Mandati i Presidentit Trump përfundon të mërkurën. Ai u largua nga Shtëpia e Bardhë paradite për një fluturim të fundit me avionin presidencial drejt rezidencës së tij të pushimeve në Florida.
Pas mbërritjes me helikopter në bazën ajrore Andrews në Uashington, presidenti mbajti një fjalim ku përshëndeti të ftuarit dhe foli për arritjet e administratës së tij. Para futjes në avion ai u përcoll me një ceremoni me tapetin e kuq, me bandë ushtarake dhe përshëndetje me 21 gjëmime topash.
Në të njëjtën kohë që presidenti mbërrin në Florida, në Uashington do të jetë në zhvillim ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri, Joe Biden. Këtë radhë një traditë e vjetër do të thyhet, pasi Presidenti Trump nuk do të jetë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri.
E ardhmja e zotit Trump, përfshirë edhe ndonjë aspiratë politike, mbetet e paqartë.
“Duhet ta dini që lëvizja që nisëm është vetëm në fillimet e saj,” tha presidenti në një mesazh lamtumire të bërë publik të martën me një videoklip. “Nuk ka pasur diçka të ngjashme më parë. Bindja se vendi duhet t’u shërbejë qytetarëve nuk do të lëkundet, por do të forcohet nga dita në ditë”.
Presidenti Trump largohet nën hijen e një procesi të dytë gjykues, i vetmi president në historinë amerikane ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza për shkarkim të mundshëm. Nuk është e qartë se kur Senati mund ta fillojë gjykimin lidhur me rolin e tij në sulmin e dhunshëm të turmës ndaj Kapitolit më 6 janar.
Të martën, ai foli shkurtimisht për sulmin, duke thënë se amerikanët “ishin tmerruar” dhe se dhuna politike “nuk mund të tolerohet kurrë”.
Presidenti Trump përmendi edhe një numër nismash të politikës së jashtme të realizuara nga administrata e tij, përfshirë tërheqjen nga marrëveshja tregtare, e njohur si Partneriteti Trans-Paqësor si dhe nga Traktati i Parisit për Klimën, arritjen e një marrëveshjeje të re tregtare për Amerikën e Veriut si dhe tarifat ndaj importeve nga Kina.
“Rikthyem sovranitetin duke u ngritur për Amerikën në OKB dhe duke u tërhequr nga traktate që ishin në interes të palës tjetër dhe jo tonin,” tha zoti Trump. “Tani vendet e NATO-s paguajnë qindra miliarda dollarë më shumë se sa para administratës sime. Ishte shumë e padrejtë”.
Ai u shpreh se kishte qenë një “privilegj i jashtëzakonshëm” që shërbeu si president.
Presidenti miratoi edhe një numër faljesh të reja, përfshirë për ish-bashkëpunëtorë të tij.
Po ashtu, zoti Trump anuloi një urdhër ekzekutiv që kishte nxjerrë në fillim të administratës ku ish-zyrtarë amerikanë nuk lejoheshin të bëheshin lobistë për pesë vjetët e parë pas largimit nga detyra zyrtare. Kur e shpalli atë masë, presidenti e prezantoi si pjesë e përpjekjeve për të “tharë moçalin” dhe për të çrrënjosur korrupsionin në Uashington.
Komentet