Kryetari i bashkisë së Mineapolisit Jacob Frey shpalli të enjten gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të protestave të dhunshme që kanë përfshirë qytetin dhe që u shtrinë edhe gjatë ditës së premte. Një stacion policie dhe ndërtesa të tjera u dogjën në qytetin e mbushur me tension, pas vdekjes së një afrikano-amerikani nën arrest. Personi ishte nën pranga dhe një polic i bardhë i kishte vënë gjurin në qafë, ndërsa ai thërriste se nuk po mbushej dot me frymë.
Guvernatori i Minesotës Tim Walz thirri Gardën Kombëtare në një përpjekje për të ndalur përhapjen e mëtejshme të dhunës. Garda Kombëtare njoftoi të enjten vonë se janë aktivizuar pesëqind ushtarë të cilët do të vendosen në qytetet Saint Paul, Mineapolisit e në disa zona përreth.
Një reporter i gazetës “Minneapolis Star Tribune” postoi në twitter se automjete të blinduara po lëviznin drejt qendrës së qytetit përpara agimit të ditës së premten. Kryetari i Bashkisë së Mineapolisit Jacob Frey tha të premten herët në mëngjes se në qytet ka “shumë dhimbje e zemërim”, por ai shtoi se plaçkitjet dhe djegiet janë akte të papranueshme. Pronat e dëmtuara ishin thelbësore për komunitetin, shtoi ai.
Të enjten vonë në mbrëmje, qindra demonstrues marshuan fillimisht paqësisht, më pas një rajon policie në Mineapolis u përfshi nga flakët. Gazetarët në vendngjarje thanë se policia ishte larguar tërësisht nga zona dhe se ata nuk ishin të sigurt se ku ndodheshin punonjësit e policisë.
Postimet në Twitter tregonin se stacioni policor ishte braktisur dhe se nuk kishte zjarrfikës. Ndërkohë zyrtarët e qytetit bënë të ditur se sipas informacionesh të pakonfirmuara linjat e furnizimit me gaz ishin prerë dhe se ndërtesa e bashkisë mund të shpërthente. Disa dyqane në Mineapolis si dhe ne qytetin e Saint Paul u dogjën të enjten në mbrëmje. Policia e Saint Paul njoftoi se punonjës të saj ishin goditur me gurë dhe shishe.
Të premten herët në mëngjes policia e këtij qyteti shkruante në një postim twitter se më shumë se 170 biznese ishin dëmtuar apo plaçkitur dhe qyteti ishte përfshirë nga disa vatra zjarri, por nuk kishte të plagosur në gjendje serioze. Protestestat u nxitën nga vdekja e George Floyd nje afrikano-amerikan, ndërsa ishte ndaluar nga një polic i bardhë. Sipas rrjetit televiziv CNN ndaj oficerit të policisë ishin bërë 18 ankesa më parë pranë shërbimit të brendshëm të Departamentit të Policisë së Mineapolisit.
Policia e Minneapolis thotë se Floyd i ngjante një të dyshuari që ishte përpjekur të përdorte një kartmonedhë të falsifikuar 20 dollarëshe në një dyqan ushqimesh. Policia thotë se ai i kishte rezistuar arrestimit. Kalimtarët filmuan me celular momentin kur oficerët ndaluan Floydin. Videoja u përhap gjerësisht kur u postua në internet.
“Të lutem, të lutem, të lutem, nuk mund të marr frymë. Të lutem, o burrë”, u përgjërua Floyd, ndërsa mbahej nga një polic i bardhë. Sipas videove të celularit, oficeri e mbajti Floydin në tokë dhe i vendosi gjurin në qafë. Floyd ishte ndërkohë me pranga.
Oficeri që e prangosi Floydin e nxiste të “qetësohej”, por oficeri e mbajti gjurin në qafën e Floydit edhe pasi Floyd pushoi së lëvizuri. Një dëshmitar tha se ai dëgjoi Floydin duke thirrur për nënën e tij para se të vdiste.
Për shkak të thirrjes së tij “Nuk marr dot frymë”, vdekja e tij u krahasua shpejt me atë të Eric Garnerit, një afrikano-amerikan i paarmatosur në New York i cili vdiq në 2014 pasi një oficer i bardhë e shtrëngoi rreth qafës me krah, ndërsa ai lutej për jetën e tij. Garner gjithashtu u tha oficerëve “Nuk marr dot frymë”, dhe klithma e tij u bë simbol kombëtar kundër brutalitetit të policisë.
