Administrata e presidentit Donald Trump i dha dje fund një programi që mbrojti 800 mijë emigrantë pa dokumenta nga deportimi, por i dha Kongresit gjashtë muaj kohë për të vepruar, në se kërkon të vazhdojë t’i mbrojë ata të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara, pasi prindërit e e tyre i sollën ilegalisht në këtë vend.
Presidenti Trump e miratoi vendimin, por dërgoi Prokurorin e Përgjithshëm, Jeff Sessions para kamerave të bënte njoftimin për ndryshimin e kësaj politike të debatueshme. Sessions i dha fund urdhërit ekzekutiv pesë-vjeçar të presidentit Barack Obama që krijoi programin Daca me një deklaratë të prerë: “DACA shfuqizohet.”
Në një deklaratë të publikuar më pas, presidenti Trump tha se “ai nuk favorizon dënimin e fëmijëve, shumica e të cilëve janë tani të rritur, për veprimet e prindërve të tyre. Por ne duhet të pranojmë gjithashtu se jemi vend i zbatimit të ligjeve”. Ashtu siç e kam thënë më parë, ne do ta zgjidhim çështjen DACA me zemër dhe bujari – por përmes një procesi demokratik të ligjshëm”, shtoi presidenti.
Programi lejonte të rinjtë, që zakonisht kishin hyrë në vend kur kanë qënë gjashtë vjeç, shumica nga Meksika dhe vendet e Amerikës Qëndrore, të punonin dhe studionin në Shtetet e Bashkuara dhe të shërbenin në ushtri.
“Ne nuk mund të pranojmë këdo që kërkon të vijë këtu”, u tha zoti Sessions gazetarëve. “Të gjithë nuk mund të pranohen.” Ai shtoi se kufizimi i imigracionit “do të thotë se ne po zbatojmë ligjet tona.”
Imigrantët pa dokumenta, të njohur si Ëndrimtarët, kanë njohur vetëm Shtetet e Bashkuara si vendin e tyre, por duke filluar nga fillimi i marsit, mund të deportohen në vendet e origjinës në se Kongresi nuk vepron për të bllokuar deportimin e tyre.
“Kongresi të përgatitet të bëjë punën – DACA,” tha presidentit Trump sot në një koment në Twitter para njoftimit zyrtar për shfuqizimin e programit.
Askush nuk do të ndikohet para 5 marsit, 2018
Sessions, një konservator i ligjit të imigracionit që i kishte kërkuar presidentit Trump t’i jepte fund programit, nuk pranoi pyetje nga gazetarët kur bëri njoftimin për t’i dhënë fund mbrojtjes ndaj deportimeve masive.
Shefja në detyrë për Sigurinë Kombëtare, Elaine Duke tha në një deklaratë, “vendimi i kësaj administrate për të shfuqizuar programin DACA nuk ishte i lehtë. Departamenti i Drejtësisë ka vlerësuar me kujdes kushtetueshmërinë e programit dhe vendosi se ai është në kundërshtim me ligjet ekzistuese të imigracionit.”
Ajo shtoi se, “si rezultat i kësaj çështje ligjore, ne u përballëm me dy opsione; t’i jepnim fund programit në një mënyrë të rregullt duke mbrojtur përfituesit e tij në një afat të shkurtër kohor, ndërsa punojmë me Kongresin për të miratuar ligjin; ose të lejojmë që gjyqësori të mbyllte programin përfundimisht dhe në mënyrë të menjëhershme. Ne zgjodhëm opsionin më pak pengues.”
Zonja Duke tha se prokurorët e përgjithshëm të disa shteteve, përfshi Teksasin, u kishin thënë zyrtarëve të Sigurisë Kombëtare se nëse administrate nuk do të merrte hapa për t’i dhënë fund programit të zotit Obama deri të martën, ata do të kërkonin një urdhër të gjykatës për të mbyllur programin. Ligjvënësit konservatorë dhe disa zyrtarë republikanë kanë kohë që pretendojnë se urdhëri i ish presidentit Obama përbën shkelje të kompetencave të degës ekzekutive.
Drejtoresha e Sigurisë Kombëtare tha se “asnjë nga përfituesit” e programit nuk do të ndikohet deri në datën 5 mars, 2018 duke i dhënë Kongresit shansin të veprojë për të miratuar një ligj.
