VOAL

VOAL

Nikky Haley emërohet ambasadore në OKB

November 23, 2016

Komentet

Trumpi e kërcënon Iranin me bombardime dhe tarifa, pas refuzimit të bisedimeve

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke folur në bordin e avionit Air Force One, 30 mars 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e kërcënoi Iranin me disa masa – nisur nga sanksionet dhe tarifat e reja deri te veprimet ushtarake.

Kjo, pasi presidenti iranian refuzoi mbajtjen e bisedimeve të drejtpërdrejta me Uashingtonin për programin e tij bërthamor.

“Do të shohim nëse mund të bëjmë diçka. Nëse jo, do të jetë një situatë e keqe”, u tha Trump gazetarëve më 30 mars, derisa fluturonte nga Florida për në Uashington.

“Unë do të preferoja një marrëveshje në vend të alternativës tjetër, që mendoj se të gjithë në këtë aeroplan e dinë se çfarë është. Ajo nuk do të ishte një gjë e bukur”, shtoi ai.

Më herët, Trump paralajmëroi se “nëse nuk bëjnë marrëveshje, do të ketë bombardime dhe do të jenë bombardime që ata nuk i kanë parë kurrë më parë”.

Në përgjigje, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi “hakmarrje të fuqishme”, nëse Shtetet e Bashkuara ose aleatët e tyre bombardojnë Republikën Islamike.

Trump, gjithashtu, tha se është duke shqyrtuar vendosjen e tarifave ndaj vendeve që blejnë naftë nga Irani, si pjesë e strategjisë së tij për “presion maksimal” kundër Teheranit.

Më herët gjatë ditës, presidenti iranian, Masud Pezeshkian, e kundërshtoi publikisht mbajtjen e negociatave të drejtpërdrejta me Uashingtonin për programin e tij bërthamor – gjë që ishte propozuar në një letër që Trump i kishte dërguar Teheranit në fillim të këtij muaji.

“Edhe pse në këtë përgjigje është hedhur poshtë mundësia e negociatave të drejtpërdrejta mes dy palëve, është theksuar se rruga për negociata indirekte mbetet e hapur”, tha Pezeshkian.

Zyrtarë të lartë iranianë edhe më parë kanë folur kundër idesë së mbajtjes së bisedimeve direkte me Shtetet e Bashkuara, por komentet e Pezeshkianit shënojnë refuzimin e parë zyrtar nga Irani.

Në përgjigje, Departamenti amerikan i Shtetit tha se “presidenti Trump ka qenë i qartë: Shtetet e Bashkuara nuk mund ta lejojnë Iranin të ketë armë bërthamore”.

“Presidenti shprehu gatishmërinë e tij për të diskutuar një marrëveshje me Iranin. Nëse regjimi iranian nuk dëshiron marrëveshje, presidenti është i qartë: Ai do të ndjekë opsione të tjera, të cilat do të jenë shumë të këqija për Iranin”, tha ai.

Prej se Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë në janar, administrata e tij ka theksuar vazhdimisht se Irani nuk duhet të lejohet të ketë armë bërthamore, ndërsa ka paralajmëruar se veprimet ushtarake janë po ashtu në tryezë, nëse Irani refuzon idenë e Trumpit.

Irani pohon se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore.

Por, një raport i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, i publikuar në shkurt, nxori në pah se Irani ka përshpejtuar prodhimin e uraniumit, që përdoret për armë.

Mediu takon LaCivita: Ekipi i Chris vjen në Shqipëri javën tjetër, do qëndrojnë deri në fitoren e 11 majit

Presidenti i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka zhvilluar një takim pune me Chris LaCivita, strateg i fushatës së Donald Trump dhe drejtues i fushatës së PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Në takim me ta ka qenë edhe Phil Griffin, një personazh i njohur në botën e televizionit dhe ish-president i MSNBC.

Në një postim në Facebook, Mediu njoftoi se duke nisur nga java e ardhshme, ekipi i LaCivita do të jetë i pranishëm në Shqipëri për të ndihmuar opozitën deri më 11 maj.

“Kënaqësi që të takohem edhe me mikun tim, Prof. Edward P. Joseph, një nga miqtë më të mirë të shqiptarëve në Washington DC”, ka shtuar ai në postimin e tij.

