Presidenti Joe Biden pret në Shtëpinë e Bardhë të enjten Kryeministrin e Kanadasë Justin Trudeau dhe Presidentin e Meksikës Andres Lopez Obrador, në kuadrin e samitit të parë të udhëheqësve të Amerikës së Veriut, që nga viti 2006. Njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara.
Samiti i ditës së enjte është takimi i parë trepalësh në pesë vjet mes udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Meksikës.
Zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Chris Meagher tha se takimi është kurorëzimi i një pune 10 mujore për rigjallërimin ekonomik dhe bashkëpunimin për të zgjidhur sfidat rajonale dhe globale.
Shtëpia e Bardhë thotë se fokusi do të jetë tek ndryshimet klimatike, një vizion rajonal për emigracionin, konkurencën ekonomike dhe rritjen e qëndrueshme, si dhe bashkëpunimin për t’i dhënë fund pandemisë së COVID-19ës.
Samiti zhvillohet pasi Uashingoni filloi lehtësimin e masave 18-mujore për të lejuar vizitorët plotësisht të vaksinuar nga Kanadaja dhe Meksika.
“Kanadaja dhe Meksika i kanë përjetuar pasojat tek sektorë thelbësorë të ekonomisë prej reagimit fillimisht të pakoordinuar ndaj pandemisë nëpërmjet mbylljes së kufijve. Pra duhet ngritur një plan për sigurinë shëndetësore në Amerikën e Veriut, si dhe se si duhet të bashkëpunojnë ekonomitë për të rritur kapacitetet e zinxhirit rajonal të furnizimit”, thotë Jason Marczak, nga Këshilli i Atlantikut.
Megjithëse është përmirësuar toni i përgjithshëm i marrëdhënieve pas viteve të turbullta nën drejtimin e ish-Presidentit Trump, marrëdhëniet janë tensionuar që nga nënshkrimi në vitin 2020 i Marrëveshjes tregtare SHBA-Meksikë-Kanada.
Grupet e biznesit dhe ligjvënësit kanë ngritur shqetësime për veprimet e Meksikës për të cilat thonë se kërcënojnë eksportet bujqësore amerikane dhe investimet në fushën energjitike.
Ndërkohë, Meksika dhe Kanadaja janë kundër subvencionimeve që Presidenti Biden ka propozuar për makinat që prodhohen nga punëtorë që janë të organizuar në sindikata, siç janë p.sh. punëtorët e një fabrike të kompanisë General Motors që ai vizitoi të mërkurën.
“Nxitja e prodhimit të makinave të pastra (ekologjike) nëpërmjet huave të reja dhe krediteve të reja për taksat. Krijimi i iniciativave për konsumatorët që të blejnë makina të pastra të prodhuara në Amerikë nga punëtorë të organizuar në sindikata”, u tha punonjësve Presidenti Biden.
Presidenti Biden dhe Presidenti meksikan Obrador kanë qëndrime të kundërta për bllokadën ekonomike ndaj Kubës dhe fluksin e emigrantëve drejt kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara.
Gjithashtu, sektori kanadez i energjitikës u zhgënjye nga vendimi i Presidentit Biden për të anulluar naftësjellësin Keystone, duke i dhënë fund kështu një beteje që kishte filluar një dekadë më parë.
“Ekziston sigurisht çështja e naftësjellësit Keystone XL që u anullua nga administrata e Presidentit Biden. Ekziston çështja e zinxhirit të furnizimit që u dëmtua gjatë pandemisë. Apo fakti se Shtetet e Bashkuara ndalën për ca kohë dërgimin e paisjeve mbrojtëse personale drejt Kanadasë, me qëllimin për t’i ruajtur për vete”, thotë Ryan Berg, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Që kur mori detyrën, Presidenti Biden është takuar vetëm virtualisht me Presidentët Obrador dhe Trudeau. Kjo do të jetë hera e parë që do të takohen personalisht.
Komentet