Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi janë dy nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë hequr nga fletarrestet e INTERPOL-it, por ata së shpejti do të kthehen në to, shkruan “Blic” i Beogradit, duke iu referuar burimeve të veta.
Siç transmeton Gazeta Express, sipas informatave jozyrtare të mediumit serb, ankesa e Serbisë për fshirjen nga sistemi i INTERPOL-it i emrave të Thaçit dhe Haradinajt, si dhe të rreth 20 ish-pjesëtarëve të UÇK-së për të cilët Serbia pat shpallur fletarreste ndërkombëtare duke i akuzuar për krime lufte, do të pranohet dhe do të miratohet. Kjo, madje, do të ndodhë brenda më së shumti një jave, shkruan “Blic”.
Siç njoftoi dje Gazeta Express MPB-ja serbe ka njoftuar se lidhur me fshirje e emrave të ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka parashtruar ankesë në Komitetin Ekzekutiv të Interpolit.
“Në koordinim me institucionet tjera, menjëherë pas njoftimit se nga sistemi i Interpolit janë fshirë më shumë fletarreste për krime lufte, kemi parashtruar ankesë për shkak të këtij akti”, kanë thënë nga MUP-i për gazetën “Novosti”, ndërsa të njëjtin njoftim sot e transmeton edhe “Blici”.
Në ankesën serbe, shkruan gazeta, “me përpikëri janë cekur të gjitha shkeljet e së drejtës materiale dhe rregullave që e definojnë punën e Interpolit”, me përfundimin se kjo organizatë ka marrë vendim të paligjshëm.
“Kjo është precedent në punën e kësaj organizate. Presim që Komiteti Ekzekutiv në mbledhjen e parë të ardhshme, brenda pak ditëve, ta pranojë ankesën tonë dhe që vendimi i disa individëve nga shërbimi juridik i Interpolit urgjentisht të ndryshohet, ashtu që të gjitha fletarrestet e fshira do të kthehen në sistemin e Interpolit”, thonë nga MUP-i.
Sipas medias beogradase, ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë hequr nga feltarrestet e kuqe duke anashkaluar komisionet kompetente të organizatës.
Ministri i Brendshëm i Kosovës Flamur Sefaj të martën njoftoi se ka marrë konfirmim nga Interpoli se kjo organizatë i ka pezulluar fletarrestet për ish-anëtarët e UÇK-së, të cilët Serbia i akuzon për krime lufte.
“Vendkalimet ndërkombëtare kufitare në të ardhshmen edhe zyrtarisht do të jenë të hapura për Ramush Haradinajn, por edhe për bashkëluftëtarët e tij të afërt nga ditët terroriste – Hashim Thaçin, Azem Sylën, Shujkri Bujën, Lirim Jakupin…”, shkruan shtypi serb.
Komentet