Pas publikimit të Letrës së Hapur, drejtuar Kryetarit të PD-së, z. Basha, në të cilën parashtrova qëndrimet e PLL-së për shkeljen e njëanshme nga PD-ja të marrëveshjes parazgjedhore me partinë që drejtoj, prisja reagim zyrtar nga PD-ja dhe kryetari i saj, qoftë edhe formalisht e për kortezi ndaj një partie aleate tradicionale… Por, për fat të keq, asgjë e tillë nuk ndodhi.
Në atë Letër të Hapur pohova se grisjen e kësaj marrëveshjeje, akoma pa u tharë boja, në dëm dhe me qëllim keqdashës ndaj partisë sonë kombëtariste, ne legalistët e konsideronim “Mukje të Dytë”… Madje për këtë arsye edhe paralajmërova se për “Mukjen” e vitit 2015 do të shkruaja shumë shpejt. Dhe këtë po bëj me këtë shkrim, në përmbushje të zotimit publik dhe sepse mendoj se ka ardhur koha t’i themi troç të vërtetat, ashtu siç i dimë ne.
Duke vlerësuar drejt dhe maksimalisht partnershipin luajal politik si parim thelbësor dhe garant të suksesit në luftën politike, qysh prej dy dekadash ne legalistët i kemi shmangur paragjykimet, gërricjet dhe gjykimet aprioristike politike, pavarësisht diferencave konceptuale e programore me PD-në, në kohë, për zhvillime, qëndrime dhe probleme të shumta e të ndryshme politike.
Për të lehtësuar dhe jetësuar bashkëpunimin zgjedhor me PD, ne legalistët shkuam në tryezën e përbashkët të partive opozitare (ku u ngjiz aleanca zgjedhore) dhe morëm pjesë në disa raunde negociatash me PD-në, ku paraqitëm një draft prej disa faqesh përplot parime, ligjësi dhe kritere bazike të teorive dhe doktrinave politike e politologjike. Draft ky që nuk u kundërshtua dhe nuk u refuzua nga PD-ja. Madje paskëtaj, në negociatat e zhvilluara ne legalistët nuk vendosëm apo imponuam kushte e kuota, por negociuam me frymë konstruktive, ndonëse në fund pranuam me keqardhje ofertën minimaliste të PD-së dhe bashkërisht firmosëm marrëveshjen dypalëshe.
Por fatkeqësisht marrëveshja e firmosur dhe e vulosur nga kryetarët Basha dhe Gjana u injorua më pas nga PD-ja, që të njëjtën gjë bëri edhe me partinë kombëtariste të Ballit Kombëtar, duke na ndërmendur bash Mukjen… Tashmë jo në kuptimin e konfrontimit vëllavrasës, por në atë të vënies së partive kombëtariste në pozitat reale të asgjësimit përfundimtar politik… Natyrisht, me anë të përvetësimit të përsëritur e të sigurtë të votave tona, teksa numëruesit e tyre kurrë nuk u përzgjodhën pjesërisht dhe sërish nuk do të pranohet të përzgjidhen edhe nga anëtarësia e legalistëve dhe ballistëve, por vetëm nga kontingjentet e militantëve demokratikas, që gjithmonë i kanë nxjerrë dhe sërish do t’i nxjerrin PLL dhe PBK, me pak ose pa mbështetje elektorale, deri edhe në bastionet e tyre tradicionale.
Grisja e njëanshme dhe e pabesë e marrëveshjes nga PD-ja dëshmon tërthorazi dashakeqësi dhe uri për votat e aleatëve kombëtaristë edhe në zgjedhjet thjesht vendore të 21 qershorit. Zgjedhje të cilat PD-ja i ka shndërruar paradoksalisht në zgjedhje politike të mirëfillta, me premtime në nivel kombëtar dhe jashtë kompetencave të pushtetit vendor, pa kurrfarë projekti qeverisës në nivel bashkiak dhe pa kurrfarë lufte të natyrshme politike ndaj shterpësisë programore të mazhorancës dhe mëkateve të shumta të atyre përfaqësuesve të saj që synojnë përsëritjen e mandateve.
Këto veprime dhe qëndrime na bëjnë të dyshojmë me të drejtë për synimin e përvetësimit paraprak në tavolinë të votave tona nga komisionerët demokratikas të specializuar për këto punë. Dhe për çudi ky përvetësim i përsëritur synohet të bëhet tashmë në kushtet e një fushate “pozitiviste” ndaj gjushëve e qazimëve të mazhorancës. Dhe kur kjo skemë planifikohet të bëhet realitet në zgjedhje thjesht vendore, imagjinojeni pas dy vitesh, në zgjedhjet parlamentare!
Kaq naivë na pandehin ne kombëtaristët aleati ynë i madh, kur na i përvetëson votat në favor të këshilltarëve të uritur për “përfaqësim”, e që në shumicë kanë dezertuar ndër vite e dekada tek e majta… Teksa në të kaluarën, ata dhe paraardhësit e tyre, bashkëfirmosën me vullnet dhe faktikisht realizuan masakrën urbane në bregdet dhe qytetet më të mëdha e në ato të mbarë vendit, krahas kryebashkiakëve majtistë, që lidershipi i tyre, dje dhe sot, i masakronte dhe i masakron ende në ligjërimin politik!
Kaq naivë na pandehin ata që na planifikojnë asgjësimin politik me grisje marrëveshjesh, sërish në favor të po të njëjtit takëm këshilltarësh demokratikas që u pasuruan në opozitë dhe në pushtet, e që u majmën me favore kryebashkiakësh majtistë në këmbim të votës nëpër këshilla?!
