Presidenti Joe Biden njohu si genocid vrasjet sistematike dhe deportimin e qindra mijëra armenëve nga turqit osmanë një shekull më parë. Presidenti Biden bëhet kështu presidenti i parë amerikan që ndërmerr këtë hap.
Pamjet e rralla nga viti 1923 të publikuara nga Cineteca e Bolonjës tregojnë të mbijetuarit e dëbimit dhe maskrave masive të armenëve nga Perandoria Osmane në 1915 dhe 1916.
Disa nga filmimet tregojnë anije të mbushura me fëmijë në Turqi dhe vargane refugjatësh që përshkojnë rrugët.
Armenët thonë se deri në 1.5 milion njerëz u vranë gjatë Luftës së Parë Botërore ndërsa Perandoria Osmane u shpërbë, një pretendim i mbështetur nga rreth 30 vende.
Turqia, e cila u ngrit nga hiri i Perandorisë Osmane në vitet 1920, ende refuzon me forcë klasifikimin si genocid, duke thënë se 300 mijë deri në 500 mijë armenë dhe të paktën po aq turq vdiqën në luftime kur armenët u ngritën kundër sundimtarëve të tyre osmanë.
Mizoritë përkujtohen në Armeni dhe në komunitetet armene në të gjithë botën çdo 24 prill.
Këtë javë, më shumë se 100 ligjvënës amerikanë nga të dy anët e spektrit politik i dërguan një letër Presidentit Biden duke i kërkuar të përdorë në veçanti fjalën “genocid” gjatë aktiviteteve përkujtimore. Ligjvënësi demokrat Brad Sherman i Kalifornisë ka kohë që mbështet njohjen e genocidit.
“Mohimi i genocidit është akti i fundit i një genocidi. Së pari shfaroset një popull, pastaj përpiqen të zhdukin kujtesën e shfarosjes. Është hapi i parë për genocidin e ardhshëm”, thotë Ligjvënësi Sherman.
Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlut Cavusoglu paralajmëroi administratën e Presidentit Biden se njohja e genocidit do të “dëmtojë” lidhjet e Shteteve të Bashkuara me Ankaranë. I pyetur në lidhje me gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se Turqia është një aleat me vlerë në NATO.
“Si miq, si aleatë, kur kemi mosmarrëveshje, ne i ngremë ato, nuk i mbulojmë“, tha zoti Price.
Analistët thonë se Presidenti Biden ka më shumë të ngjarë se ish-Presidenti Donald Trump të bëjë përcaktimin e genocidit, për shkak të raportit miqësor të ish-Presidentit Trump me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, si dhe më shumë të ngjarë se presidentët e mëparshëm demokratë.
“Ndryshe nga administrata e mëparshme, nuk ka një marrëdhënie personale midis presidentit dhe udhëheqësit turk, Erdogan. Gjatë fushatës, presidenti bëri disa komente të ashpra për autokratët, duke iu referuar udhëheqësit turk“, thotë Hrach Gregorian, nga Universiteti Amerikan.
Zoti Gregorian i tha Zërit të Amerikës se mund të ketë dëme afatshkurtra për marrëdhënien SHBA-Turqi nëse ka një njohje të genocidit, por ai nuk shqetësohet për dëmtime të qëndrueshme.
“Mendoj se do të digjen disa ura; kjo është simbolikisht e rëndësishme për të dy, sigurisht për Ankaranë, nëse jo më pak për Uashingtonin. Por ju e dini, në marrëdhëniet ndërkombëtare urat digjen dhe rindërtohen, sepse shtetet veprojnë sipas interesave të tyre kombëtare“, thotë zoti Gregorian.
Ekspertja për genocidin Anahit Khosroeva ndihmoi për një letër nga historianët armenë drejtuar Presidentit Biden, ku kërkohet që ai të përdorte fjalën “genocid” dhe ku paralajmërohet se numri i të mbijetuarve të mizorive po zvogëlohet.
“Tani kemi shumë të mbijetuar nga genocidi ndaj armenëve, [por] nga viti në vit, ata do të bëhen gjithnjë e më pak. Por, tani ata e mbajnë mend dhe kërkojnë drejtësi, sepse deri më tani Turqia [ka] një politikë mohimi, e cila vazhdon deri më sot“, thotë zonja Khosroeva.
Zonja Khosrova ra dakord me ekspertë të tjerë të genocidit se njohja zyrtare ndihmon për të parandaluar mizoritë në të ardhmen kundër minoriteteve etnike dhe fetare.
Komentet