Sistemi në Shtëpinë e Bardhë po funksionon dhe “ne e kemi kontrolluar atë shumë mirë”, u tha Presidenti Trump gazetarëve të hënën kur u pyet për dy persona të afërt me të apo Nënpresidentin Mike Pence që rezultuan pozitivë për koronavirusin.
“Unë nuk kam ndjerë dobësi të sistemit”, tha Trump pasi një prej ndihmësve të tij personal dhe sekretarja e shtypit për nënpresidentin rezultuan të prekur nga COVID-19.
Disa anëtarë të grupit të punës, Drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive Dr. Anthony Fauci, Drejtori i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Dr. Robert Redfield, dhe Komisioneri i Administrimit të Ushqimit dhe Barnave Dr. Stephen Hahnhave janë duke u izoluar pas ekspozimit ndaj një zyrtar që ka testuar pozitiv për COVID-19.
Pati dëshmi të një serioziteti të shtuar në lidhje me virusin brenda Shtëpisë së Bardhë të hënën.
Gjatë një video-konference me guvernatorët, Pence dhe një anëtare e grupit të punës për koronavirusin, Dr. Deborah Birx, u ulën në dhoma të ndara. Gjatë konferencës zoti Pence iu referua faktit që disa punonjës të Shtëpisë së Bardhë testuan pozitivë për COVID-19.
Disa ndihmës të Shtëpisë së Bardhë, të cilët nuk ishin parë më parë të vinin maska, u panë me maska në fytyrë të hënën.
Një direktivë e lëshuar të hënën për stafin e Shtëpisë së Bardhë udhëzon që të gjithë të veshin maska në çdo kohë kur ndodhen në ndërtesë, përveçse kur ulen në tavolinat e tyre, konfirmoi një zyrtar i lartë i administratës për Zërit të Amerikës.
Kur presidenti u pyet të hënën nga një gazetar përse nuk ka nevojë që ai të verë maskë, Trump u përgjigj: “Unë nuk jam afër askujt”.
Një numër i stafit të Shtëpisë së Bardhë gjithashtu po i nënshtrohen gjithashtu testimit të përditshëm për koronavirus.
Që nga e hëna e kaluar, anëtarët e grupit të caktuar të gazetarëve që marrin pjesë në konferencë, kanë mbajtur maska në konferencë dhe gjatë mbulimit të ngjarjeve të tjera me presidentin Trump.
Që nga e premtja, ata që hyjnë në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë janë pyetur para se të kontrollohen për temperaturën nëse kanë përjetuar ndonjë simptomë gjatë 48 orëve të fundit.
Testet për COVID-19 u janë bërë gazetarëve që udhëtojnë me presidentin ose nënpresidentin një ditë para udhëtimeve të tilla.
Testet për Koronavirusin
Presidenti të hënën deklaroi se kushdo në Shtetet e Bashkuara që dëshiron të bëjë një test të COVID-19 mund të bëjë atë. Ai e bëri këtë deklaratë pavarësisht njoftimeve që vijnë nga pjesë të caktuara të vendit për vështirësi në testime.
Sipas administratës Trump, 11 miliardë dollarë u dërgohen shteteve për t’i ndihmuar të vazhdojnë të rrisin aftësitë e tyre të testimit për COVID-19.
Një zyrtar i lartë i administratës tha se “Mendoj se ne jemi në një gjendje ku të gjithë kanë atë që u nevojiten”, për sa i përket komponentëve për të kryer provat.
Sipas zyrtarit, deri në fund të javës, Shtetet e Bashkuara do të kenë kryer 10 milion teste COVID-19.
Shumë shpejt, amerikanët që kthehen në punë do të jenë në gjendje të testohen çdo ditë, parashikoi presidenti.
“Ne kemi triumfuar në testime”, tha presidenti Trump të hënën, duke pretenduar se vendi po kryen më shumë teste se çdo vend tjetër.
Azilet e të moshuarve
Megjithatë, shumë nga më të rrezikuarit për marrjen e virusit, ende nuk janë testuar.
Qeveria federale po u kërkon shteteve brenda dy javëve të ardhshme, të testojnë të një milion banorët e shtëpive të azilit, pasi të moshuarit janë veçanërisht të prekshëm ndaj koronavirusit, për të cilin nuk ka vaksinë.
Rreth 80,000 njerëz në Shtetet e Bashkuara kanë vdekur nga COVID-19.
Modeli i parashikuar nga Universiteti Johns Hopkins tani po tregon se numri i vdekjeve në vend mund të tejkalojë 137,000 deri në fund të gushtit pasi shtetet të lejojnë rihapjen e bizneseve.
Më shumë se 1.3 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara konfirmohet se janë infektuar nga virusi,shifra më e lartë nga çdo vend tjetër. zëri i amerikës
Komentet