Kandidati për Gjykatën e Lartë Brett Kavanaugh i mohoi me forcë akuzat, që kishte ngritur ndaj tij, Christine Blasey Ford-i, se ai e kishte sulmuar atë seksualisht gjatë një mbrëmjeje në vitin 1982, kur të dy ishin në shkollë të mesme.
“Kurrë nuk kam kryer sulm seksual ndaj dikujt, as në shkollë të mesme, as në universitet, asnjëherë”, u shpreh kandidati Kavanaugh gjatë dëshmisë para Komisionit Juridik të Senatit. “Kurrë nuk kam bërë një gjë të tillë me të, ose me dikë tjetër”.
Disa orë para tij, në dëshminë e saj para Komisionit Juridik, zonja Ford kishte theksuar se ishte “100 për qind” e sigurtë, se Kavanaugh dhe shoku i tij, Mark Judge, të dy të dehur, ishin ata që e kishin mbyllur në një dhomë gjumi dhe se Kavanaugh i kishte kërcyer sipër, duke u fërkuar pas trupit të saj, duke e kapur gjithandej dhe duke i mbyllur gojën me dorë, kur ajo thirri për ndihmë.
Kandidati Kavanaugh, që aktualisht është anëtar i Gjykatës së Apelit për Distriktin e Kolumbias, u tha senatorëve se ai nuk kishte qënë i pranishëm në ndonjë mbrëmje të tillë. Ai i akuzoi Demokratët se kishin organizuar një sulm të llogaritur për synime politike dhe në mënyrën më të ulët, sulmuan karakterin e tij.
Zoti Kavanaugh tha se ai nuk do t’u nënshtrohej kërcënimeve dhe nuk do të tërhiqej.
Dëshmia e zonjës Ford
E para që dëshmoi sot ishte zonja Ford, e cila tha se gjatë incidentit, që ajo pretendon se ndodhi në vitin 1982, ajo kishte patur frikë se ai “mund ta kishte vrarë aksidentalisht”.
Ajo theksoi se çfarë i kishte mbetur në kujtesë mbi të gjitha, ishte “e qeshura me zë të lartë” gjatë incidentit, e Kavanaugh-it dhe Judge-it, si dhe fakti që ata, siç u shpreh ajo, “po kënaqeshin në kurriz të saj”.
Senatorët Demokratë e përshëndetën në mënyrë të përsëritur zonjën Ford për kurajon për të folur. Më pas ata e pyetën vazhdimisht zotin Kavanaugh për zakonin e tij për të pirë dhe i kërkuan disa herë që të kërkojë hetime nga FBI-ja, ashtu siç kanë kërkuar ata, për akuzat e ngritura ndaj tij, por zoti Kavanaugh nuk pranoi të kërkojë hetime.
Rachel Mitchell, me profesion prokurore, ishte ftuar nga senatorët republikanë që t’i drejtonte pyetjet zonjës Ford në emër të tyre, për të shmangur imazhin që një grup senatorësh burra të bardhë po merrnin në pyetje një grua, që ka ngritur akuza se është sulmuar seksualisht. Ajo e pyeti zonjën Ford rreth rrethanave të incidentit, por nuk iu kundërvu akuzës kryesore të saj për sulm seksual.
Reagimi i Senatorëve
Dëshmia e zotit Kavanaugh u prit me simpati nga senatori republikan i Karolinës së Jugut, Lindsey Graham, i cili dukshëm i nervozuar, tha se kandidati ishte bërë viktimë e një fabrikimi politikisht të motivuar.
“Ju prisni një proces të drejtë konfirmimi?” iu drejtua senatori Graham kandidatit Kavanaugh. “Keni ardhur në qytetin e gabuar, në kohën e gabuar, miku im”, shtoi ai.
Më parë, senatorja demokrate nga Kalifornia, Kamala Harris, kishte shprehur të njejtën mbështetje për zonjën Ford: “Unë ju besoj, ashtu siç ju besojnë dhe shumë amerikanë”.
Presidenti Donald Trump e emëroi zotin Kavanaugh për të zëvendësuar anëtarin e Gjykatës së Lartë Anthony Kennedy, i cili shpesh e bashkonte votën e tij me anëtarët më liberalë të Gjykatës. Trupi më i lartë gjyqësor i vendit përbëhet nga 9 anëtarë, të ndarë në 4 liberalë, 4 konservatorë dhe gjykatësi Kennedy në mes. Nëse kandidatura e zotit Kavanaugh konfirmohet, ai do të konsolidonte grupin konservator duke ju dhënë atyre votën vendimtare 5 me 4. Anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë mandat të përjetshëm.
Komentet