Pas numërimit të shumicës së votave në zgjedhjet parlamentare të Sllovenisë, rezulton se partia opozitare e krahut të djathtë e udhëhequr nga ish-kryeministri, Janez Jansha kryeson dukshëm në krahasim me garuesit tjerë.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka thënë më 4 qershor se pas numërimit të 99 përqind të votave, Partia Demokratike Sllovene ka fituar 25 përqind të votave, duke fituar 25 nga 90 ulëset e parlamentit.
Aktori dhe politikani, Marjan Sarec, nga lista e pavarur e të majtëve është listuar i dyti me 12.7 përqind të votave, apo 13 ulëse në parlament.
Tri partitë tjera, Social Demokratët, partia e kryeministrit në shkuarje Miro Cerar dhe ajo e të majtëve kanë fituar secila rreth 9 përqind.
Në rast se rezultatet mbesin të njëjta, asnjëra parti nuk mund të sigurojë shumicën në Parlament, andaj ato duhet të nisin negociata për formimin e koalicionit qeverisës.
Përmes një fjalimi televiziv, 59-vjeçari Jansha ka thënë se partia e tij “i ka dyert e hapura dhe është e gatshme për koalicion” me të gjitha partitë.
Jansha ka qenë kryeministër në periudhat 2004-2008 dhe 2012-2013.
Ai ka kaluar gjashtë muaj në burg më 2014, pas dënimit të bazuar në akuza për ryshfet, të lidhura me një marrëveshje për armët më 2006, mirëpo është liruar masi Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar një rigjykim, i cili nuk u zhvilluar për shkak të skandimit të afatit kohor dhjetëvjeçar.
Jansha ka mohur vazhdimisht çdo keqbërje.
Ai njihet si aleat i kryeministrit hungarez me qasje kundër emigrantëve, Viktor Orban.
“Për shkak të politikës së tij për migrimin, Hungaria tani është shtet i sigurt, derisa Belgjika nuk është”, pati thënë Jansha përmes një postimi në Twitter.
Votuesit në disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Hungarinë dhe Poloninë, kanë përkrahur partitë që kundërshtojnë planet e bllokut, sipas të cilit shtetet duhet të pranojnë azilkërkues sipas kuotave.
Partia e Janshas, e mbështetur nga nacionalisti hungarez, Viktor Orban, kundërshton ashpër këto kuota, duke thënë se shumica e të hollave që përdoren për të mbështetur azilkërkuesit duhet të ndahen për forcat e sigurisë.
“Partia jonë vendos Slloveninë, sllovenët të parët”, ka thënë Jansha pas rezultateve, duke shtuar se partia e tij është e gatshme për bisedime me të gjitha palët tjera.
“Ne jemi të hapur për bashkëpunim, Sllovenia është duke u përballur me kohë kur na duhet bashkëpunimi”, ka shtuar tutje ai.
Presidenti Boru Pahor ka thënë se partisë që ka fituar më së shumti vota do t’i japë mundësinë për të formuar Qeverinë, mirëpo SDS-së i duhet të bëjë koalicion me të paktën dy parti për të fituar shumicën.
Dalja në këto zgjedhje ka qenë 51.5 përqind në krahasim me 51.7 përqind katër vjet më parë.
Për mbajtjen e zgjedhjeve të reja është njoftuar në muajin mars, pas dorëheqjes së kryeministrit, Miro Cerar pak kohë para se të përfundonte mandatin. Largimi i tij ka pasuar një vendim të Gjykatës Supreme për organizimin e një referendumi të ri mbi një projekt të investimeve hekurudhore të mbrojtur nga qeveria.
Mundësia e zgjedhjeve të reja
Jansha ka thënë se kriza e migrantëve është një nga sfidat më të mëdha me të cilët përballet BE-ja, duke shtuar se blloku duhet të punojë për të përmirësuar kushtet në shtetet prej nga vijnë migrantët.
Analistët kanë parashikuar se formimi i Qeverisë mund të jetë proces i vështirë madje disa besojnë se zgjedhjet e reja mund të organizohen shumë shpejt.
Kabineti i ri pritet të reformojë sektorin shëndetësor joefikas dhe sistemin pensional të Sllovenisë.
Komentet