Presidenti i zgjedhur Donald Trump thotë se është “qesharak” konkluzioni i Agjensisë Qendrore të Zbulimit – CIA, se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale për të rritur shanset e fitores së tij. Zoti Trump e quajti këtë “një tjetër justifikim” të demokratëve për humbjen e ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton.
“Nuk e besoj. Nëse shikoni se çfarë CIA ka thënë, aty ka shumë konfuzion. Askush nuk e di. Nuk ja kanë idenë nëse ishte Rusia apo Kina, apo dikush tjetër. Mund të jetë dikush që e bën nga krevati”, tha zotit Trump.
Zoti Trump i tha kanalit Fox News se nuk e kundërshton urdhërin e Presidentit Barack Obama për shqyrtimin e sulmeve kibernetike, për të cilat CIA konkludoi se u bënë nga Rusia gjatë fushatës së zgjatur të zgjedhjeve presidenciale amerikane, por ai shtoi se “nuk duhet të thoni vetëm ‘Rusia’. Duhet të përmendni edhe vende të tjera, ndoshta edhe individë të tjerë.” CIA është shprehur me shumë siguri se Rusia ndihmoi në fitoren e zotit Trump.
Zyrtarë të administratës Obama thonë se agjensitë amerikane të zbulimit kanë konkluduar se Rusia ndërhyri në fazën e fundit të fushatës presidenciale për ta ndihmuar zotin Trump të fitonte presidencën, dhe jo thjesht u përzie në procesin elektoral amerikan, siç besohej më parë. Ky konkluzion bazohet tek zbulesa se rusët thyen sistemet kompjuterike të Komitetit Republikan Kombëtar, krahas atyre të organizatave demokrate, por bënë publike nëpërmjet “Wikileaks” vetëm email-et e sikletshme të demokratëve.
Refuzimi i republikanit Trump të konkluzionit të CIA-s u bë ndërkohë që ish-kandidati presidencial republikan i vitit 2008, Senatori John McCain, dhe tre senatorë të tjerë, bënë thirrje për një hetim të ndërhyrjes së Moskës në zgjedhje, duke thënë se kjo “duhet të alarmojë çdo amerikan”. Zoti McCain, së bashku me republikanin Lindsey Graham dhe demokratët Jack Reed dhe Chuck Schumer, thonë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin fund “rrezikut serioz ndaj sigurisë tonë kombëtare nga sulme kibernetike të kryera nga qeveri të huaja”.
Edhe përpara se zoti Trump të përqeshte konkluzionin e CIA-s në këtë intervistë për kanalin “Fox News”, ekipi i tij i tranzicionit e dënoi agjensinë e zbulimit duke deklaruar se “këta janë të njëjtit njerëz që thanë se Saddam Hussein ka armë të shkatërrimit në masë”, dhe duke shtuar se zgjedhjet tashmë kanë përfunduar dhe se “është koha të lëvizet përpara për ta bërë Amerikën sërish madhështore”.
Në intervistë, zoti Trump lavdëroi shefin ekzekutiv të firmës “ExxonMobil”, Rex Tillerson, një kandidat kryesues për t’u bërë sekretar shteti, si një person me kontakte në mbarë botën dhe që ka bërë marrëveshje hidrokarburesh me Rusinë. Por, zoti McCain dhe zoti Graham gjithashtu shprehën shqetësim për përzgjedhjen e 64-vjeçarit Tillerson dhe të lidhjeve të tij me Presidentin rus Vladimir Putin.
Megjithëse nuk është bërë një njoftim, ndihmësa të zotit Trump thonë se Presidenti i zgjedhur është përqëndruar tek zoti Tillerson për postin e kryediplomatit amerikan, pas gati një muaji kërkimi kandidaturash. Megjithëse nuk e konfirmoi emërimin, zoti Trump tha se zoti Tillerson ka “avantazhin e madh” që njeh shumë udhëheqës botërore në mbarë globin dhe se “i njeh ata shumë mirë”.
Por, mbështetja e tij e kahershme për tregtinë e lirë dhe për një prezencë të gjerë në Lindjen e Mesme janë në kundërshti me pozicionet që zotit Trump mbajti gjatë fushatës presidenciale.
“Ai është shumë më tepër se një drejtues biznesi,” tha zoti Trump. “Ai është një lojtar i klasit botëror. Ai drejton një kompani nafte, e cila ka dyfishin e përmasave të firmës më të afërt konkuruese. Ai arrin marrëveshje të mëdha në Rusi. Ai arrin marrëveshje për kompaninë, jo për veten, por për kompaninë.”
Zoti McCain tha se përzgjedhja e zotit Tillerson përbën një shqetësim për të.
“I duhet dhënë koha e mjaftueshme presidentit të zgjedhur amerikan pasi populli e zgjodhi atë. Por, Vladimir Putin është një gangster, një kokorroç dhe një vrasës, dhe kushdo që e përshkruan ndryshe gënjen”, tha zoti McCain.
Pas marrëveshjeve të naftës të zotit Tillerson me Rusinë, Kremlini i dha “Urdhërin e Miqësisë”, një nder që u rezervohet shtetasve të huaj. Emërimit të zotit Tillerson do t’i duhet konfirmim nga Senati, dhe zoti Graham tha se me medaljen që i është dhënë nga Rusia, “do të duhet t’i drejtojmë disa pyetje. Nuk dua ta paragjykoj personin, por ky është një fakt trazues.”
Zoti Tillerson, drejtor ekzekutiv i kompanisë më të madhe në botë, mbikqyr operacione në mbi 50 vende, përfshirë në Rusi. Firma “ExxonMobil” nënshkroi një marrëveshje eksplorimi dhe prodhimi të naftës në vitin 2011 me kompaninë më të madhe shtetërore të naftës në Rusi, “Rosneft”. Që nga viti 2011, dy kompanitë kanë zhvilluar 10 projekte të përbashkëta në Rusi.
Zoti Tillerson u takua privatisht me presidentin e zgjedhur të martën dhe sërish të shtunën, pas rekomandimit të ish-Sekretares së Shtetit Condoleezza Rice dhe ish-Sekretarit të Mbrojtjes Robert Gates. Një zyrtar i ekipit të tranzicionit tha se zotit Trump i kanë lënë mbresa stili dhe eksperienca e zotit Tillerson.
Komentet