Dy vëzhgues të hershëm të zhvillimeve në Ballkan Edward Joseph dhe Januzs Bugajski analizojnë situatën e krijuar dhe paralajmërojnë për pasoja të rënda në se kriza nuk zgjidhet. Ata komentuan për korrespondentin e shërbimit maqedonas të Zërit të Amerikës, Jane Bojadzevski.
Eduard Joseph, ekspert për Ballkanin në Qendrën për Marrëdhënie Transatlantike mendon se kriza e tanishme politike në Maqedoni është artificiale, e panevojshme dhe është shkaktuar nga refuzimi i partisë VMRO-DPMNE për të pranuar të drejtën kushtetuese të një partie opozitare për të formuar qeverinë. Efekti i kësaj krize thotë eksperti është shumë i rëndë. Ai i quan thirrjet e ish kryeministrit Nikolla Gruevski që njerëzit të dalin në rrugë në mbrojtje të vendit të papërgjegjëshme dhe potencialisht të rrezikshme.
“Thirrjet për protesta në rrugë për të mbrojtur vendin, sikur vendi të ishte nën ndonjë lloj kërcënimi, kur ky nuk është gjë tjetër veçse një proces demokratik i një koalicioni tjetër qeverisës që ka hartuar një qeveri e që mund të drejtojë vendin, ta kundërshtosh këtë dhe të bësh këto thirrje për mbrojtjen e vendit, është e papërgjegjëshme dhe potencialisht e rëndë”.
Janush Bugajski, hulumtues në Qendrën për Analizat e Politikës së Jashme Evropiane thotë se Maqedonia është pranë një krize madhore. Ai e quan kërkesën e opozitës për të rifilluar punimet në parlament si të rëndësishme, por më e rëndësishme thotë ai, është formimi i një qeverie legjitime, të pranuar nga presidenti, sipas kushtetutës dhe në përputhje me rezultatet e zgjedhjeve.
“Duket se situata është bllokuar. Kjo mund të çojë nga një krizë në një tjetër dhe mund të përkeqësohet shumë më shpejt nga sa mendohet”.
Për zotin Joseph, argumenti i shtruar nga presidenti i vendit për rrezikshmërinë që mund të vijë nga e ashtuquajtura platforma shqiptare është e padrejtë dhe e motivuar politikisht.
“Së pari kjo nuk është diçka e re, nuk ka qënë sekret dhe votuesit e kanë ditur. Së dyti, nocioni se ky është një farë rreziku nuk është i llogjikshëm – çdo qeveri maqedonase që nga pavarësia ka pasur parti shqiptare në përbërje. Partia Bashkimi Demokratik për Integrim ka qënë pjesë e qeverisë së Gruevskit megjithëse në një periudhë quhej grupim terrorist. Pra nocioni që kjo parti është e denjë për të qënë pjesë e qeverisë së Gruevskit, por është e padrejtë për një parti të opozitës të ketë në koalicion një parti shqiptare është e pallogjikshme”.
Janush Bugaski thotë se në se e sheh platformën shqiptare, kërkesat nuk janë aq larg nga Marrëveshja e Ohrit. Shumë shqiptarë, thotë ai nuk ishin të kënaqur me punën e koalicionit të mëparshëm qeveritar.
“Kjo nuk ka të bëjë aq shumë me të drejtën e gjuhës për mendimin tim sesa me premtimet ekonomike. Qeveria nuk ka favorizuar pjesën shqiptare të popullatës, duke e diskriminuar për interesat e saj, por këtu përfshihen edhe social-demokratët. Kjo është arsyeja përse edhe social-demokratët janë kundër performancës të qeverisë së mëparshme. Shumë shqiptarë votuan për opozitën maqedonase dhe jo për partitë shqiptare”.
Sipas zotit Bugajski, kriza politike mund të shoqërohet me konflikte të reja etnike.
Edward Joseph e sheh mundësinë e zgjedhjeve të reja të propozuar nga ish kryeministri Gruevski si të padrejtë dhe të pabazë. Në një sistem parlamentar thotë ai, shkaku për të patur zgjedhje të reja, është atëhere kur rezultatet e zgjedhjeve janë të tilla që nuk mund të çojnë në krijimin e një qeverie. Por në këtë rast thotë eksperti, është e qartë se ka një qeveri që mund të krijohet.
Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë mundësi ta zgjidhur krizën.
“Ambasada dhe ambasadori amerikan në Shkup duhet të jenë të palëkundur në zbatimin e parimeve demokratike, të kuptojnë çfarë implikimesh ka kjo situatë jo vetëm për Maqedoninë por për rajonin në gjërësi dhe mbarë Evropën”.
Sipas zotit Joseph, duhet një qëndrim i prerë kundër përpjekjeve të qeverisë për të shkatërruar procesin demokratik kur nuk ju pëlqejnë rezultatet e zgjedhjeve apo koalicioni i formuar në parlament.
Sipas zotit Bugajski, Shtetet e Bashkuara duhet të sjellin të dyja palët pranë dhe t’i paralajmërojnë se po rrezikojnë të ardhmen e vendit. Nga ana tjetër duhet të ketë një farë nxitje për anëtarësimin në Nato.
“Mendoj se kjo lojë është zgjatur shumë me Greqinë. Maqedonia duhet të ketë një të ardhme, duhet të ketë një vizion për çfarë është arritur dhe çfarë pritet të arrijë. Pa një vizion të tillë, mendoj se vendi do të zhytet në kaos”.
Komentet