Të mërkurën në mbrëmje, në aksin rrugor Berane-Podgoricë u sulmua me gurë në qytetin verior të Malit të Zi, Berane, autobusi me udhëtarë nga Kosova, të cilët po udhëtonin drejt një qendre për ski që ndodhet në këtë vend.
Policia malazeze nuk dha asnjë njoftim për ngjarjen në fjalë, ndërkaq lajmin e kanë bërë të ditur disa nga mediat në Mal të Zi.
Televizioni publik i Malit të Zi njoftoi se në Berane është sulmuar me gurë autobusi i Agjencisë “Gjafa tours” dhe se policia është duke u marrë me rastin. Nuk është bërë e ditur nëse ka të lënduar.
Ndërkaq, të enjten Partia Demokratike Socialiste e presidentit malazez, Milo Gjukanoviq, dega në Berane ka dënuan aktin vandal. Në një njoftim të saj thuhet se incidente të tilla shkaktohen nga individë ose grupe të papërgjegjshme, të frymëzuar nga nacionalizmi i çmendur.
“Kjo ngjarje dërgoi një mesazh shumë të shëmtuar nga qyteti ynë për turistët që vizitojnë Malin e Zi. Përpjekjet e qeverisë së mëparshme për të vlerësuar potencialet e Bjelasica dhe për ta bërë atë një qendër rajonale për ski po përpiqen të shemben me aktet që ndodhën natën e kaluar në Berane”, thuhet në njoftim.
Kjo parti i bëri thirrje autoriteteve malazeze që të gjejnë autorët e krimit dhe të mbrojnë sigurinë e qytetarëve.
“Ne do të bëjmë gjithçka për të eliminuar fenomene të tilla primitive, prandaj u bëjmë thirrje autoriteteve kompetente të gjejnë autorët e krimit dhe t’i sjellin ata para drejtësisë. Ne gjithashtu kërkojmë nga qeveria aktuale të mbrojë sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe të gjithë turistëve që qëndrojnë ose vizitojnë Malin e Zi”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike Socialiste të presidentit Gjukanoviq.
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka dënuar ashpër incidentin në Berane të Malit të Zi. Zonja Stublla vuri në dukje se ky incident ka mbjellë frikë për qarkullimin e lirë të qytetarëve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe se Kosova nuk do ta lejojë minimin e drejtimit euro-atlantik të rajonit, nga këto incidente të mbjella nga lufta hibride kundër anëtarëve dhe aleatëve të NATO-s në rajon.
“Si rajon ne jemi përcaktuar për integrim euro-atlantik dhe Kosova nuk do të lejojë asnjë zbrazëti për minim të kësaj përpjekjeje nga lufta hibride që po bëhet ndaj shteteve anëtare dhe aleatëve të NATO-s në Ballkanin Perendimor”, tha zonja Haradinaj-Stublla.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar nga autoritetet malazeze sqarim të plotë të këtij incidenti, i cili nuk është në frymën e fqinjësisë së mirë e rrugës pa kthim të të shteteve për integrim euro-atlantik.
Ambasada e Kosovës në Podgoricë, përmes një note verbale drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi, ka kërkuar shpjegim në lidhje me incidentin në Berane.
Komentet