  • foto galeri
  • foto galeri

Postimi i plotë:

 

Mbas një dreke pune me strategun e fushatës Trump dhe drejtuesin e fushatës së PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore Chris LaCivita dhe Phil Griffin. Prej javës tjetër ekipi i Chris do jetë non stop në Shqipëri në krah të opozitës deri në fitoren në 11 Maj.

Po ashtu kënaqësi që të takohem me mikun tim Prof Edward P Joseph një nga miqtë më të mirë të shqiptarëve në Washington DC

Screenshot 40

(BalkanWeb)

Kongresmeni Keith Self që mbështet PD-në dhe opozitën në Shqipëri, person i rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë

Kryetari i Komitetit për Europën në Kongresin Amerikan, Keith Self, është takuar ditën e sotme në SHBA me Fatmir Mediun, kreun e PR-së dhe aleatin e liderit të opozitës, Sali Berisha.

Në takimin mes Mediut dhe kongresmeni Self, është diskutuar për situatën politike në Shqipëri dhe rajon, si dhe zgjedhjet e 11 majit, duke nënvizuar detyrimin e vendit si anëtar i NATO-s për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, të mbrojtura nga ndikimi i krimit dhe korrupsionit, blerja e votave dhe intimidimi i votuesve.

Kongresmeni republikan Keith Self është një prej personave më me ndikim në administratën e re të presidentit Donald Trump për çështjet e sigurisë në Shtëpinë e Bardhë.

Vetëm pak minuta më parë Shtëpia e Bardhë ka shpërndarë një shkrim të kongresmenit Keith Self në mediumin ËashingtonExaminer, në lidhje me sulmet kundër rebelëve Houthi në Jemen dhe udhëheqjen e fortë të Presidentit të ShBA, Donald Trump, duke siguruar suksesin e jashtëzakonshëm.

Falë udhëheqjes së fortë të Presidentit Trump dhe koordinimit të pandërprerë të ekipit të tij, sulmet e fundit kundër Houthis ishin një sukses i jashtëzakonshëm.

Terroristët u eliminuan, kërcënimet u neutralizuan dhe interesat amerikane u mbrojtën.” – Kongresmeni Keith Self’, shkruhet në postimin e bërë nga Shtëpia e Bardhë. sn

Akuzat e forta të Donald Trumpit: Sorosi po financon sulmet ndaj kompanisë Tesla të Elon Muskut. Agresion ndaj makinave në 13 shtete

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se George Soros dhe miliarderë të tjerë liberalë mund të qëndrojnë pas financimit të sulmeve ndaj Tesla-s në Shtetet e Bashkuara.

“Unë besoj se është pjesë e saj, po, ka disa prej tyre që ishin të përfshirë në gjyqet kundër meje, që mendoj se janë ndoshta të përfshirë edhe me këtë. Dhe, ju e dini, Elon [Musk] ka bërë një punë shumë të mirë. Ai ka gjetur humbje të jashtëzakonshme, mashtrime dhe abuzime në nivele që nuk i keni parë kurrë,” tha Trump për Newsmax kur u pyet nëse ai besonte se Soros mund të ishte i përfshirë në sulmet ndaj bizneseve të Musk.

Të hënën, mediat amerikane raportuan, duke cituar policinë, se disa pajisje “ndezëse” u gjetën në një pike shitjeje të Tesla-s në qytetin e Austin në Teksas.

Pajisjet thuhet se janë hequr në mënyrë të sigurt nga policia pa asnjë incident.

Në javët e fundit, automjete të shumta Tesla janë shënjestruar në të paktën 13 shtete në të gjithë Shtetet e Bashkuara, sipas raporteve të mediave. bw

Gjykata amerikane shqyrton padinë e REL-it kundër USAGM-së

Selia e Radios Evropa e Lirë në Pragë

 

Radio Evropa e Lirë

Një gjykatë amerikane mban sot një seancë për padinë e Radios Evropa e Lirë kundër Agjencisë Amerikane për Media Globale (USAGM), për bllokimin e fondeve.

REL-i e sheh bllokimin e fondeve të miratuara nga Kongresi, si përpjekje të agjencisë për t’ia ndërprerë krejtësisht financat.

