Një gjykatës federal vendosi se John Hinckley, personi që shtiu me armë ndaj Presidentit Ronald Reagan, është në gjendje të vazhdojë jetën e tij i lirë.
Për shkak të çrregullimeve mendore, zoti Hinckley u shpall jo fajtor për plagosjen e Presidentit dhe tre personave të tjerë në vitin 1981.
Ai u mbajt për 35 vjet në spitalin e shëndetit mendor “Shën Elizabeta” të Washingtonit.
Në vitin 2016, zoti Hinckley, tashmë 63-vjeçar, u vendos në banesën e nënës së tij 90-vjeçare, në Williamsburg, të shtetit Virxhinia.
Në vendimin e botuar dje të gjykatësit federal Paul Friedman shkruhet se zoti Hinckley “nuk paraqet rrezik për veten dhe të tjerët” dhe se mund të jetojë në një zonë jo më larg se 75 milje nga Williamsburgu, pasi vendndodhja të miratohet nga doktorët.
Sipas dokumentave të gjykatës, ai do të duhet të takohet me doktorët çdo dy muaj.
Zoti Hinckley ishte 25 vjeç në vitin 1981, kur qëlloi me armë Presidentin Reagan në hyrje të një hoteli në Washington. Nga plumbat u paralizua sekretari i shtypit Jim Brady dhe u plagosën agjenti i Shërbimit Sekret, Timothy McCarthy, si dhe oficeri i policisë Thomas Delahanty.
Në kohën e atentatit, zoti Hinckley vuante nga psikoza akute dhe depresioni i lartë. Ai ishte fiksuar pas aktores Jodie Foster.
Barry Levine, avokati i zotit Hinckley, njoftoi se në të ardhmen do të kërkojë edhe lirimin e tij pa kushte. Sesioni i ardhshëm i gjykatës është planifikuar për në muajin qershor.
Zoti Levine tha se: “Zbatimi prej tij i udhëzimeve të gjykatës ndër vite ka qenë i shkëlqyer. Nëse njerëzit do ta njihnin, do ta pëlqenin.”
Komentet