Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit të Shteteve të Bashkuara miratoi emërimin e drejtorit të CIA-s, Mike Pompeo, në postin e sekretarit amerikan të Shtetit.
Emërimi i Pompeos u miratua me të 11 votat për të republikanëve, ndërsa nga dhjetë demokratët e Komitetit, nëntë votuan kundër.
Pompeo është zgjedhja e presidentit amerikan, Donald Trump, pasi ky i fundit ka shkarkuar sekretarin e deritanishëm të Shtetit, Rex Tillerson.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, e mirëpriti votimin në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë dhe tha se Senati tani ka vota të mjaftueshme për të konfirmuar Pompeon, këtë javë, në postin e sekretarit. Një gjë e tillë do t’i mundësonte Pompeos të ndiqte një samit të NATO-s më 27 prill.
“Shtetet e Bashkuara do të kenë një kryediplomat që gëzon besimin e plotë të presidentit”, tha McConnell.
Pompeo është bërë një nga këshilltarët më të besueshëm të Trumpit gjatë 15 muajve të tij si drejtor i CIA-s.
Së voni, ai ka qenë i përfshirë thellë në përgatitjet e një takimi të Trumpit me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Derisa demokratët e Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë e kanë kundërshtuar Pompeon, duke e konsideruar si luftarak dhe të ashpër ndaj Islamit, ai e ka mbështetjen e së paku tre demokratëve në Senatin e plotë dhe asnjë republikan nuk është shprehur kundër. Kjo do të thotë se ai e ka të sigurt konfirmimin për sekretar të Shtetit.
Komentet