Gjykata e Qarkut e SHBA-së për Distriktin e Kolumbisë do t’i dëgjojë argumentet e të dyja palëve duke filluar nga ora 14:00, sipas kohës lokale.

REL-i kërkon që USAGM-ja – e cila mbikëqyr transmetuesit e mbështetur nga Qeveria amerikane, si Radio Evropa e Lirë dhe Zëri i Amerikës – t’ia lëshojë 7.5 milionë dollarë për periudhën nga 1 marsi deri më 15 mars – ditën kur USAGM-ja njoftoi se financat nga granti i miratuar nga Kongresi për REL-in, janë ndërprerë.

Padia argumenton se mohimi i qasjes në fondet e miratuara nga Kongresi për Radion Evropa e Lirë, shkel ligjet federale dhe Kushtetutën e SHBA-së, e cila i jep Kongresit autoritetin përfundimtar për shpenzimet federale.

Padia kërkon gjithashtu nga gjykata që të japë një urdhër ndalese të përkohshme, me qëllim lirimin e fondeve të marsit.

Padia kërkon edhe pjesën e mbetur të fondeve të grantit për vitin e plotë buxhetor 2025, i cili përfundon më 30 shtator.

Një seancë paraprake për këtë të fundit është planifikuar të mbahet në mes të prillit.

“Përfundimi i kontratave të punonjësve tanë të pavarur dhe pezullimi nga puna i punonjësve do t’i pengojnë ndjeshëm aftësitë tona për të dhënë lajme të pacensuruara në 23 vendet ku shërbejmë”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus, në dosjen për gjykatën.

USAGM-ja tha në dosjen e saj se Gjykata e Qarkut është vendi i gabuar për rastin dhe se Kongresi i ka dhënë USAGM-së “diskrecion të gjerë për të mbikëqyrur përfituesit e saj”.

“Edhe nëse kjo gjykatë do të kishte juridiksion për të miratuar kërkesën e paditësit, për anulimin e vendimit të USAGM-së, një gjë e tillë nuk do të ishte në interesin publik”, thuhet po ashtu në atë dosje.

Rreziku për mbylljen e REL-it shkaktoi reagime nga audienca në 27 gjuhë dhe në 23 vende ku ka transmetim.

Reagimet në Kosovë për mbylljen eventuale të REL-it

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë riafirmoi rolin thelbësor të Radios Evropa e Lirë në promovimin e gazetarisë së besueshme në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Zëdhënësja Ioanna Lachana tha se nga ndalja e punës së REL-it do të përfitonin “vetëm ata që përhapin narrativë përçarës”.

Ambasada gjermane në Kosovë e përshkroi REL-in si “fener të raportimit të lirë dhe të paanshëm” dhe konfirmoi se BE-ja po shqyrton mënyra për ta mbështetur atë.

Për eksperten kosovare të medias, Flutura Kusari, ndërprerja e fondeve për REL-in paraqet një goditje serioze mbi informimin publik.

“Radio Evropa e Lirë është shembull i gazetarisë së përgjegjshme në Kosovë”, tha Kusari, këshilltare ligjore pranë Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias.

Ish-kryeredaktori i programit për Kosovën në Radion Evropa e Lirë, Melazim Koci, tha se mbyllja e mundshme e REL-it do të ishte një “fatkeqësi” për lirinë e medias dhe demokracinë.

Ndërsa, gazetari dhe publicisti Enver Robelli e vlerësoi REL-in si një prej burimeve më të besueshme të informacionit për botën shqiptare.

“Ndonjëherë ishte si një rreze drite që depërtonte në errësirën e gënjeshtrës”, shkroi në Facebook lexuesi ukrainas, Oleh Prozorov, duke e falënderuar Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë për, siç u shpreh, “mbrojtjen e lirive politike”.

Direktiva për ndërprerjen e fondeve u dha disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për reduktimin e shtatë agjencive federale, përfshirë USAGM-në.

Granti i Radios Evropa e Lirë u ndërpre me një letër, e cila u nënshkrua nga Kari Lake, këshilltare e lartë e ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv të USAGM-së.

Në letër thuhej se “vendimi nuk i zbaton më prioritetet e agjencisë”.

Shpjegime të tjera nuk u dhanë.

