Siria, marrëveshja me Iranin dhe tregëtia janë çështjet më të mprehta të takimit në Uashington mes dy presidentëve, atij amerikan Donald Trump dhe atij francez Emmanuel Macron. Kjo është vizita e parë shtetërore e një udhëheqësi të huaj gjatë administratës Trump dhe siç tha presidenti amerikan plotësisht e përshtatshme për shkak të lidhjes së fortë me një aleat të vjetër siç është Franca. Një ceremoni ushtarake në Shtëpinë e Bardhë i parapriu takimit mes dy udhëheqësve.
Në ditën e dytë të vizitës së tij shtetërore në Uashington, presidenti francez u prit në Shtëpinë e Bardhë me një ceremoni ushtarake, që angazhoi 500 trupa të forcave të armatosura amerikane. Dy udhëheqësit shoqëroheshin nga bashkëshortet e tyre, zonja e parë amerikane Melania Trump dhe bashkëshortja e presidentit francez Brigitte Macron.
Gjatë një fjalimi që pasoi ceremoninë pritjes, presidenti amerikan tha se vizita e presidentit Macron është dëmshi e marrëdhënies së qendrueshme me një vend aleat të vjetër të SHBA-së siç është Franca.
Është mëse e përshtatshme që ne po zhvillojmë vizitën e parë shtetërore me udhëheqësin e një aleati të vjetër të Amerikës, kombin krenar të Francës. Vizita juaj zoti president vjen në një moment vendimtar për aleancën tonë. Së bashku me miqtë tanë britanikë, Shtetet e Bashkuara dhe Franca ndërmorrën një akt vendimtar si përgjigje ndaj përdorimit të armëve kimike nga ana e regjimit sirian. Dua t’ju falenderoj personalisht ju, popullin francez dhe ushtrinë e vendit tuaj për partneritetin”, tha presidenti amerikan.
Presidenti Macron tha populli francez ka patur gjithnjë ndjenja te sinqerta ndaj popullit amerikan. Sipas tij për Francën, Amerika përfaqëson mundësi pa fund dhe dy popujt ndajnë së bashku idealet e paqes dhe lirisë.
Së bashku Franca dhe Shtetet e Bashkuara do të mposhtin terrorizmin. Dy vendet po përballen me të në forma të ndryshme. Ne së bashku do të përballemi me përhapjen e shpejtë të armëve të shkatërrimit në masë, tha presidenti Macron.
Pas ceremonisë së pritjes Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai francez Emmanuel Macron zhvilluan bisedime zyrtare. Takimi dypalësh trajtoi çështje me rëndësi globale me të cilat ballafaqohen qeveritë e dy vendeve, përfshirë luftën në Siri, programin bërthamor të Iranit dhe planin e presidentit Trump për të imponuar tarifa për importet e aluminit dhe çelikut.
Gjasat janë që zoti Macron të shfrytëzojë bisedimet në Shtëpinë e Bardhë për të bindur zotin Trump që të mos heqë dorë nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Presidenti amerikan e ka quajtur vazhdimisht atë një marrëveshje të keqe. Ai ka afat deri në 12 maj për të hequr dorë nga sanksionet ekonomike kundër Iranit si pjesë e marrëveshjes. Nga ana tjetër zoti Macron ka thënë se marrëveshja me Iranin nuk është e përsosur, por sipas tij mbi këtë çështje, nuk ka një “plan B.”
Ka të ngjarë gjithashtu që presidenti francez të bisedojë me zotin Trump mbi rëndësinë e qëndrimit të forcave amerikane në Siri. Zoti Trump ka folur për tërheqjen e amerikanëve nga Siria veriore. Por sipas zotit Macron kjo do të rriste rrezikun e braktisjes së Sirisë në duar e regjimit të Asadit dhe Iranit.
Në mbrëmje për nder të zotit Macron do të shtrohet një darkë shtetërore, ndërsa të mërkurën ai pritet të mbajë një fjalim përpara kongresit amerikan.
Ndërsa në Uashingtonin sot po zhvillohen takime mes Presidentit Donald Trump dhe presidentit francez Emmanuel Macron, Presidenti i Iranit foli kundër tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore mes Teheranit dhe fuqive botërore.
Në një fjalim të transmetuar nga televizioni shtetëror i Iranit Hassan Rouhani kërcënoi se Shtetet e Bashkuara do të përballeshin me pasoja të rënda, në se Uashingtoni vendos të tërhiqet nga marrëveshja e vitit 2015, e cila e frenoi programin e debatueshën bërthamor të Iranit, në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare ndaj këtij vendi të Lindjes së Mesme.
Zoti Rouhani tha se Irani dhe qeveria e tij “do t’i rezistojnë me forcë” çdo komploti nga Shtëpia e Bardhë dhe shtoi se Teherani është i përgatitur për skenarë të ndryshëm, ndërsa do të vazhdojë të respektojë marrëveshjen bërthamore.
Presidenti Trump nuk e ricertifikoi marrëveshjen bërthamore me Iranin në janar, por ai shtyu afatin e sanksioneve kryesore ndaj Teheranit, duke i lënë aleatëve europiane afat deri në 12 maj, për t’i bërë ndryshime marrëveshjes.
Komentet