Quhet Whitney Warren, dhe është Dikush.
Fjala është konkretisht për arkitektin e njohur amerikan dhe bashkëthemeluesin e firmës “Warren and Wetmore” e cila, vetëm në vitet 1910-1930, ndërmori projektimin dhe ndërtimin e mbi 50 godinave madhështore në Manhatan e në New York City.
Siç del më poshtë nga artikulli i tij “Shqipëria”, botuar më 23 nëntor 1918 në organin francez “la Rennaissance”, ai ka qenë për vizitë në vendin tonë, pikërisht në mbarim të Luftës së parë botërore, një vizitë jo thjesht njohëse në rrafsh kulturor a turistik, por një vizitë me shumë gjasa politike, nisur nga nacionalizmi dhe angazhimi i tij pro-italian, për të mbështetur kërkesat e Italisë në Adriatik gjatë dhe pas Luftës së Madhe.
Është fakt historik se në kuadër të rivalitetit të Fuqive të kohës për vënie nën kontroll të zonave gjeostrategjike, “Çështja e Adriatikut” dhe vetë “Çështja shqiptare” dolën në plan të parë në mbarim të Luftës, kur përpara forcave politike shqiptare shtrohej detyra e ngutshme për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe përcaktimin e statusit të ri juridik të shtetit shqiptar. Veçse, vetë këto forca, për shkak të rrethanave të ndërlikuara kombëtare e ndërkombëtare, po përballeshin me dy prirje politike në gjirin e tyre: njëra palë që mbështeste idenë se shqiptarët janë në gjendje të ngrenë e të drejtojnë vetë shtetin e pavarur shqiptar, pa ndërhyrje të huaj, apo ndryshe pa “protektorat” (S. Nivica e B. Pejani); dhe tjetra palë që kërkonte vendosjen, për një kohë të caktuar, të shtetit të pavarur shqiptar nën mbrojtjen e një Fuqie të huaj, si kusht i domosdoshëm për mëkëmbje dhe shmangie të çdo rreziku nga jashtë, sidomos nga fqinjët ballkanikë. Por edhe në këtë rast, për vënie të Shqipërisë nën mandatin e një Fuqie të jashtme, do shfaqeshin dy orientime: njëri fraksion i patriotëve shqiptarë që do t’i kërkonin Konferencës së Parisit mbrojtje amerikano-angleze dhe kundërshtim të protektoratit italian (M. Turtulli, G. Adhamidhi e M. Konica, mbështetur nga kolonitë shqiptare në Turqi, SHBA e Rumani); dhe tjetri fraksion me orientim proitalian (Turhan Pasha, L. Bumçi, M. Kruja, L. Gurakuqi, por edhe mjaft personalitete të tjera politike si S. Gjika, M. S. Gurra, M. Frashëri, M. Libohova, L.Nosi, etj.), që shihnin tek Italia një shtet perëndimor si fqinji më i afërt i Shqipërisë, me lidhje tradicionale, historike e kulturore, dhe me qytetërim të përparuar.
Këta patriotë, me sytë nga Italia, synonin thjesht dhe vetëm një mandat ndihme ndaj Shqipërisë, për “asistencë dashamirëse” dhe sidomos “ndihmë për një kohë të caktuar”, siç nënvizonte memorandumi i tyre i 14 prillit 1919 drejtuar Konferencës së Paqes. Ndonëse Italia nuk përmendej konkretisht me emër në këtë memorandum si një Fuqi protektore për Shqipërinë, kjo gjë lihej të kuptohej, ndërkohë që shprehej në të qartë se “ndihma duhej të ishte e tillë që të pajtohej me pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit shqiptar të bashkuar”. Një protektorat italian ndaj vendit tonë, i kufizuar në kohë, dhe me frymë europiane, shihej kështu si domosdoshmëri në kushtet jashtëzakonisht të vështira të shtetit të ri shqiptar që rrezikonte të copëtohej për të tretën herë, deri në zhdukje, pas Kongresit të Berlinit dhe Traktatit të Londrës.