Përplasjet e Trumpit me USAGM-në

Lake u nominua nga Trump për të marrë postin e udhëheqëses së Zërit të Amerikës, megjithëse emërimi i saj duhet të miratohet nga Bordi Këshillimor i Transmetimeve Ndërkombëtare (IBAB).

Anëtarët e IBAB-së – një organ konsulence i krijuar nga Kongresi për të mbikëqyrur aktivitetet e USAGM-së – u hoqën nga pozicionet e tyre nga administrata amerikane në janar dhe nuk u zëvendësuan më.

Trump – i cili ndërmori disa veprime për zvogëlimin e shpenzimeve qeveritare, prej se nisi mandatin e dytë në janar – është përplasur qysh në mandatin e parë me USAGM-në për pavarësinë editoriale dhe programet.

Por, mbështetësit e transmetuesve thonë se ata janë një krah i rëndësishëm i diplomacisë amerikane.

“Është jetike që Kongresi ta mbrojë USAGM-në, të garantojë sigurinë e gazetarëve dhe të riafirmojë angazhimin e Qeverisë amerikane për një media të lirë dhe të pavarur, brenda dhe jashtë vendit”, shkroi një grup prej 28 organizatash për lirinë e shtypit dhe gazetarëve nga e gjithë bota, në një letër drejtuar ligjvënësve amerikanë, më 19 mars.

A do të ndërhyjë BE-ja?

Me të ardhmen e pasigurt të Radios Evropa e Lirë, politikanët e Bashkimit Evropian po përpiqen të gjejnë mundësi për ta mbështetur transmetuesin.

USAGM-ja është një agjenci e pavarur e Qeverisë amerikane që mbikëqyr transmetimin e lajmeve dhe informacioneve në pothuajse 50 gjuhë, për rreth 361 milionë njerëz çdo javë.

Buxheti që ka kërkuar USAGM-ja nga Kongresi amerikan për vitin fiskal 2025, është 950 milionë dollarë, për t’i financuar të gjitha operacionet dhe investimet kapitale.

Aty përfshihen mediat: Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Zyra e Kubës (Radio Marti), Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur.

Sipas dokumenteve të USAGM-së, buxheti i kërkuar për REL-in për vitin 2025 ishte rreth 153 milionë dollarë.

Përgatiti: Valona Tela

Trumpi zbulon planin për avionin luftarak të gjeneratës së gjashtë, F-47: Do jetë më vdekjeprurëse në histori

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar planet e tij për zhvillimin e avionit luftarak më të avancuar të historisë, i njohur si F-47, një avion i gjeneratës së gjashtë dhe koordinator i dronëve, në një konferencë me Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth në Zyrën Ovale.

Trump ka bërë me dije se Boeing ka marrë një kontratë të majme për të zhvilluar këtë avion, i cili do të ketë teknologji të fshehtë dhe fuqi që kapërcen çdo gjë të njohur deri tani.

Sipas presidentit, flota e F-47 do të ndërtohet brenda dy viteve dhe do të ofrojë aftësi të papara në fushën e mbrojtjes ajrore dhe manovrimit.

“Jemi të bindur se ky avion do të tejkalojë çdo forcë tjetër të kombit, me aftësi që nuk janë parë kurrë më parë. Ai do të jetë praktikisht i padukshëm dhe do të ofrojë një fuqi të paparë. Asnjë avion i këtij lloji nuk ka pasur ndonjëherë një nivel kaq të lartë fuqie. Po ashtu, manovrimi i tij është krejtësisht i jashtëzakonshëm; nuk ka asgjë tjetër që mund ta krahasohet me këtë”, tha presidenti i SHBA. bw

Shtëpia e Bardhë: Trumpi i propozoi Zelenskit që infrastruktura energjetike e Ukrainës të vihej nën pronësinë amerikane

Presidenti amerikan Donald Trump i propozoi homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një bisede telefonike që infrastruktura energjetike e Ukrainës të vendoset nën pronësinë amerikane për të garantuar sigurinë e saj.

Sipas një konference të Shtëpisë së Bardhë të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Mike Walz, Trump e siguroi Zelenskyn se Shtetet e Bashkuara mund të jenë “veçanërisht të dobishme në menaxhimin e këtyre objekteve për shkak të ekspertizës sonë në sektorin e energjisë elektrike dhe shërbimeve komunale”.

