PODGORICË – Në Mal të Zi, aktualisht është në procedurë një gjykim për krime lufte në Kosovë, ndërkohë që po kryhen hetime edhe për katër raste tjera të krimeve të luftës në teritorin e ish-Jugosllavisë, njëri prej të cilëve ka të bëjë me vrasjen e civilëve shqiptarë në Kosovë.
Në bazë të të dhënave të raportit të tretë periodik të komitetit për luftë kundër torturës në Mal të Zi, aktualisht në procedurë e sipër janë pesë lëndë që kanë të bëjnë me krime lufte.
Në lëndën “Zmajeviq”, procesi gjyqësor është në vazhdim e sipër, ku një i dyshuar akuzohet se në cilësi të ushtarit vullnetar të Ushtrisë së Jugosllavisë, më 30 mars të vitit 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile shqiptare në rajonin e Zhegrës, komuna e Gjilanit.
Në katër lëndët tjera, njëra prej të cilave ka të bëjë me Kosovën, personi me inicialet NN, hetohet për vrasje, ndërsa siç bëhet e ditur, provat po sigurohen përmes ndihmës juridike ndërkombëtare.
Siç njofton gjykata e Malit të Zi, ky vend ka zgjidhur të gjitha lëndët për kompensim të viktimave nga krimet e luftës, për çka Mali i Zi ka paguar kompensim në vlerë prej 5.714.656 euro. aa
Komentet