Nga ana tjetër, kërkesa për një protektorat italian ndaj Shqipërisë vinte edhe për arsye se mjaft personalitete politike shqiptare besonin në miqësinë e lashtë midis dy vendeve, e sidomos tek deklarata e Italisë e vitit 1917, që kishte shpallur “pavarësinë e gjithë Shqipërisë”, ndryshe nga Austro-Hungaria, e cila kishte premtuar vetëm autonominë e saj. Në të njëjtën kohë, duke u mbështetur tek parimi i “vetëvendosjes së popujve”, si një aspiratë e çmuar për një paqe të drejtë e të qëndrueshme, parim i përkrahur fuqimisht nga presidenti amerikan Wilson, që deklaroi publikisht se nuk njihte traktatet e fshehta në kurriz të popujve – sikurse ishte Traktati i fshehtë i Londrës i vitit 1915 që zhdukte Shqipërinë nga harta e Ballkanit -, patriotët shqiptarë ishin të detyruar të pranonin (maj 1919) vendimin e Fuqive për vënie të Shqipërisë nën mandatin italian me argumentimin se “vendi nuk kishte arritur ende një pjekuri politike të duhur, për një jetë shtetërore plotësisht të pavarur”.
Në të vërtetë, iluzioni se Italia do të ishte aleatja e jashtme më e mundshme dhe më e afërt e kombit shqiptar, shpejt do të shuhej më 1920 me Luftën e Vlorës, kur Italia (me mendësinë kolonialiste të kohës) do të këmbëngulte edhe ushtarakisht për vënien dhe mbajtjen nën kontroll të Vlorës, Sarandës, Durrësit, etj. Ashtu siç pati bërë edhe më 1915 me pushtimin e krejt rajonit të Jugut të Shqipërisë në akset Vlorë-Përmet dhe Tepelenë-Gjirokastër-Sarandë. Ashtu siç do të bënte më në fund, edhe më 7 prill 1939, kur do të pushtonte Shqipërinë, pa hequr dorë nga qëllimet e saj aneksioniste ndaj Shqipërisë…
Por, le te kthemi në nëntor 1918, në prag të Konferencës së Parisit tek amerikani Whitney Warren, që realizon në këtë kohë vizitën e tij në Shqipëri. Në fakt, që në vitet e Luftës së parë botërore e shohim atë në Europë, si bashkëthemelues të Komitetit të Studentëve Amerikanë të Shkollës së Arteve të Bukura në Paris, duke mbrojtur kauzën franceze. Dhe shumë shpejt, i lidhur me miqësi të ngushtë me shkrimtarin e njohur italian Gabriele d’Annunzio, mbështet aktivisht edhe kërkesat e Italisë në Adriatik, duke u emëruar njëkohësisht përfaqësues diplomatik i Shteteve të Bashkuara në shtetin e lirë të Fiumes (Rjeka). Përkrahës i nacionalizmit politik italian, ashtu si d’Annunzio, që kishte hartuar më 1915 broshurën politike “Per la piu grande Italia”, edhe Warren e kërkonte Italinë fuqi europiane të dorës së parë që duhej të shfaqte “frymë të re protektore” dhe “partneritet”, por pa e lënë në hije parimin e “vetëvendosjes” së popujve. Duke ndjekur logjikën dhe frymën e kohës, në këtë shkrim, ai i njeh Italisë përkujdesjen për zhvillim të Shqipërisë dhe partneritet me të.