Presidenti amerikan shtoi, sipas Associated Press, se “pronësia amerikane e këtyre objekteve mund të sigurojë mbrojtjen më të mirë për këtë infrastrukturë kritike të energjisë”.

Ky propozim vjen në një kohë shqetësimi të shtuar për sigurinë e rrjetit energjetik të Ukrainës, pasi sulmet ndaj infrastrukturës vazhdojnë dhe vendi varet nga ndihma e huaj për të riparuar dëmet dhe për të ruajtur stabilitetin energjetik. bw

“Jemi në rrugën e duhur”, Trumpi flet pas telefonatës me Zelenskyn

Presidenti amerikan Donald Trump ka përfunduarbisedën telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, vetëm një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin tha se do të pajtohej të kufizonte sulmet e kombit të tij në Ukrainë.

Kre i Shtëpisë së Bardhë ka dhënë detaje nga biseda një orëshe, duke shtuatr se pjesa më e madhe e diskutimit u bazua në thirrjen e bërë dje me Presidentin Putin, në mënyrë që të përafronin Rusinë dhe Ukrainën, për sa i përket kërkesave dhe nevojave të të dy udhëheqësve.

‘Sapo përfundova një telefonatë shumë të mirë me Presidentin Zelenskyy të Ukrainës. Ajo zgjati afërsisht një orë. Pjesa më e madhe e diskutimit u bazua në thirrjen e bërë dje me Presidentin Putin, në mënyrë që të përafronin Rusinë dhe Ukrainën për sa i përket kërkesave dhe nevojave të tyre. Ne jemi shumë në rrugën e duhur dhe unë do t’i kërkoj Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Michael Waltz, të japin një përshkrim të saktë të pikave të diskutuara. Kjo deklaratë do të publikohet së shpejti’, ka shkruar presidenti amerikan në llogarinë e tij në platformën ‘Truth Social’.

Zelenskyy më herët të mërkurën tha se angazhimi i Putinit për një armëpushim të kufizuar është “në kundërshtim me realitetin”, ndërsa Moska dhe Kievi shkëmbyen akuza për sulme të ndërsjella në infrastrukturë.

Vetëm disa orë më parë, autoritetet ruse dhe ukrainase raportuan sulme gjatë natës në objektet e infrastrukturës lokale, më pak se 24 orë pas thirrjes së së martës midis Putinit dhe Trump, në të cilën udhëheqësi rus ra dakord për një armëpushim të kufizuar, që do të ndalonte përkohësisht sulmet “në të gjithë energjinë dhe infrastrukturën”.

Zelenskyy, i cili më herët kishte shprehur mbështetje për propozimin, tha në një konferencë të përbashkët shtypi në Helsinki se kishte sulme nga “150 dronë gjatë natës, duke përfshirë objektet energjetike.

“Fjalët e Putinit janë shumë të ndryshme nga realiteti,” tha ai.

Kievi të martën e kaluar ra dakord për një armëpushim shumë më gjithëpërfshirës 30-ditor dhe Trump kishte kërkuar të kishte miratimin e Putinit për t’iu bashkuar kësaj gjithashtu, duke kërcënuar me ndëshkime të mundshme ekonomike ndaj Moskës, nëse lideri rus nuk pajtohej.

Kjo nuk u materializua gjatë diskutimit të së martës, por Trump pohoi se negociatat do të fillonin shpejt mbi propozimin më të gjerë të armëpushimit dhe një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund konfliktit.

Kremlini, nga ana e tij, tha se kishte identifikuar “një numër çështjesh të rëndësishme”, përpara se të pranonte një armëpushim 30-ditor, duke përfshirë atë që tha është “nevoja për të ndaluar mobilizimin e detyruar në Ukrainë dhe riarmatimin e Forcave të Armatosura të Ukrainës”.

Të mërkurën, Zelenskyy përcolli besimin e tij se konflikti i vazhdueshëm në vendin e tij mund të përfundojë këtë vit me një paqe “të mirë”, por se garancitë e sigurisë për Kievin janë “definitivisht të nevojshme”.