Kaq naivë na pandehin ne kombëtaristët këta, kur duan të na zhbëjnë nga politika, teksa votat i bashkuan dhe sërish i bashkojnë me bollanot antishqiptarë, me anëtarët dhe krerët me shtetësi shqiptare të sillogjeve vorio-epirote, apo me terroristët e MAVI-t, të dënuar si autorë të masakrës së Peshkëpisë, jo nga gjykatat shqiptare, por nga ato greke?!
Pikërisht për këtë arsye e ndërmenda Mukjen si metaforë politike dhe si projeksion politik, qysh nga 1943-shi, në vazhdim, e deri në vitin e mbrapshtë 2015… Projeksion që fatkeqësisht, më 21 qershor do të shënojë fitoren absolute pasuese të Mukjes-metaforë në pothuajse të gjithë hartën e 61 bashkive, hartuar dhe miratuar habitshëm kjo, në mungesë të PD-së dhe “alternativave” të saj gjatë procesit të së ashtuquajturës reformë administrative… Reformë të cilën hartuesit dhe apologjetët e saj majtistë, qysh nga kryeministri e poshtë, nuk janë në gjendje ta mbrojnë e motivojnë mbi parime, kritere dhe standarde europiane…, teksa në 300 kilometra katrorë kanë miratuar njësi vendore “funksionale e të vetëmjaftueshme për t’u vetëqeverisur”, sikurse Gjirokastra, Libohova, Saranda, Delvina, Konispoli, Përmeti, Këlcyra, Tepelena e Memaliaj. Njësi të cilave po t’u bashkëngjitësh edhe ato fqinje të Vlorës dhe Himarës, rrumbullakosin çerekun e numrit të tyre në mbarë vendin, duke rijetësuar në vitin 2015, në hartën administrative, bash të famshmen Zonë të Parë Operative, nga ku ka buruar dhe buron pushteti i së majtës shqiptare qysh prej 70 e kusur vitesh.
Nën peshën e rëndë morale të principialitetit dhe besnikërisë ndaj aleatit politik, ne legalistët nuk donim të besonim akuzën e kahershme se pluralizmin politik në Shqipëri e projektuan dhe e jetësuan Ramiz Alia dhe PPSH konform Platformës së Katovicës, dhe se zhvillimet politike, ekonomike dhe “demokratike” në Shqipëri po ecnin në shinat dhe margjinat e saj.
Ne u tronditëm thellë kur në vitin 1997 nga diaspora jonë në SHBA erdhi një tekst i shkëputur nga protokolli i njërës prej mbledhjeve më të rëndësishme të ish-Byrosë Politike në fundvitin 1990, ku Alia vinte në dijeni byroistët dhe miratonte në Byro Platformën e Katovicës, dërguar nga Gorbaçovi. U tronditëm sepse vumë re analogjinë e frikshme të skemës katoviciane me zhvillimet e deriatëhershme në Shqipëri dhe me zhvillimet korrente gjithnjë në zbatim të saj, asokohe. Dhe tronditja jonë thellohej vazhdimisht teksa edhe në vitet dhe dekadat pasuese, me kokëfortësi, në çdo pikë, presje e apostrof, zhvillimet shqiptare provonin dhe rikonfirmonin pafundësisht zbatimin e Platformës së Katovicës. Platformë të cilën, kur u publikua dhe u ripublikua, ne kombëtaristët e konsideronim thjesht si metaforë propagandistike e fetishizuar nga një “shumatore përkimesh të përsëritura habitshëm”, apo si “fantazi e zhvilluar dhe e shfrenuar e ndonjë shkruesi mitoman e xheloz ndaj lidershipit politik të demokracisë së re shqiptare”.
Ne kombëtaristët nuk u impresionuam aspak kur u publikua me zë dhe figurë deklarata e Alisë në Byro: “Baballarët e tyre i kemi vrarë gjatë dyzet vjetëve…”, sepse këtë të vërtetë e dinim dhe e kishim provuar mbi kurriz, ndaj dhe nuk na lipsej pohimi nga krimineli trashëgimtar i diktaturës, nga e cila, përveç të tjerash, kemi ende 6 mijë varre të pagjetura. Por ne u tronditëm thellë dhe vijojmë të tronditemi kur shtresa jonë bazale politiko-shoqërore: ish-të Përndjekurit Politikë dhe ish-Pronarët Legjitimë (që përfshijnë afro 700 mijë shqiptarë), sot jo rastësisht ndodhen në mjerim ekonomik, të margjinalizuar, të papunë, të imponuar dhe të nxitur për të emigruar, e aspak të integruar.
Por dyshimi mbi ekzistencën apo jo të Katovicës mori fund kur bash i përzgjedhuri nga Alia për të drejtuar për më shumë se një dekadë, si nënkryetar, PPSH-në e “reformuar” në parti socialiste, profesori i filozofisë marksiste Servet Pëllumbi pranoi jo vetëm ekzistencën e Katovicës, por edhe zbatimin e përpiktë të Platformës së Katovicës, ideuar dhe hartuar nga Gorbaçovi si manual politik i pushtetmarrjes dhe pushtetmbajtjes nga ish-komunistët e konvertuar tashmë në social-demokratë “europeistë, euro-atlantistë” dhe miliarderë.
E përse të mos e besojmë Pëllumbin e mirinformuar kur vetë ai, Mejdani dhe të tjerë jashtë politikës, krahas Blushit brenda parlamentit, e akuzojnë PS-në se ka braktisur kauzën socialdemokrate të mbrojtjes së shtresave të paprivilegjuara?… Teksa e kanë dorëzuar lidershipin e partisë tek oligarkët miliarderë bash sipas Platformës së Katovicës: fillimisht dorëzim i pushtetit politik dhe marrje e pushtetit ekonomik, çka do të mundësojë sërish marrjen e pushtetit politik…
Komentet