Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, njëherësh lideri i Demokratëve, Aleksa Beçiq e cilësoi si “tentim klasik për puç kushtetues” dhe ndaj vullnetit të qytetarëve e demokracisë, iniciativën për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit, Zdravko Krivokapiq.
Më 19 janar, Lëvizja Qytetare Ura, e udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Dritan Abazoviq, dorëzoi në procedurë parlamentare mocionin për mosbesimin e Qeverisë.
Kjo nismë është nënshkruar nga anëtarët e koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, Lëvizja Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës si dhe partitë opozitare Partia Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partia Boshnjake, Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe një pjesë e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Por Beçiq, partia e të cilit është pjesë e koalicionit aktual qeverisës tha se pjesëtarët e shumicës aktuale kishin deklaruar më herët se nuk do të bashkëpunonin më me partinë e Gjukanoviqit dhe tani kësaj partie po i ofrojnë mundësinë që të formojë shumicën parlamentare.
“Ky quhet mashtrim politik”, tha Beçiq, duke shtuar se është duke u bërë “tradhti me përmasa epike”.
Thirrje për dorëheqjen e Abazoviqit
Abazoviq më herët ka shpalosur idenë për formimin e një qeverie të pakicës, që ka thënë se është një model për tejkalimin e krizës politike në Malin e Zi.
Por ministrat e Financave dhe Zhvillimit Ekonomik, Milojko Spajiq dhe Jakov Millatoviq kërkuan që Abazoviq të japë dorëheqje nga posti i zëvendëskryeministrit.
“Abazoviq ose duhet të japë dorëheqje apo duhet ta tërheqë nismën (për mocion). Këshillë miqësore: Mos lejoni që dinozaurët, ju si i ri dhe premtues, t’iu konsumojnë dhe t’iu pensionojnë nga politika, dhe populli të ju kujtoj si tradhtar. Tërhiqeni mocionin, kthehuni aty ku e keni vendin. Nga Uashingtoni me dashuri”, ka shkruar Spajiq në Twitter.
Në rrjetin social Twitter ka reaguar edhe ministri Millatoviq.
“Duke pasur parasysh që zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq paraqiti nismën për rrëzimin e Qeverisë së bashku me ata që janë përgjegjës për ngecjen morale dhe ekonomike të Malit të Zi, gjë për të cilën ai ka folur pafundësisht, ne besojmë se është etike që të japë dorëheqje nga Qeveria të cilin ai po e rrëzon”, tha Millatoviq, duke shtuar në fund të postimit të tij se ky postim ishte nga “ministrat në Qeverinë e Malit të Zi”.
Por ministri i Punëve të Brendshme, Sergej Sekulloviq tha se Millatoviq ka keqpërdorur pozitën e tij si ministër, duke folur në emër të të gjithë ministrave pa u konsultuar paraprakisht.
“Nuk jemi konsultuar dhe nuk kam dhënë miratimin tim, as nuk ndaj mendimin që ka shprehur Milatoviq”, tha Sekuloviq.
Ai shtoi se ishte “i shqetësuar për papërgjegjshmërinë e personave në poste të larta, që de fakto bëjnë thirrje për rezistencë, rrisin konfuzionin dhe dëshirojnë të shkaktohen trazira të përmasave të mëdha”.
Sekulloviq bëri thirrje për qetësim të situatës dhe tha se duhet të pranohet që në një shoqëri demokratike, vendimet merren në përputhje me procedurat e parapara në Kushtetutë.
Edhe ministri i Jashtëm, Gjorgje Radulloviq, u distancua nga qëndrimi i Millatoviqit dhe mbështeti Abazoviqin.
Ai tha se Abazoviqi gjatë vitit të kaluar ka kontribuar më së shumti në punën e Qeverisë dhe “falë guximit të tij politik” ka ndodhur ndryshimi i parë paqësor i një qeverie në Mal të Zi.
Lëvizja Ura tha se nisma për mocionin e mosbesimit do të tregojë nëse Qeveria e Krivokapiqit ka mbështetjen e shumicës së deputetëve apo nëse propozimi i tyre për qeveri të pakicës do të përkrahet nga ligjvënësit.
Për të iniciuar shkarkimin e Qeverisë në Kuvend nevojiten 27 vota, ndërsa për largimin e saj duhet një shumicë prej 41 deputetësh.
Me mbështetjen e partisë së Gjukanoviqit, e cila ka 30 deputetë në Parlamentin malazez, Lëvizja Ura siguron numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq.
Qeveria e Zdravko Krivokapiqit u zgjodh më 4 dhjetor 2020 me votat e partisë pro-serbe, Frontit Demokratik, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare Ura si qeveria e ekspertëve, kurse i vetëm politikan në të është kreu i Lëvizjes Ura, Dritan Abazoviq, që mban postin e zëvendëskryeministrit.
Komentet