“Përndryshe, Putini do të vijë sërish me luftë dhe ky ka qenë thelbi i tij që në fillim”, tha më tej Zelenskyy.

Kushtet e renditura nga Putin në lidhje me armëpushimin 30-ditor të propozuar nga SHBA-të, tregojnë vetëm qëllimin e tij për të vazhduar konfliktin, argumentoi Zelenskyy.sn

 

SHBA, publikohen dosjet e vrasjes së ish-presidentit John F. Kennedy

Më shumë se 63 000 faqe të dhënash në lidhje me vrasjen e presidentit John F. Kennedy në vitin 1963 u publikuan pas një urdhri të presidentit Donald Trump, shumë prej tyre pa redaktime që kishin ngatërruar historianët për vite dhe ndihmuan në nxitjen e teorive konspirative.

Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Regjistrimeve të SHBA-së postoi në faqen e saj të internetit afërsisht 2 200 skedarë që përmbajnë dokumente.

Shumica dërrmuese e koleksionit të Arkivit Kombëtar prej mbi gjashtë milionë faqesh me regjistrime, fotografi, filma regjistrime zanore dhe objekte të lidhura me atentatin janë publikuar më parë.

Larry J. Sabato, drejtor i Qendrës për Politikë të Universitetit të Virxhinias dhe autor i “Gjysmë shekulli i Kennedy”, deklaroi se do të duhet kohë për të rishikuar plotësisht të dhënat.

“Ne kemi shumë punë për të bërë për një kohë të gjatë dhe njerëzit thjesht duhet ta pranojnë këtë”, tha ai.

Trump njoftoi publikimin të hënën teksa vizitonte Qendrën John F. Kennedy për Artet Performuese në Uashington, duke thënë se administrata e tij do të publikonte rreth 80 000 faqe.

“Ne kemi një sasi të madhe faqesh, ju keni shumë për të lexuar”, theksoi ai.

Jefferson Morley, nënkryetar i Fondacionit Mary Ferrell një arkivë për dosjet në lidhje me vrasjen, tha në një deklaratë të postuar në platformën sociale X se publikimi është “një fillim inkurajues”.

Arkivi Kombëtar shtoi në faqen e tij të internetit se në përputhje me direktivën e presidentit, publikimi do të përfshijë “të gjitha të dhënat e mbajtura më parë si sekrete”.

Interesi për detajet në lidhje me vrasjen e Kenedit ka qenë intensiv gjatë dekadave, me teori të panumërta konspirative të shpërthyera për sulmues të shumtë dhe përfshirje nga Bashkimi Sovjetik dhe mafia.

Ai u vra më 22 nëntor 1963, gjatë një vizite në Dallas kur autokolona e tij po përfundonte rrugën e paradës së saj në qendër të qytetit dhe të shtënat u dëgjuan nga ndërtesa e Teksasit School Book Depository.bw

Trumpi: Nesër do flas me Putinin për Ukrainën dhe ndarjen e aseteve

Presidenti Donald Trump thotë se do të flasë nesër me homologun rus Vladimir Putin, ndërsa ai kërkon t’i japë fund luftës në Ukrainë.

Sipas mediave të huaja, udhëheqësi amerikan zbuloi bisedën e ardhshme për gazetarët ndërsa fluturonte nga Florida në Uashington me Air Force One mbrëmë.

“Ne do të shohim nëse kemi diçka për të shpallur ndoshta deri të martën. Unë do të flas me Presidentin Putin të martën,” tha Trump.

“Shumë punë është bërë gjatë fundjavës. Ne duam të shohim nëse mund t’i japim fund asaj lufte”, shtoi ai.

Edhe pse Rusia dështoi në qëllimin e saj fillestar për të ‘thyer’ Ukrainën me pushtimin e saj tre vjet më parë, ajo ende kontrollon zona të mëdha të vendit.

Trump tha se toka ukrainase dhe termocentralet janë pjesë e bisedës rreth mbylljes së luftës.

“Ne do të flasim për tokën. Do të flasim për termocentralet,” tha ai, duke e përshkruar atë si “ndarje të aseteve të caktuara”. sn

Trump: Bisedimet me Putinin ishin frytdhënëse, lufta në Ukrainë mund të përfundojë

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të premten se ka “shumë gjasa” që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të marrë fund pas bisedimeve “frytdhënëse” mes zyrtarëve amerikanë dhe presidentit rus, Vladimir Putin, të enjten.

