Jon Huntsman, ish- governator në Utah, është nominuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ambasador në Rusi.
Kjo pozitë do të testojë nëse ai do të përdor përvojën diplomatike dhe njohuritë në biznes, për përfaqësimin e interesave të SHBA-së në Moskë.
Nëse aprovohet nga Senati, pozita e tij si ambasador ka mbrapa vetes disa sfida, pas supozimeve se Kremlini ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.
Rusia i mohon këto deklarata.
Hutsman, është diplomat veteran, i cili ka shërbyer në administratën e pesë presidentëve të SHBA-së.
Në vitin 2012 ai ishte kandidat për president, i nominuar nga republikanët.
Por përvoja e tij është e kufizuar kur bëhet fjalë për Rusinë.
Huntsman, ka qenë i dërguari special i SHBA-së në Kinë, gjatë periudhës së udhëheqjes së ish-presidentit amerikan, Barack Obama, për të menaxhuar sfidat e Uashingtonit në marrëdhëniet me Pekinin.
Miliarderi 57-vjeçar, ka shërbyer edhe si ambasador i SHBA-së në Singapor, gjatë udhëheqjes së ish-presidentit George H. W. Bush.
Për muaj të tërë është diskutuar se Trump “ka rezervuar” kohë më parë këtë pozitë për Huntsman, ndonëse ky i fundit ka qenë kritik në të kaluarën për presidentin e tij të ardhshëm.
Gjatë fushatës presidenciale më 2016 në SHBA, ai i pati kërkuar Trumpit të largohej nga kandidatura për president, pas publikimit të një videoje, në të cilin protagonist ishte presidenti i tanishëm Trump, duke bërë komente vulgare për disa gra.
James Collins, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Moskë, në periudhën 1997-2001, kur Bill Clinton udhëhiqte shtetin amerikan, ka folur për perspektivën e Huntsmanit në Moskë.
“Zoti Huntsman do të shihet si zgjedhje e duhur për atë post, si person i rëndësishëm politikisht”, ka thënë ai.
“Mendoj që një vendim i tillë, do të interpretohet si sinjal se Trump ka përzgjedhur një njeri me përvojë”, ka shtuar tutje Collins.
Në rast se Huntsman merr postin, ai do ta kryejë detyrën e tij në Moskë, i përcjellur nga një situatë e tensionuar në mes të dy superfuqive.
Trump ka treguar gatishmëri për të rregulluar marrëdhëniet me Rusinë, të cilat janë lëkundur pas konflikteve në Ukrainë dhe Siri.
Presidenti amerikan, Donald Trump është takuar dy herë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, gjatë punimeve të samitit G20 në Hamburg të Gjermanisë.
Para kamerave ata i kanë zgjatur dorën njëri- tjetrit dhe kanë dhënë përshtypjen se janë të gatshëm për të krijuar një atmosferë më të ngrohtë mes dy vendeve.
Mirëpo larg buzëqeshjeve, presioni mes dy palëve vazhdon të rritet pas njoftimit se bashkëpunëtorët e Trumpit dhe zyrtarë rusë, janë takuar mes vete para mbajtjes së zgjedhjeve në SHBA.
Sidoqoftë, ambasadorët e fundit amerikanë në Rusi janë përballur me vështirësi gjatë kryerjes së detyrës.
John Tefft, ambasadori në largim i SHBA-së që ka shërbyer në Rusi është akuzuar disa herë nga përfaqësues të Kremlinit se ka tentuar të nxisë mosmarrëveshje në këtë vend.
Në ditën e tij të dytë të punës, gjatë vitit 2012, një moderator në NTV (televizion i cili kontrollohet nga gjiganti shtetëror Gazprom), e ka akuzuar ambasadorin Tefft, se është dërguar në Rusi për të nxitur revolucion.
Sidoqoftë, Kremlini u tregua i kujdesshëm kur në mars u njoftua për mundësinë që Huntsman të marrë detyrën e ambasadorit në Rusi.
“Do të mirëpresim secilin ambasador amerikan në Rusi, i cili do të jetë mbështetës i palëkundur i idesë së zhvillimit të dialogut në mes të dy vendeve”, pati thënë Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin.
‘Politika Potemkin’
Hutsman, një i martuar me shtatë fëmijë, përfshirë edhe dy fëmijë të adoptuar, rrjedh nga një familje e pasur nga Utah, kapital i cili është ndërtuar nga prodhimet kimike.
Kompania e familjes së tij ka disa ndërtesa biznesore në Rusi, shumica prej tyre janë fabrika që prodhojnë substanca të ndryshme kimike për përdorim shtëpiak dhe industrial.
Disa kritikë kanë dyshuar në mundësinë që Huntsman të negociojë me Moskën në mënyrën të paanshme, marrë parasysh interesat e kompanisë së familjes së tij në Rusi.
Huntsman ka një ulëse edhe në bordin e drejtorëve të kompanisë amerikane të automjeteve Ford, e cila ka një numër të fabrikave në Rusi.
Ai është edhe anëtar i kishës Mormone, e cila është vetëm njëra nga objektet fetare që i janë nënshtruar presionit në rritje nga autoritetet ruse.
Sa i përket çështjes së Rusisë, Huntsman është i njohur për disa deklarata që i ka bërë më 2012, kur sfidonte ish-presidentin Barack Obama, i cili po kandidonte për mandatin e dytë si president i SHBA-së.
Huntsman ishte deklaruar rreth çështjeve të SHBA-së me Rusinë, pasi presidenti i atëhershëm Barack Obama, bënte përpjekje për rregullimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Kjo është politikë Potemkin”, pati thënë ai përmes një deklarate.
“Ne kemi nevojë për përmirësim të marrëdhënieve me Rusinë, mirëpo ne nuk duhet të bëjmë marrëveshje që pasqyron politikën e njohur si ‘Fshati Potemkin’, përmes së cilës, ne sillemi sikur kemi bashkëpunim me Kremlinin, më shumë se sa në realitet, sikur Kremlini është më demokrat sesa në të vërtetë është, apo ta pasqyrojmë Rusinë si më pak të rrezikshme për fqinjët e saj se sa është tani”, thuhej ndër të tjera në deklaratën e Huntsman.
Kjo deklaratë nuk është e qasshme në faqen ku ishte publikuar për herë të parë, mirëpo gjendet në arkivat e tjera gjatë hulumtimit në internet.
Përgatiti: Krenare Cubolli
Komentet