Njeri i besuar i Departamentit të Shtetit dhe posaçërisht i presidentit Wilson, ai ishte një figurë qendrore mes intelektualëve dhe politikanëve të shquar të Europës dhe Ballkanit, tek mbante lidhje të ngushta me ta, për ta paraqitur sa më objektivisht, realisht e në mënyrë konstruktive gjendjen në Ballkan gjatë dhe pas Luftës së parë, pikërisht në atë zonë të rrezikshme të kontinentit të vjetër të quajtur “Fuçi e barutit”. I vetëdijshëm për rolin e Shteteve të Bashkuara si faktor paqeje, stabiliteti e progresi në rajon, dhe përfaqësues i tyre në Fiume (shpallur “shtet-tampon i pavarur “), një qytet në Kroaci, banuar kryesisht nga italianë e kroatë dhe konsideruar në atë kohë si “molla e sherrit” midis Italisë nga njëra anë, dhe mbretërisë kroato-serbe, nga ana tjetër, në çështjen aq delikate të kontrollit të Adriatikut, e shohim kështu amerikanin Warren të lidhur me letërkëmbim të dendur me mori personalitetesh të botës, që nga presidenti Th. Roosvelt dhe mbreti Albert I i Belgjikës deri te duka i Albës, mbreti i Monakos, shkrimtari Marsel Proust, konti Barbarini, shkrimtari dhe politikani Maurice Barrès, kryeministri francez G. Clémanceau, e me radhë, por edhe me personalitete europiane që ndiqnin nga afër “Çështjen shqiptare”, si Justin Godart, d’Estournelle de Constant, Antonio Baldacci e Victor Bérard. Mbi të gjitha, Warren nuk e kursen penën e tij për të shkruar artikuj e ese që i botonte në organe të ndryshme të Europës, por edhe në formë broshure. Përmendim këtu artikujt e tij “Për Neutralët”, “Roli i Amerikës në luftën ajrore”, “Po Adriatiku?”, “Për miqtë e Francës”, “Amerika dhe Anglia”, “Duke vështruar Italinë”, “Uniteti i Organizatës”, “Bashkimi i Aleatëve”, “Çështja e Adriatikut dhe Trente Trieste”, “Hapi i fundit”, “Përpjekja ushtarake dhe Italia gjatë luftës”, “Mali i Zi: Krimi i Konferencës së Paqes”, etj.
Përballë frymës së rivalitetit gjeostrategjik që orientonte veprimet e Fuqive të kohës gjatë dhe pas Luftës së partë botërore, e cila do të bënte mbi 20 milionë viktima dhe do të rrezikonte mbi të gjitha të zhdukte krejt Shqipërinë, përballë kompleksitetit të ngjarjeve politiko-ushtarake që e shndërruan Shqipërinë në shesh-beteje në vitet 1914-1918, shohim personalitete të rëndësishme të botës shqiptare e të huaj të mobilizohen fuqimisht për të mbrojtur pas Luftës integritetin e kombit shqiptar në kufijtë e tij etnikë, të veprojnë mbi të gjitha, me mprehtësi e shkathtësi, në fushën diplomatike, e cila do të dilte tashmë në plan të parë për rivendosjen e Paqes së përgjithshme. Në kërkim të një “partneri strategjik” për Shqipërinë, nuk mungon në këtë mes edhe veprimtaria e amerikanit Warren, i cili e nis shkrimin e tij “Shqipëria” me një aluzion ironik nga bota e operave komike të Offenbach, “Banditët” dhe “Dukati i Gerolsteinit.
***
Shqipëria/
Nga Whitney Warren/Whitney_Warren
“Z. Whitney Warren, ka pasur rastin të vizitojë kohët e fundit Shqipërinë dhe ka vërtetuar në vend dëshirat që ushqejnë vetë shqiptarët në gjendjen e përgjithshme që e karakterizon. Në artikullin që na ka dërguar, tregon mënyrën se si e sheh ai çështjen të zgjidhur në çastin e vendosjen së paqes së përgjithshme”. (Ndërhyrje redaksionale e gazetës “La Rennaissance”, 23 nëntor 1918).
