Me shtimin e emigrantëve në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara, administrata Biden ndodhet nën presion për krijimin e shpejtë të politikave dhe procedurave që rregullojnë situatën, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët.
“Mesazhi është i qartë, mos ejani. Kufiri është i mbyllur. Kufiri është i sigurt”, thotë Alejandro Mayorkas, Sekretari i Sigurisë Kombëtare.
Ky është mesazhi nga administrata Biden ndërsa numri i emigrantëve në kufurin jugor është drejt shifrës më të lartë në 20 vjet. Aministrata thotë se për shkak të pandemisë, tani nuk është koha që njerëzit të udhëtojnë. Të rriturit e pamartuar, të cilët përbëjnë shumicën e njerëzve në kufi, po dëbohen. E njëjta edhe me familjet.
Fëmijët që udhëtojnë vetëm nuk dëbohen. Sipas raporteve, mijëra fëmijë pa përkujdesje po mbahen në kufi.
Administrata Biden po përpiqet të gjejë strehim të përshtatshëm për ta dhe thotë se duhet të rindërtohet sistemi i trajtimit të emigrantëve që u shpërbë nga administrata Trump.
“Po rindërtojmë sistemin ndërsa merremi me nevojat e fëmijëve që arrijnë në kufijtë tanë“, thotë Alejandro Mayorkas, Sekretari i Sigurisë Kombëtare.
Disa ligjvënës republikanë thonë se është Presidenti Biden ai që krijoi situatën me mesazhe të paqarta, duke i dhënë fund të ashtuquajturës politikë Trump për Meksikën, e cila kërkonte që aziklërkuesit të prisnin atje për procedurat e tyre gjyqësore. Sipas tyre politika Trump dekurajonte emigrantët nga Hondurasi, Guatemala dhe vende tjera të nisin rrugëtimin.
“Gjëndja do të përkeqësohet edhe më shumë gjatë pranverës dhe verës. Mesazhi është Tani që kemi një president të ri, ejani; jemi të hapur për biznes me trafikantët’. Parashikoj që deri në verë një milion njerëz do të provojnë të futen në këtë vend”, thotë Ligjvënësi Republikan, Michael McCaul.
Fëmijët ndalohen për 72 orë para transferimit në qendra kujdesi për të miturit. Administrata hapi tre mjedise të reja javën që shkoi por nuk pranoi të jepte afat kohor të hapjes së qendrave të tjera për të përballuar valën e emigrantëve.
Komentet