Policia kufitare serbe, ndaloi futjen në territorin e Serbisë të disa fotografive dhe një katalogu fotografish me simbolet e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë, që ishin pjesë e një ekspozite të artistes Eliza Hoxha që do të hapet në Beograd.
Ndalimi i fotografive u bë derisa një grup artistësh po udhëtonin për në Beograd për të marrë pjesë në festivalin “Mirdita, Dobar Dan”, nëpërmjet të cilit synohet shkëmbimi i veprimtarive artistike si mjet për normalizimin e marrëdhënieve.
Ndalimi i fotografive nxiti reagime të ashpra në Kosovë. Presidenti Hashim Thaçi, tha se po i ndjek me shqetësim pengesat që autoritetet e Serbisë po ua bëjnë artistëve dhe të rinjve nga Kosova që janë nisur për të marrë pjesë në ekspozitën “Mirëdita, Dobar Dan” në Beograd.
“Arti, kultura, sporti nuk duhet të pengohen nga politika, veçanërisht kur angazhohen për paqe e pajtim. Për më tepër, kjo sjellje e autoriteteve të Serbisë është në kundërshtim të frymës së bashkëpunimit që po ndërtojmë në rajon dhe në kundërshtim me përpjekjet për të vënë raporte evropiane në mes vendeve të rajonit. Kjo bëhet edhe më e rëndë pas mesazheve të qarta të dhëna në Samitin e Sofjes në mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor se vendet e Evropës Juglindore nuk kanë të ardhme evropiane pa ndërtim dhe normalizim të marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore”, shkroi ai.
Kryeministri Ramush Haradinaj, shkroi në facebook se “Autoritetet serbe me aktin e ndalesës në kufi të artistëve kosovarë, të ftuar në festivalin “Mirëdita, Dobar Dan” në Beograd, po rrënojnë edhe ato pak mundësi për vendosjen e një komunikimi normal me Kosovën, qoftë edhe përmes artit, si gjuhë universale”.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes rrjetit social twitter, i quajti “skena të turpshme në kufi, pasi autoritetet e Serbisë po keqtrajtojnë artistë të Kosovës që udhëtojnë për në Beograd. Ne kërkojmë nga qeveria serbe që menjëherë të ndërpresë abuzimin e qytetarëve tanë ose do të marrim masa reciproke. Marrëdhëniet nuk mund të jenë normale nëse ndalojnë artistët të marrin pjesë në ekspozita”,thuhet në reagimin e zotit Hoxhaj.
Shameful scenes at the border, as #Serbian authorities are mistreating #Kosovo artists traveling to Belgrade. We demand from Serbian Gov to immediately stop abusing our citizens or we’ll take reciprocal measures. Relations can’t be normal if they ban artists to attend exhibitions pic.twitter.com/FhhlOnrTQy
— Enver Hoxhaj (@Enver_Hoxhaj) May 30, 2018
Festivali që mbahet nga sot deri më 2 qershor organizohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi në bashkëpunim me disa organizata nga Kosova me synonim për të ndihmuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Një vit më parë, autoritetet serbe i ndaluan pjesëmarrjen në kët festival ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga e cila ishte ftuar aty për të folur për librin, ”Dua të dëgjohem” – Libri i kujtimeve me tregime të grave që kanë përjetuar dhunë në luftën e fundit në Kosovë.
Kundër festivalit që sivjet mbahet për herë të pestë, gjatë javës kanë protestuar parti dhe lëvizje të djathta në Serbi.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, ajo është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës në shkëmbim të integrimit në Bashkimin Evropian.
Komentet