Ish-sekretarët amerikanë të shtetit, John Kerry dhe Madeleine Albright, janë pjesë e një grupi të demokratëve që i kanë bërë thirrje Gjykatës së Apelit ta vazhdojë ndalimin e aspekteve kyçe të urdhërit kundërthënës ekzekutiv të presidentit Donald Trump për imigrimin, përfshirë edhe ndalimin e hyrjes në SHBA të qytetarëve nga shtatë vende me popullatë kryesisht myslimane dhe pezullimin e gjithë programit të refugjatëve të SHBA-së.
Gjykata e Apelit në Qarkun e nëntë në San Francisko po e shqyrto çështjen pas një gjykatës në Seattle, Washington, vendosi se udhëtarët nga Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni si dhe refugjatët e verifikuar nga të gjitha shtetet munden, tani për tani, të vazhdojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara
Urdhëri i gjykatësit është kundërshtuar fuqishëm nga Trump, i cili më 5 shkurt ka paralajmëruar se gjykatat mund ta vënë Amerikën në “rrezik”
Dhjetë ish zyrtarë të lartë kanë shprehur shqetësimet e tyre në deklaratën e përbashkët që e kanë dorëzuar në gjykatën e San Franciscos më 6 shkurt, duke thënë se urdhëri ekzekutiv i 27 janarit është i “konceptuar keq, i implementuar dobët dhe sqaruar keq”.
Ata kanë shtuar se urdhëri dëmton sigurinë kombëtare duke thënë se “mund të rrezikojmë përpjekjet tona ushtarake duke dërguar mesazh ofendues” tek irakianët që punojnë me forcat amerikane të cilët janë duke luftuar kundër grupit ekstremist Shteti Islamik.
“Urdhëri ka të ngjarë të ushqejë narracionin e rekrutimit të IS-it dhe ekstremistëve të tjerë që thonë se SHBA-ja është në luftë me Islamin”, thonë ata.
Avokatët e kompanive të njohura amerikane të teknologjisë si Apple, Google dhe Microsoft, gjithashtu kanë dorëzuar argumentet e tyre në Gjykatën e Apelit në San Francisco, duke thënë se urdhëri i Trumpit “shkakton dëm të madh në bizneset amerikane”.
Më 4 shkurt, gjykata e apelit e ka hedhur poshtë kërkesën e Departamentit të Drejtësisë për rikthimin në funksion të ndalim udhëtimit, me arsyetimin se palët duhet të dorëzojnë argumente shtesë deri më 6 shkurt.
Pas dorëzimit të argumenteve shtesë, gjykata do të dalë shumë shpejtë me vedimin i cili sidoqë të jetë mund të përfundojë në Gjykatën Supreme të SHBA-së.
Komentet