Reagimet
Ligjvënës të rëndësishëm dhe drejtues të biznesit po i bëjnë thirrje Kongresit që të miratojë legjislacionin për të mbrojtur 800,000 imigrantë të rinj pa dokumenta nga deportimi, pasi Presidenti Donald Trump vendosi t’i japë fund një programi që i lejoi ata të qëndronin në Shtetet e Bashkuara për të studiuar, punuar dhe shërbyer në ushtri, vite pasi prindërit e tyre në mënyrë të paligjshme i sollën ata në vend.
Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, Paul Ryan tha se shpresonte që Kongresi “me udhëheqjen e presidentit do të jetë në gjendje të gjejë konsensus për një zgjidhje të përhershme legjislative që përfshin sigurimin se ata që nuk kanë bërë asgjë të gabuar mund të kontribuojnë ende si një pjesë e çmuar e këtij vendi të madh “.
Ryan tha se programi DACA i vitit 2012 i krijuar nga ish-presidenti Barak Obama, “megjithëse me qëllim të mirë … ishte një keqpërdorim i qartë i autoritetit të ekzekutivit”. Por tani, tha Ryan, “ka më shumë për të bërë” për të mbrojtur “të rinjtë që erdhën në këtë vend jo për fajin e tyre”, si dhe për arritjen e marrëveshjeve për sigurinë e kufirit dhe çështje të tjera të imigracionit.
Senatori Rand Paul, një republikan që vitin e kaluar nuk arriti të siguronte kandidaturën presidenciale të partisë, tha: “Akti ekzekutiv i Presidentit Obama ishte i paligjshëm, por ky është një problem real që duhet ta zgjidhim në mënyrë dypartiake”.
Senatori John McCain, kandidati republikan i republikanëve në zgjedhjet presidenciale 2008, i cili humbi ndaj Barack Obamës, tha: “Vendimi i Presidentit Trump për të eliminuar programin DACA është qasja e gabuar në politikën e emigracionit në një kohë kur të dyja palët duhet të bashkohen për të reformuar sistemin tonë të thyer të emigracionit dhe sigurimin e kufijëve.
Me këtë akt Presidenti Trump përmbush një nga zotimet kryesore të fushatës.
Menjëherë pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, u duk se presidenti po e zbuste tonin në adresë të atyre që janë sjellë ilegalisht në këtë vend kur ishin fëmijë.
“Do të tregojmë që kemi zemër të madhe. DACA është një temë shumë, shumë e vështirë,” pati thënë presidenti.
Por presidenti dhe shumë republikanë në Kongres besojnë se programi DACA është një akt i paligjshëm, pasi anashkaloi Kongresin. Me anullimin e tij afro 800 mijë imigrantë të paligjshëm mund të jenë nën rrezikun e deportimit.
Ceasar Vargas, Koalicioni “Dream Action”
“Si jurist, si person i mbrojtur nga DACA, unë rrezikohem të humbas të drejtën për të praktikuar profesionin, të drejtën e punës, pantentën e makinës,” thotë aktivisti Ceasar Vargas.
Zyrtarët kanë thënë se masa shoqërohet me një afat kohor për t’i dhënë mundësi Kongresit të merret me këtë temë:
Bernie Sanders, senator
“I them Kongresit amerikan, se nëse Presidenti Trump i përmbahet këtij vendimi të pashpirt, ne e kemi për detyrë të miratojmë një ligj që të mbrojmë këta të rinj dhe t’i japim programit formë të përhershme,” thotë Senatori Bernie Sanders.
Anëtarët e Kongresit nuk ishin pjesë e procesit për hartimin e këtij programi, i cili u krijua me urdhër ekzekutiv të ish-presidentit Obama.
Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan ka thënë se Kongresi duhet të gjejë një mënyrë për t’i mbrojtur të rinjtë që mbulohen nga programi DACA.
Profesori i jurisprudencës David Abraham, i cili foli përmes Skype-it thotë se ka ndërlikime të tjera nga ky vendim:
“Bëhet fjalë për 800 mijë vetë, gjysma e tyre në Teksas dhe Kaliforni, të cilët janë pjesëtarë shumë produktivë të shoqërisë: vazhdojnë studimet, shërbejnë në forcat e armatosura, jetojnë një jetë të pastër, pasi një ndër kërkesat për mbrojtje nga DACA është të mos kenë pasur përplasje me ligjin”.
Një betejë e re politike hapet në Uashington, ndërkohë që në të gjithë vendin qindra mijëra të rinj janë para një të ardhmeje të paqartë.
Komentet