57 vjet pas Marshimit për Punë e Liri në Uashington, ku Martin Luther Kingu mbajti fjalimin e famshëm “Kam një Ëndërr”, kryeqyteti amerikan do të bëhet skenë e një marshimi të ri të premten.
Marshimi i kësaj radhe pason demonstrata që vazhdojnë prej muajsh me thirrjet kundër dhunës policore ndaj personave me ngjyrë. Protestat filluan pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd gjatë arrestit në Mineapolis. Vdekja e tij është bërë simbol i historisë së gjatë të vdekjeve të personave me ngjyrë në duart e policisë.
Marshimi i së premtes është pagëzuar “Hiqni Gjurin që na Keni Vënë në Qafë,” një frazë që i referohet momentit kur vdiq George Floyd, i mbërthyer përdhe me gjurin e policit në qafë.
Këtë javë, një polic qëlloi shtatë herë në shpinë 29-vjeçarin afrikano-amerikan Jacob Blake në Kenosha të shtetit Uiskonsin. Aktualisht Blake është paralizuar nga mesi e poshtë.
Marshimi i së premtes është organizuar nga Rrjeti për Veprim Kombëtar i të Përndershmit Al Sharpton, organizata Martin Luther King III dhe grupime të tjera përfshirë edhe Shoqatën Kombëtare për Avancimin e Personave me Ngjyrë si dhe Federatën Hispanike, Ligën Kombëtare Urbane dhe shoqata e sindikata të tjera.
Aktiviteti do të fillojë në shkallët e Përmendores së Linkolnit dhe pas disa orësh demonstruesit do të marshojnë drejt Përmendores së Martin Luther Kingut.
Ndër ata që do ta marrin fjalën do të jenë ligjvënës e të afërm të personave që kanë vdekur në duart e policisë.
Fillimisht pritej një pjesëmarrje prej 100 mijë vetësh në marshim, por tani parashikimet flasin për afro 50 mijë vetë në përputhje me lejen që ka nxjerrë Shërbimi i Parqeve që menaxhon aktivitetet në hapësira publike në Uashington.
Pandemia, e cila ka prekur çdo aspekt të jetës, ka ndikuar edhe tek planet për marshimin e së premtes. Organizatorët thonë se çdo pjesëmarrës do të kontrollohet nëse ka temperaturë. Po ashtu, janë krijuar 200 stacione për sterilizimin e duarve dhe të gjithë duhet të mbajnë maskë.
Organizata e zotit Sharpton ka anuluar autobusë nga disa shtete ku ritmet e pandemisë janë të larta, pasi Uashingtoni ka vendosur karantinë dy javëshe mbi këdo që futet në qytet nga këto shtete, përfshirë Floridën, Teksasin dhe Xhorxhian.
Ata që do të marrin pjesë në marshim do të drejtohen në seksione të paracaktuara para përmendores, në distancë fizike nga njëri-tjetri dhe do të ndjekin fjalimet përmes ekraneve gjigande.
Komentet