Presidenti amerikan Donald Trump duket se do të vërë në jetë planin e tij për të përcaktuar zyrtarisht kartelet e drogës meksikane si organizata terroriste. Njoftimi i tij e ka vënë në pozita mbrojtëse qeverinë meksikane. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Ardita Dunellari i hedh një vështrim ndikimit politik të një lëvizjeje të tillë dhe efektin e saj në marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Meksikë.
Makina të djegura, rrugë të lyera me gjak dhe civilë të tmerruar, kjo është pasoja e konfliktit të dhunshëm të së shtunës mes karteleve të drogës dhe autoriteteve meksikane. Kjo përballje la 22 të vdekur, përfshirë katër policë.
Krimi i organizuar ndërkufitar mbetet një sfidë serioze e sigurisë si për Meksikën ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara. Një sulm i pamëshirshëm i grupeve të drogës la nëntë shtetas amerikanë të vdekur në fillim të nëntorit në Meksikë, duke bërë që Presidenti Trump të deklaronte synimin e tij për t’i shpallur kartelet e drogës si Organizata të Huaja Terroriste. Presidenti e përsëriti premtimin e tij në një intervistë javën e kaluar.
Analistit Adam Isacson kjo i kujton retorikën e fushatës, kur Presidenti fliste për Amerikën Latine si një rajon që dërgon njerëz të këqij në Shtetet e Bashkuara.
“Ideja e futjes së grupeve kriminale në listën e organizatave terroriste dhe kthimi i vëmendjes tek kaosi që po ndodh në Meksikë, përshtatet shumë mirë me mesazhin e Presidentit.”
Kjo do t’i jepte autoritetin institucioneve amerikane për të ngrirë pasuritë financiare të këtyre grupeve kriminale, ndjekjen e tyre penale për aktivitetet që mbështesin terrorizmin dhe ndalimin e hyrjes në vend për individë dhe subjekte të lidhura me këto grupe.
Presidenti Trump tha se ai i kishte ofruar presidentit Meksikan ndihmë për “të hyrë brenda dhe për të pastruar (zonat nga grupet kriminale)”, duke krijuar shqietësim për një ndërhyrje të mundshme amerikane.
Presidenti Meksikan reagoi menjëherë, duke deklaruar se asnjë forcë e huaj nuk do të përfshihej në vendosjen e rendit dhe ligjit në Meksikë:
“Ne nuk pranojmë asnjë lloj ndërhyrje. Ne jemi një vend i lirë, sovran”, tha Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador.
Qeveria meksikane është pak e shqetësuar për sovranitetin, duke marrë parasysh se si ajo nga presioni liroi djalin e udhëheqësit famëkeq të karteleve të drogës, El Chapo, thotë Dan Cadman nga Qendra për Studime të Emigracionit. Sipas tij, fajin e ka paaftësia e autoriteteve meksikane për të trajtuar problemin e karteleve të drogës.
“Ata janë duke minuar aftësinë e qeverisë për të kontrolluar veten në të njëjtën mënyrë siç bënë Talibanët në Afganistan, ku ata kontrollojnë fushat me opium.”
Kritikët e kësaj politike, përfshirë analistin Isacson, janë kundër përdorimit të mjeteve të krijuara për të luftuar terrorizmin në luftën kundër karteleve të krimit. Sipas kritikëve, kjo nuk do të përmirësonte aftësitë e luftimit të krimit, por mund t’i dobësojë masat e antiterrorizmit. Zoti Isacson ngre shqetësime për efektin negativ që futja e këtyre grupeve në listën e organizatave terroriste do të kishte në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, dy vende që ndajnë shumë më tepër sesa një kufi dhe një interes të përbashkët për të luftuar krimin e organizuar.
Mbetet për t’u parë nëse Departamenti i Shtetit do të shpallë kartelet meksikane të drogës organizata terroriste, pasi ligji amerikan specifikon një numër kriteresh për futjen e grupeve dhe individët në listën e organizatave terroriste.
Komentet