“Ne zhvilluam bisedime shumë të mira dhe frytdhënëse dje me presidentin e Rusisë, Vladimir Puti, dhe ka shumë mundësi që kjo luftë e tmerrshme dhe e përgjakshme të marrë fund përfundimisht”, tha Trump në një postim në Truth Social, duke shtuar se ai i ka kërkuar Putinit ta kursejë jetën e trupave ukrainase që janë “plotësisht të rrethuara”.

I dërguari amerikan, Steve Witkoff, mbajti takim të gjatë me Putinin në Moskë të enjten në mbrëmje.

Në postimin e tij, Trump nuk tregoi nëse ka biseduar vetë me Putinin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve në Moskë të premten se Putin ia ka dërguar Trumpit një mesazh për propozimin e tij për armëpushim në Ukrainë, pas takimit në Moskë me të dërguarin e posaçëm Witkoff.

“Kur zoti Witkoff t’ia dërgojë të gjitha informacionet presidentit Trump, ne do të përcaktojmë kohën e bisedës [mes Trumpit dhe Putinit]. Ka arsye për të qenë optimistë të kujdesshëm”, tha Peskov.

Putin tha të enjten se Rusia pajtohet me propozimin e Shteteve të Bashkuara për armëpushim në Ukrainë, por shtoi se ka hollësi të cilat duhet të zgjidhen fillimisht, si për shembull furnizimi i Kievit me armë perëndimore.

Lideri rus tha gjithashtu se çfarëdo marrëveshje që bëhet duhet të çojë drejt një paqeje afatgjate, që adreson shkaktarët kryesorë të luftës, me gjasë duke iu referuar zgjerimit të NATO-s.

Kremlini tha se ka arsye për “optimizëm të kujdesshëm” për propozimin e presidentit amerikan Donald Trump, por Ukraina ka vënë në pikëpyetje sinqeritetin e Moskës lidhur me përfundimin e luftës, që tashmë ka hyrë në vitin e katërt.

Në një video të publikuar në orët e vona të 13 marsit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vuri në pikëpyetje motivet e Putinit, duke thënë se udhëheqësi rus ishte i gatshëm të refuzonte propozimin, por kishte frikë që këtë t’ia thoshte Trumpit.

“Prandaj, në Moskë idesë së armëpushimit po i imponohen këto kushte, që të mos ndodhë asgjë ose të mos ndodhë asgjë për një kohë sa më të gjatë”, tha Zelensky.

Putin po përballet me dilemë pasi delegacionet nga Kievi dhe Uashingtoni pajtuan më herët këtë javë – gjatë një takimi në Arabinë Saudite – për një armëpushim 30-ditor të propozuar nga Trump, duke e vendosur përgjegjësinë për paqen në duart e Moskës.

Trump e ka bërë përfundimin e pushtimit mbi trevjeçar të Ukrainës nga Rusia prioritet kryesor që kur mori detyrën në janar, duke dërguar me shpejtësi zyrtarë të lartë në Moskë dhe në Kiev për ta shtruar rrugën për bisedime.

Të mërkurën, Trump i bëri thirrje Rusisë ta pranojë një armëpushim 30-ditor, duke e paralajmëruar se do të vendosë sanksione shtesë ndaj saj, nëse ajo e hedh poshtë propozimin amerikan.

Lideri i Kremlinit tha se propozimi përmban pyetje pa përgjigje, si për shembull, çfarë do të bëhet me inkursionin e Ukrainës në rajonin rus të Kurskut.

“Nëse kemi një armëpushim, a do të thotë kjo se të gjithë atje do të largohen?” tha Putin.

Ukraina kreu një inkursion befasues në Kursk në gusht të vitit të kaluar, duke marrë një pjesë të territorit rus me shpresën për ta shkëmbyer me tokën e saj sapo të fillojnë bisedimet për paqe.

Por, kjo strategji mund të dështojë tani, pasi forcat ruse po i zmbrapsin ukrainasit ngadalë jashtë Kurskut, duke e rimarrë më shumë se gjysmën e territorit të kapur fillimisht nga Ukraina.