Mes tërë problemeve që shtrohen për zgjidhje para Traktatit të paqes së përgjithshme, çështja e Shqipërisë është nga ato me të dhëna nga më pak të njohurat prej publikut francez. Shqipëria nuk është, siç duan ta përfytyrojnë, një vend operete ku [liberti] Meilhac të na ndërtoka aty skenën për “Bandidët”, apo një shtet i tipit “Girolstein”, i bërë vetëm për të qenë teatri i të papriturave qesharake të një princ Wied-i. Është një truall tepër i lashtë që ka luajtur një rol të madh në Histori dhe që është në pritje të një zhvillimi mjaft të rëndësishëm nëse fati i saj rregullohet në një mënyrë të tillë që t’i sigurojë Europës së riorganizuar disiplinim të forcave dhe shfrytëzim të burimeve që zotëron.
Mbase nuk është e kotë të vërehet se përcaktohen me emrin “Shqipëri” të katër ish vilajetet e Turqisë europiane, të njohura me emrin vilajeti i Shkodrës, i Kosovës, i Manastirit dhe i Janinës, emra këto që komunikatat nga Orienti i kanë bërë aq të njohura dhe që janë themelet e një njësie të vetme etnologjike, gjeografike e historike. Emërtimi “Albania” është për më tepër krejt konvencional. Termi i vërtetë që duhet të shërbejë për të përcaktuar këto rajone është ai që përdorin vetë banorët e tyre: “Shkipëria”, vendi i Shqipes. Ky emërtim ka dobinë se karakterizon shumë saktë krenarinë, fisnikërinë si dhe traditat luftarake e të guximshme të një popullsie malësorësh të palodhur që llogarisin ndër stërgjyshërit e tyre një mbushulli heronjsh, ndër të cilët më i famshmi është Skanderbegu.
Kombësia shqiptare është me origjinë të largët e misterioze; shkon siç thuhet gjer në epokën primitive të Pellazgëve dhe shqiptarët konsiderohen përgjithësisht si pasues të drejtpërdrejtë të Ilirëve, të cilët kolonizuan të parët brigjet lindore të Adriatikut. Shihet pra se është fjala për një racë tepër të lashtë dhe që mund të rivendikojë me shumë arsye të drejtën për të mos u ngatërruar me asnjë tjetër.
Madje mund të thuhet se vetëdija e një trungu të përbashkët etnik ka shuar mes shqiptarëve grindjet që lindin zakonisht nga larmia e besimeve. Në fakt, praktikojnë tri fe, katolike, ortodokse e myslimane, por në dallim nga popujt e tjerë ballkanikë për të cilët feja dhe kombësia krijojnë një gjë të vetme, ata nuk janë të përçarë nga ndonjë mosmarrëveshje besimi. Përkundrazi, ekziston edhe tradita për disa fise katolike të martojnë djemtë e tyre me vajza nga fise myslimane. Zakon që tregon se deri në çfarë shkalle të lartë familja shqiptare krijon një njësi të plotë të pandashme.
Banorët flasin një gjuhë më vete që nuk ka të bëjë as me sllavishten, as me greqishten, por është me origjinë ilire, mësimi i së cilës u ndalua rreptë dhe për një kohë të gjatë gjatë sundimit të Turqisë. Bashkësive myslimane dhe ortodokse u imponohej njohja e gjuhës turke apo greke. Nuk mund të mësohej shqipja veçse në shkollat e hapura nga shtetit italian dhe Austria në Skutari, Durazzo e Valona. Edhe pse u përpoqën për ta zhdukur gjuhën shqipe, ajo përsëri mbeti e pacenuar: një provë tjetër e lidhjes së atyre që flasin këtë gjuhë me traditat e atdheut të lashtë.
