Boris Johnson për televizionin Sky News.
Zëdhënësi i presidentit rus Dmitri Peskov tha se marrëveshja ka një rëndësi të madhe, por se nuk do të jetë shumë e efektshme pa pjesëmarrjen e faktorëve kryesorë.
Kryeministri i Kinës Li Keqiang tha se Kina do të respektojë angazhimin që ka marrë për të zbatuar marrëveshjen.
Llogaria zyrtare e Kombeve të Bashkuara në Twitter kishte mesazhin “Ndryshimet klimatike nuk mund të vihen në dyshim. Mobilizimi për klimën është i pandalshëm. Zgjidhjet për klimën ofrojnë mundësi të pakrahasueshme”.
Ambasadori i Francës në SHBA, Gerard Araud, shkruante në Twitter “Korporata të mëdha amerikane kanë shprehur mbështetje për Marrëveshjen e Parisit”.
Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker tha se Presidenti Donald Trump “nuk i kupton në tërësinë e tyre” termat e Marrëveshjes së Parisit. Zoti Juncker tha se udhëheqësit evropianë janë përpjekur t’ia shpjegojnë zotit Trump procesin e tërheqjes nga marrëveshja “me fjali të thjeshta dhe të qarta” gjatë takimeve të javës së kaluar.
Jean-Claude Juncker, një ndër udhëheqësit me të cilët u takua zoti Trump javën e kaluar, theksoi se duhen disa vjet për t’u tërhequr nga një pakt i ri ndërkombëtar. “Ky nocioni se: ‘Unë Jam Trumpi; Unë Jam Amerikan; Amerika Mbi të Gjitha; dhe Unë Do të Tërhiqem’ nuk ka për t’u realizuar,” tha zoti Juncker.
Por nuk ka pasur vetëm reagime negative.
Një grup prej 22 senatorësh republikanë i kanë bërë thirrje zotit Trump të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për të shmangur rrezikun e padive gjyqësore që mund të ndërlikojnë përpjekjet e administratës aktuale për të anuluar projektet për energji të pastër të administratës së mëparshme.
Organizata Freedom Works, e cila punon drejt një synimi për një burokraci sa më të vogël qeveritare, arsyetonte në një deklaratë se respektimi i marrëveshjes do të shoqërohej me një kosto shumë të lartë për Amerikën, duke i kushtuar ekonomisë së vendit mbi 2 trilionë dollarë dhe mbylljen e afro 400 mijë vendeve të punës.
Komentet