Ndër shqetësimet e tjera që lideri rus ngriti lidhur me propozimin për armëpushim është nëse periudha 30-ditore do të përdoret nga Perëndimi për ta riarmatosur Ukrainën ose për t’i trajnuar forcat e saj.

Ai ngriti gjithashtu pyetjen se si do të mbikëqyret armëpushimi një vijë të frontit prej gati 2.000 kilometrash.

“Kush do të përcaktojë se ku dhe kush e ka shkelur armëpushimin?” tha ai.

Ekspertët kishin paralajmëruar se Putin me gjasë do të përpiqej t’i zvarriste bisedimet për armëpushimin, pasi forcat e tij e kanë përparësinë në fushën e betejës.

Rusia synon t’i marrë të paktën tërë katër rajoneve e Ukrainës që pretendon se i ka aneksuar në nëntor të vitit 2022: Donjeckun, Luhanskun, Zaporizhjan dhe Hersonin.

Një armëpushim tani do t’ia pamundësonte asaj arritjen e këtij qëllimi.

Rinis dërgimi i ndihmave ushtarake amerikane në Ukrainë

Radio Evropa e Lirë

Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar dërgimin e ndihmave ushtarake në Ukrainë përgjatë kufirit me Poloninë, pas arritjes së një marrëveshjeje mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas në Arabinë Saudite, tha të mërkurën ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski.

Sikorski e bëri këtë njoftim duke folur për gazetarë përkrah homologut të vet ukrainas, Andriy Sybiha, në Varshavë, pasi ky i fundit u kthye nga bisedimet në Xhedah, të mërkurën.

“Mund të konfirmoj se dërgimi i armëve përmes Jasionkas është kthyer në nivelin e mëparshëm”, tha Sikorski, duke iu referuar qendrës logjistike në juglindje të Polonisë.

Uashingtoni kishte njoftuar javën e kaluar se po pezullonte furnizimin e Ukrainës me ndihma, pas një përplasjeje publike në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Përplasja kishte shkaktuar shqetësime të mëdha në Ukrainë, të cilat u dëshmuan nga intervistat e Current Time me ushtarë në vijën e frontit.

“Na jepni më shumë armë dhe ne do ta garantojmë sigurinë tonë”, tha një ushtar, i identifikuar me nofkën Sokol, i cili shërben në njësitin e artilerisë në rajonin Donjeck në lindje të Ukrainës.

“Mendoj se gjërat do të qartësohen së shpejti dhe ne do të vazhdojmë të marrim armë dhe ndihma të tjera”, kishte thënë ai.

Sokoli kishte të drejtë, pasi dërgimi i ndihmave ka rifilluar pas një takimi nëntë orësh, në të cilin Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara miratuan një propozim për një armëpushim 30-ditor.

Uashingtoni tashmë ia ka paraqitur këtë Moskës.

Sekretarin amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se “ne do t’u themi atyre se kjo është ajo që ofrojmë”.

SHBA-ja është furnizuesi më i madh i armëve për Ukrainën, dhe komentet e Sokolit nënvizuan rëndësinë që kishte rifillimi i furnizimit të Ukrainës me armë për luftën e saj kundër pushtuesit rus.

“Ne përdorim shumë armë të prodhuara në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë”, tha ai.

Një ushtar tjetër nga ky njësit, i identifikuar si Odini, tha: “Po bëjmë gjithçka që mundemi për t’i mbajtur [forcat ruse] jashtë rajonit të Dnipropetrovskut. Po u shkaktojmë humbje të mëdha për t’i minimizuar lëvizjet e tyre në tokën tonë”.

Duke folur në Varshavë, Sybiha përsëriti përkushtimin e vendit të tij për armëpushimin 30-ditor.

“Jemi gati të krijojmë ekipin e duhur nga ana jonë që do të punojë për këtë plan veprimi se si të arrihet ky armëpushim, nëse ndodh”, tha ai.

Zyrtarët rusë ende nuk u janë përgjigjur propozimeve nga takimi në Xhedah.

Duke folur më 12 mars, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: “Ne kemi planifikuar kontakte me amerikanët në ditët në vijim, gjatë të cilave presim të marrim informata të plota”.


Send this to a friend