Tek paraqitëm shkurtimisht këto çështje, cili është fati i Shqipërisë nëpër histori? E pavarur, me gjithë përpjekjet e grekëve për të mos e lënë të tillë, e nënshtruar ndaj romakëve vetëm me anë të tradhtisë, bashkohet rreth heroit të saj kombëtar Skënderbeut në shekullin XV; ky kapedan i madh, që mbante titullin mbret i Epirit e i Maqedonisë mbretëroi në vitet 1443-1467 dhe gjatë tërë kësaj periudhe nuk pati qëllim tjetër veç të siguronte lirinë dhe madhështinë e atdheut të vet kërcënuar nga ambicia turke. Pas vdekjes së tij, lufta për pavarësi zgjati gjatë katër shekujve dhe asnjëherë qeveria osmane nuk arriti të vendosë autoritetin e vet në rajonet malore të vendit; vetëm qytetet iu nënshtruan forcës. Por do të ndodhte sidomos në vitet 1870 që shqiptarët të kërkonin fuqimisht autonominë e tyre. Më 1878, kur Kongresi i Berlinit i dha Malit të Zi dy kantone shqiptare, disa territore Serbisë e të tjera Greqisë, revolta shpërtheu kudo dhe u shtyp veç me gjak. “Lidhja Shqiptare”, e themeluar me qëllim që të shpallte e të realizonte kërkesat e saj autoktone, i dyfishoi përpjekjet më 1897 dhe 1903. Më 1908, propaganda e saj dha rezultate të mëdha mes fiseve shqiptare. Programi për pavarësi mori fillimisht një formë krejt parlamentare dhe deputeti shqiptar Ismail Kemal Bej themeloi një parti të re, “Bashkimi Liberal”, si kundërvënie ndaj Komitetit “Bashkim e Përparim”. Me ardhjen në fuqi të xhonturqve, shkëputja u bë përfundimtare midis Portës dhe Shqipërisë. Që prej kësaj kohe, lufta për pavarësi nuk rreshti një ditë; vijojnë kryengritje pas kryengritjesh të Fiseve: më 1911, revolta arrin pikën e saj kulmore, dhe më 1912, në mesin e Luftës ballkanike, Ismail Kemal Bej, themelues i “Bashkimit Liberal”, shpall në Valona pavarësinë e vendit të tij dhe krijoi një qeveri të përkohshme. Arrijmë këtu në ngjarje që ende janë të freskëta në kujtesë: më 1913, Mbledhja e Ambasadorëve në Londër pranoi që Shqipëria të bëhet një shtet i pavarur; do pasojnë kështu mbretërimi i shkurtër i princ Wied, pështjellimet, mosmarrëveshjet e nxitura nga Austria, kryengritjet e reja dhe më në fund, largimi i nxituar i princit. Pasandaj erdhi Lufta…
Nga këto fakte, të paraqitura në mënyrë të thatë, qëllimisht, për t’i bërë të mundur publikut të shohë përmbledhtas tiparet themelore të historisë dhe të karakterit shqiptar, del se ka ardhur çasti për Shqipërinë të fitojë një status qëndrueshmërie, për t’i garantuar një autonomi që asnjëherë nuk ka reshtur së kërkuari ndër shekuj, gjatë luftërash të panumërta, si dhe t’i sigurojë një mbrojtje që e ka të nevojshme për një jetë në paqe, një jetë frytdhënëse e të rregullt. Thuhet: “Përvoja e princ Wied-it vërteton se Shqipëria gjithmonë është e pakënaqur”. Nuk ka gjë më të pavërtetë e njëkohësisht më të vërtetë. Që këtej del se ndihma e një Fuqie të madhe është e nevojshme për këtë popull të organizuar keq, jeta politike e të cilit kurrë nuk ka pasur një kuadër të kënaqshëm, por aspak të prirë për një skllavëri të re. Mjaft të shohim shtetet e tjera ballkanike. Greqia fillimisht u mbështet, gjatë kohës së Otonit, nga një organizëm bavarez, pastaj, më vonë, nga një organizëm francez. Bullgaria u ndihmua nga Rusia, si dhe Mali i Zi. Në këtë mënyrë, edhe Shqipëria duhet të gjejë, në vitet e para të hovit të saj të ri, një mbështetje nga jashtë. Ku ta gjejë këtë mbështetje që as Turqia, as Austria kurrë nuk kanë qenë as të denjë, as të aftë për t’ia dhënë, ku tjetër përveçse tek Italia?