Tubime po mbaheshin edhe në qytete të tjera të enjten. Agjensia e lajmeve Associated Press (AP) raportoi se qindra demonstrues qëndruan në rrugët në qendër të qytetit dhe brohorisnin ndërsa errësira binte jashtë Kapitolit të Shtetit të Kolorados në Denver, ku protestuesit spërkatën me bojë dhe thyen xhama makinash.
AP raportoi se videoklipi i xhiruar nga protestuesja Anabel Escobar, 29 vjeçare, tregon një burrë mbi kofanon e një fuoristrade që po çante përmes turmës përpara Kapitolit. Videoja tregonte se shoferi po rriste shpejtësinë dhe më pas dukej se po përpiqej të shtypte personin pasi ra nga makina. Automjeti u largua ndërsa protestuesit e tjerë e ndoqën atë. Është e paqartë nëse njeriu mbi makinë ishte plagosur.
Në pjesë të tjera të qendrës së qytetit Denver, policia hodhi gaz lotsjellës dhe përdori plumba gome për të larguar njerëzit që po bllokonin rrugët, tha agjensia e lajmeve AP. Gazeta Washington Post raportoi se pati të shtëna me armë.
Departamenti i Policisë në Minneapolis shkarkoi të katër oficerët e përfshirë në arrestimin e Floydit. FBI-ja i është bashkuar hetimeve të policisë së Minneapolisit dhe zyrës së prokurorit të kontesë Hennepin. Departamenti i Drejtësisë tha se hetimi është një përparësi kryesore.
Presidenti Donald Trump shkruajti në Twitter se ka kërkuar që hetimi të “shpejtohet. … Zemra ime shkon familja dhe miqtë e Xhorxhit. Drejtësia do të bëhet!”.
Ai më vonë kritikoi udhëheqësit e qytetit si “të dobët”, tha se ishte i gatshëm të “dërgoj Gardën Kombëtare dhe ta kryejë punën si duhet” dhe paralajmëroi se në rast se do të ketë ndonjë vështirësi, “ne do të marrim kontrollin, por kur fillon plaçkitja, të shtënat fillojnë…”. Twitter më vonë e shënoi mesazhin, duke thënë se “shkelte Rregullat e Twitter-it në lidhje me lavdërimin e dhunës”.
Kryebashkiaku Jacob Frey, kur u njoftua nga gazetarët për këto mesazhe në Twitter, tha se: “Donald Trump nuk di asgjë për forcën e Minneapolisit.” dhe “Ne jemi të fortë si dreqi”.
Sindikata e policisë së qytetit po i kërkon publikut të presë derisa hetimi të përfundojë përpara se të “nxitojnë në një përfundim dhe të dënojnë menjëherë oficerët tanë.”
Por publiku po reagon për videon, e cila tregon se koka e Floydit është e kthyer mënjanë, ndërsa ai nuk duket se po reziston. Nga fundi i videos, vijnë mjekët e urgjencës, ngrenë Floyd-in e mpirë mbi një barelë dhe e vendosin atë në një ambulancë.
“Ai nuk po rezistonte në mënyrë aktive dhe po thoshte se nuk mund të merrte frymë,” tha Charles P. Stephenson, një ish-oficer policie dhe ish-agjent i FBI-së me ekspertizë në taktikat e përdorimit të forcës, i cituar nga Associated Press. “Duhet ta kishin parasysh se ekzistonte mundësia (që Floyd nuk mund të merrte frymë), dhe të lironin menjëherë çdo lloj kufizimi që mund t’u kishin bërë rrugëve të frymëmarrjes”.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë shumë mënyra për të ndaluar njerëzit, por “asnjë akademi policie që ne njohim nuk i mëson oficerët e policisë të përdorin gjurin e tyre, tua vendosin atë në qafë”, thotë Chuck Wexler, drejtor i Forumit Ekzekutiv të Hulumtimit Policor, i cili studion dhe jep këshilla për praktikat e policisë. “Kjo thjesht nuk u mësohet sepse mund të ndikojë në frymëmarrje dhe tek arteriet karotide (një enë e rëndësishme që furnizon gjakun në tru). Kështu që kur policia shikon atë video, ata janë të tronditur që janë përdorur ato taktika”.
