Jim Mattis, ish-Sekretar i Mbrojtjes në administratën Trump, i cili dha dorëheqjen për të protestuar ndaj tërheqjes së trupave amerikane nga Siria, akuzoi Presidentin e Shteteve të Bashkuara se po përpiqet të “përçajë” Amerikën.
“Në jetën time, Donald Trumpi është presidenti i parë që nuk përpiqet t’i bashkojë amerikanët, dhe as pretendon ta bëjë një gjë të tillë,” shkroi ai në një deklaratë të botuar në internet nga revista The Atlantic të mërkurën.
“Përkundrazi, ai po përpiqet të na ndajë”, tha ish gjenerali i respektuar i marinsave, i cili deri më tani kishte shfaqur rezervat e tij pa komentuar kurrë drejtpërdrejt për mandatin e miliarderit republikan.
“Vëzhgova ngjarjet e kësaj jave, i zemëruar dhe i shqetësuar”, vazhdon ai në këtë aktakuzë të paepur, duke mbështetur demonstruesit që pretendojnë, sipas tij “me të drejtë”, të drejta të barabarta.
Që nga vdekja më 25 maj në Mineapolis e George Floyd, një afrikano-amerikan i asfiksuar nga një polic i bardhë, një valë historike zemërimi është përhapur në qytetet amerikane, duke denoncuar racizmin, dhunën e policisë dhe pabarazinë sociale. Qindra mijëra njerëz protestuan paqësisht në të gjithë vendin, por plaçkitjet dhe trazirat gjithashtu dëmtuan lëvizjen.
Donald Trump, shumë i heshtur për përgjigjen e tij ndaj praktikave të denoncuara nga demonstruesit, nga ana tjetër përdori një ton ushtarak dhe kërcënoi të drejtohej tek ushtria për të shuar protestat, duke e prezantuar veten si “president të ligjit dhe rendit”.
“Ne nuk duhet të shpërqendrohemi nga një pjesë e vogël veprimesh të jashtëligjshme. Demonstruesit janë dhjetëra mijëra njerëz me parime që këmbëngulin që të mbrojmë vlerat tona,” tha Jim Mattis.
“Ne duhet t’i kundërshtojmë dhe t’i mbajmë përgjegjës ata që janë në pushtet që tallen me Kushtetutën tonë,” shtoi ai. zëri i amerikës
Komentet