Të mos harrojmë se mbi bregdetin italian të Adriatikut, ekziston tashmë një koloni prej 200.000 shqiptarësh që janë vendosur atje për t’iu larguar zgjedhës turke; të mos harrojmë po ashtu se vetëm Italia ka një kuptim të saktë të gjendjes shqiptare. Programi i saj është: “Shqipëria shqiptarëve”. Ajo nuk kërkon tjetër veçse të mbështesë kauzën e tyre. Kush mund të thotë të njëjtën gjë ndër shtetet që kanë synuar dhe synojnë ende të vënë dorë mbi atë tokë pjellore?
Përpjekja e bërë nga aleatët tanë gjatë luftës së sotme (mund të shkruajmë tani: “gjatë luftës së fundit”), për të përmirësuar fatin e Shqipërisë dhe për të dëbuar që andej armikun e përbashkët ka qenë e madhe: bëri më në fund të mundur depërtimin e qytetërimit latin në rajone të egra dhe krijoi lidhje mirënjohjeje shumë të forta midis shqiptarëve e italianëve. Për të përmendur vetëm dy shembuj, le të kujtojmë veprën e mësuesve italianë që i vunë vetes si detyrë të përkujdesen krahë për krahë si ndaj fëmijëve katolikë, ashtu dhe ndaj fëmijëve ortodoksë e myslimanë në territoret e pushtuara dhe që arritën rezultate nga më të mirat; le të kujtojmë gjithashtu se që prej vitit 1915, ushtarët italianë çelën mbi 1.000 km rrugë, shtruan një rrjet të plotë linjash telegrafike, telefonike dhe radio-telegrafike, ndërtuan ujësjellës, kanale vaditjeje, ura, linja elektrike, etj… Atje, si kudo, trupat e xhenios italiane përfunduan kryevepra, konkretisht ndërtimin e rrugës Vlorë-Sarandë, e quajtur ndryshe edhe rruga e Himarës, duke çarë shkëmbinj e pyje mijëvjeçare dhe duke zigzaguar guximshëm në rajone dikur të virgjëra. U deshën jo më shumë se 20 muaj për të përfunduar këtë rrugë të përkryer automobilistike, e gjatë 130 km. Ndërmarrje të tilla janë vetëm fillimi i një pune qytetëruese, që të njëjtat duar duhet ta vazhdojnë.
Pozita e Shqipërisë në Adriatik – fqinjësia e saj me vende ku ndikimi latin është ndjerë prej kohësh, ku ndikimi italian, në vazhdë të tij, nuk ka reshtur kurrë së ushtruari një veprimtari bamirësie, qoftë edhe gjatë sundimit austriak – domosdoshmëria para së cilës gjendet Shqipëria për t’u mbështetur mbi një armaturë qytetëruese – vetë dëshira e banorëve të saj, gjithçka përputhet për t’ia besuar Italisë drejtimin e një Shqipërie autonome. Siç shkruan gazeta “Kuvendi”, organ i interesave shqiptare: “Drejtuesi i sotëm, mbrojtësi i nesërm mban një emër që askush nuk mund ta shqiptojë pa u përkulur me respekt. Ky emër është “Roma“”.
Një politikë me synimin për t’i kënaqur të gjithë, ku të ushtronin ndikimin e tyre shumë Fuqi njëkohësisht do të binte ndesh me interesat parësore të kësaj treve dhe do të krijonte një gjendje të paqëndrueshme, të padrejtë, plot rreziqe, të papajtueshme me sigurinë për të cilën Europa ka nevojë.
Whitney-Warren
Qytetar Amerikan,
Anëtar i Insittutit
Dielli
Komentet