Të enjten, Jacob Frey, kryetari i bashkisë së Minneapolisit, u bëri thirrje të gjithëve në qytet që të mbajnë qetësinë pas dy netëve të dhunës kur pati zjarrvënie dhe njerëz – të bardhë dhe afrikano-amerikanë – që duket se grabisnin një dyqan Target, duke shtyrë karrocat me mallra në rrugë.
Dritaret e pothuajse çdo dyqani përreth supermarketit Target u thyen dhe një restorant hamburgerash u dogj krejtësisht.
Policia me veshje mbrojtëse hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën që demonstronte para një rajoni të policisë në Minneapolis. Ndërtesa dhe një makinë policie u dëmtuan.
Nuk u raportuan plagosje serioze, por policia e Minneapolisit ka arrestuar një të dyshuar që ata thanë se qëlloi dhe vrau një person që besonte se po përpiqej të plaçkiste një dyqan.
Disa banorë që jetojnë pranë dyqaneve të plaçkitura kritikuan ashpër policinë, por thanë se nuk mund ta kuptojnë pse njerëzit po shkatërrojnë lagjen e tyre, përfshirë vendet ku bënin pazar.
Në qytetin Nju Jork, raportoi Associated Press, protestuesit sfiduan masat ndaluese për koronavirusin në tubimet publike të enjten, duke u përplasur me policinë. Demonstrata u zhvilluan gjithashtu në Albuquerque, New Mexico. Një ditë më parë, demonstruesit kishin dalë në rrugë në Los Angeles dhe Memfis.
Vdekja e Floydit tërhoqi vëmendje ndërkombëtare.
Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, tha se autoritetet amerikane kanë për detyrë të sigurohen që do të bëhet drejtësi, pasi ajo lexoi listën e burrave afrikano-amerikanë që kanë humbur jetën në paraburgimin e policisë amerikane gjatë viteve të fundit.
“Në shumë raste në të kaluarën, hetime të tilla i kanë konsideruar vrasjet të arsyeshme mbi baza të dyshimta, ose janë vendosur vetëm masa administrative,” tha ajo.
Ndërsa zonja Bachelet tha se racizmi “i ngulitur dhe i përhapur” në Shtetet e Bashkuara duhet të njihet dhe trajtohet, ajo gjithashtu tha se më shumë dhunë dhe plaçkitje nuk do ta zgjidhin problemin:
“Unë u bëj thirrje protestuesve të shprehin kërkesat e tyre për drejtësi në mënyrë paqësore, dhe i bëj thirrje policisë që të bëjë kujdes maksimal për të mos ndezur situatën aktuale edhe më shumë me ndonjë përdorim të mëtejshëm të forcës së tepruar.”
Vëllai i Floydit, Philonise Floyd, i tha kanalit CNN të enjten se ai është “lodhur duke parë afrikano-amerikanë që vdesin” dhe u bëri thirrje protestuesve të ruajnë paqen. Ai i bëri thirrje policisë “të filloni të bëni punën tuaj në mënyrën e duhur, sepse unë nuk e kam parë këtë. … dua drejtësi. Unë thjesht dua drejtësi”, tha ai, duke u munduar të mbante lotët.
Kryebashkiaku Frey tha të enjten se reagimi i dhunshëm ndaj vdekjes së Floyd-it është “rezultat i zemërimit dhe trishtimit kaq shumë të akumuluar … që është gdhendur në komunitetin tonë afrikano-amerikan, jo vetëm për shkak të pesë minutave të tmerrit, por për 400 vjet”, – një referencë kjo për skllavërinë dhe racizmin që e pasoi.
Zoti Frey është i bardhë, dhe qyteti që ai drejton është rreth 64 përqind i bardhë, sipas Censusit të Shteteve të Bashkuara. Vetëm rreth 19 përqind e banorëve të qytetit janë afrikano-amerikanë.
Vdekja e Floydit vjen disa javë pasi tre persona u akuzuan për të shtënat fatale në shtetin Georgia, të Ahmaud Arbery-it. Afrikano-amerikani aludohet se u vra në shkurt nga një ish-polic i bardhë i kontesë Glynn dhe djali i tij, i cili me sa duket e mori gabimisht për një hajdut ndërsa ai bënte vrap. Të dy u akuzuan vetëm pasi një video nga të shtënat u shfaq disa javë më vonë. Akuza u ngritën edhe ndaj personit që kishte filmuar. zëri i amerikës
Komentet