Presidenti amerikan Donald Trump pritet të nënshkruajë të premten legjislacionin që autorizon 8.3 miliardë dollarë në shpenzime urgjente për të luftuar shpërthimin e COVID-19, përfshirë fondet për zhvillimin e një vaksine. Legjislacioni kaloi gati njëzëri në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve.
Kryetari i Komisionit për Buxhetin në Senat, Richard Shelby tha: “Në situata si kjo, unë besoj se asnjë shpenzim nuk duhet të kursehet për të mbrojtur popullin amerikan dhe në hartimin e kësaj pakete nuk u kursye asgjë.”
Sekretari amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore tha të enjten se një milion komplete testimi për COVID-19 pritet të arrijnë këtë fundjavë në laboratorët e SHBA.
Sekretari Alex Azar tha se testet e koronavirusit po dërgohen nga një firmë prodhuese private.
Administrata Trump është kritikuar për furnizimin e mangët të kompleteve të testimit.
Nënpresidenti Mike Pence tha në shtetin Uashington të enjten, se “nuk kemi teste të mjaftueshme sot për të përmbushur atë që parashikojmë se do të jetë kërkesa në të ardhmen“, por shtoi se “përparimi i vërtetë” ishte bërë “gjatë ditëve të fundit”.
Nënpresidenti Pence u takua të enjten me Guvernatorin e Uashingtonit, Jay Inslee. Uashingtoni është shteti ku kanë ndodhur 11 nga 12 vdekjet në Shtetet e Bashkuara nga virusi. Shumica e vdekjeve në Uashington ndodhën në një shtëpi pleqsh pranë Seattle.
“National Nurses United” tha që anëtarëve të saj nuk u janë dhënë burimet, furnizimet, mbrojtjet dhe trajnimet e nevojshme për të bërë punët e tyre si duhet. Drejtorja Ekzekutive Bonnie Castillo tha se “nuk është një strategji e suksesshme të lihen të pambrojtur infermierët dhe punonjësit e tjerë të kujdesit shëndetësor“. Castillo, e cila është vetë infermiere e regjistruar, tha se kur infermierët vendosen në karantinë, “nuk na ndalohet vetëm të kujdesemi për pacientët me COVID-19, por na mbajnë larg kujdesit për pacientët me kancer, pacientët me probleme kardiake dhe foshnjat e lindura para kohe“.
Pesë shtete amerikane – Maryland, California, Florida, Uashingtoni dhe Hawaii – kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të virusit.
Maryland iu shtua listës të enjten, pasi tre banorë të kontesë Montgomery – një burrë dhe një grua në të 70-tat dhe një grua në të 50-tat – u diagnostikuan me koronavirus. Të tre u raportua se e kishin marrë virusin gjatë një udhëtimi turistik me anije jashtë shtetit. Montgomery është një periferi e shtetit Maryland, e ndodhur pranë kryeqytetit amerikan Uashington, DC.
Kolorado ka njoftuar dy rastet e para të koronavirusit – një burrë dhe një grua. Të dy kishin udhëtuar jashtë vendit, por zyrtarët thonë se rastet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Forcat e Shteteve të Bashkuara në Kore thanë të premten se një nga punonjëset e saj në Korenë e Jugut ka rezultuar pozitive pas testimit për koronavirusin. Ajo është punonjësja e shtatë e ushtrisë amerikane në Kore që testohet pozitivisht për koronavirusin. Autoritetet thonë se ajo është në karantinë në banesën e saj jashtë bazës në Cheonan.
Vatikani raportoi rastin e parë të koronavirusit të premten. Zëdhënësi Matteo Bruni tha se klinika shëndetësore e Vatikanit është mbyllur për një pastrim të thellë, por salla e saj e urgjencës mbetet e hapur.
Kameruni gjithashtu ka njoftuar rastin e parë të koronavirusit. Ministri i shëndetësisë tha në një deklaratë të premten se viktima është një mashkull francez 58-vjeçar që mbërriti në Yaounde në 24 shkurt. “Mbikëqyrja aktive në vend, që nga shfaqja e virusit Covid-19, e ka bërë të mundur zbulimin e këtij rasti“, thuhet në deklaratë. Qytetari francez mbahet i izoluar.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të enjten, duke mbyllur shkollat për 30 ditë dhe duke mbyllur Kishën e Lindjes në Betlehem, pasi shtatë raste të koronavirusit u konfirmuan në qytet. Këto janë rastet e para në territoret palestineze.
Mbyllja e kishës në qytet, për të cilën adhuruesit thonë se është vendlindja e Jezusit, do të shkatërrojë industrinë jetësore të turizmit në Betlehem, ndërsa na ndajnë vetëm disa javë para Pashkëve.
Kërcënimi duket se po zvogëlohet në Kinë, ku shpërthimi filloi në muajin dhjetor. OBSH tha të enjten se ka rreth 17 herë më shumë raste të reja jashtë Kinës tani, sesa brenda vetë Kinës.
Të premten megjithatë, Kina raportoi se numri i rasteve të reja ishte rritur nga 139 të enjten, në 143.
Qindra pacientë janë liruar nga spitalet kineze dhe fabrikat e mbyllura kanë filluar të rihapen. Por, Presidenti Kinez Xi Jinping ka ndërprerë një vizitë të planifikuar shtetërore në Japoni, ku Tokio ka deklaruar se të gjithë vizitorët nga Kina dhe Koreja e Jugut do të vendosen nën karantinë. Koreja e Jugut ka numrin më të madh të rasteve të koronavirusëve jashtë Kinës.
Australia u bashkua me Kinën dhe Iranin në ndalimin e udhëtimit nga Koreja e Jugut.
Indonezia po ashtu po kufizon udhëtimet nga pjesë të Koresë së Jugut, si dhe dy vende të tjera të goditura fort – Irani dhe Italia. Të dyja këto vende kanë mbyllur shkollat.
Kombet e Bashkuara thanë që virusi ka prishur mësimin për afro 300 milionë studentë në të gjithë botën nga, niveli parashkollor deri në klasën e 12-të. Ky numër nuk përfshin kolegjet që gjithashtu janë mbyllur.
Komentet