Një gjykatës federal e shtyu marrjen e vendimit nëse Shtëpia e Bardhë duhet të lejojë të rikthehet në hapësirat e saj, qoftë edhe përkohësisht, korrespondentin e CNN-it, Jim Acosta.
Gjykatësi Timothy Kelly caktoi një seancë dëgjimore për t’u zhvilluar ditën e sotme.
Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë (WHCA) paraqiti të enjten një raport në mbështetje të kërkesës së kanalit CNN për të lejuar përkohësisht qasjen e korrespondentit Acosta në Shtëpinë e Bardhë, deri në marrjen e vendimit për padinë gjyqësore “CNN kundër Donald J. Trump”. Gjatë seancës dëgjimore të së mërkurës, Departamenti i Drejtësisë paraqiti argumentin se Presidenti ka autoritet të plotë të përzgjedhë gazetarët që do të mbulojnë aktivitetet e tij. Por, WHCA theksoi rrezikun që paraqet për të gjithë gazetarët dhe publikun amerikan, nëse Presidentit i lejohet të vazhdojë praktikën e nisur.
Avokati i kanalit CNN, Ted Boutrous i tha të mërkurën gjykatësit Kelly se Shtëpia e Bardhë ka hapësira të mëtejshme për ta penguar korrespondentin Acosta, si p.sh. duke mos e ftuar për të drejtuar pyetje në konferencat për shtyp.
Megjithatë avokati shtoi se “nga sa e njoh Presidentin Trump, ai do t’i drejtohet Acostas që në ditën e parë pasi të ketë marrë sërish kredencialet e shtypit”.
Juristët e qeverisë thonë se sjellja e zotit Acosta pengoi Shtëpinë e Bardhë të zhvillojë një konferencë normale për shtyp.
“Nuk përbën këndvështrim përpjekja e një gazetari të vetëm për të monopolizuar një konferencë për shtyp”, u shpreh Zv.Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm, James Burnham. Ai i tha gjykatësit se pezullimi i kredencialeve të zotit Acosta nuk i shkaktoi dëm të menjëhershëm dhe të pariparueshëm, gjë që do të justifikonte një urdhër të përkohshëm gjykate.
“Ndërsa për CNN-in, mendoj se nuk ka asnjë lloj dëmi”, tha zoti Burnham, duke vënë në dukje se 50 gazetarë të tjerë të këtij rrjeti informativ kanë kredenciale për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë.
“Presidenti dhe Shtëpia e Bardhë kanë të njëjtin autoritet të gjerë për të përcaktuar qasjen në Shtëpinë e Bardhë për gazetarët (dhe publikun e gjerë), ashtu siç kanë autoritetin për të zgjedhur se cilët gazetarëve do t’u jepet mundësia të zhvillojnë intervista, apo emrat e gazetarëve që do të ftohen të bëjnë pyetje gjatë konferencave të shtypit”, shkruhet në argumentin ligjor të paraqitur nga Departamenti i Drejtësisë, në emër të Shtëpisë së Bardhë.
I pyetur nga faqja konservatore e internetit “Daily Caller” nëse pret që ta fitojë padinë gjyqësore, Presidenti Trump u përgjigj: “Do të shohim se çfarë do të vendosë gjykata. A është liri e shtypit kur dikush që vjen, fillon të bëjë pyetje duke bërtitur dhe nuk ulet?”
Shumë organizata të mediave kanë dalë në mbështetje të padisë ligjore të CNN-it, përfshirë kanalin “Fox News” që perceptohet si grup mediatik përgjithësisht mbështetës i Presidentit Trump.
Në një deklaratë të kreut të “Fox News”, Jay Wallace, thuhet se “fletëkalimet e lëshuara nga Shërbimi Sekret për gazetarët që punojnë në Shtëpinë në Bardhë nuk duhet të shndërrohen në mjet lufte. Megjithëse nuk mbështesim tonin antagonist gjithnjë e në rritje, si të Presidentit ashtu edhe të gazetarëve gjatë konferencave të fundit për shtyp, ne mbështesim lirinë e shtypit, qasjen e lirë dhe shkëmbimet e hapura për popullin amerikan”.
Në mbështetje dolën disa organizata mediatike, si “The Associated Press”, “Bloomberg”, “CBS News”, “NBC News”, “The New Yorks Times”, “USA Today”, të cilët i paraqitën gjykatës argumenta me shkrim në mbështetje të padisë së CNN-it kundër Shtëpisë së Bardhë.
Komentet