Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj industrisë së naftës të Rusisë, sanksione që kanë shënjestruar edhe kompaninë serbe, Industria e Naftës së Serbisë, NIS.
Këtyre sanksioneve u është bashkuar edhe Britania.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi në një konferencë për shtyp më 10 janar, pas këtij publikimi nga Departamenti amerikan i Thesarit, se bëhet fjalë për “sanksione të rënda dhe serioze” dhe se kërkohet “largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it”.
“Plani për transformimin e pronësisë duhet të miratohet nga OFAC-i, brenda Departamentit amerikan të Thesarit”, tha Vuçiq.
Thesari amerikan tha se ka sanksionuar kompaninë shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas, me seli në Rusi.
Kompania NIS u sanksionua për shkak të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.
Thesari tha se ka ndërmarrë masa gjithëpërfshirëse për të përmbushur angazhimin e G7-ës për të ulur të ardhurat energjetike të Rusisë që përdoren për luftën kundër Ukrainës.
Gazprom Neft ka aksione në NIS, që nga viti 2022. Aksione ka edhe kompania e saj mëmë Gazprom.
Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15 për qind të aksioneve.
Pjesa tjetër u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.
Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane që nga viti 2014, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, dhe kompanisë i është ndaluar qasja në tregjet e BE-së dhe SHBA-së.
NIS-i, përndryshe, zotëron më shumë se 400 pika karburanti në Serbi dhe në vendet e rajonit: Bosnje dhe Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari.
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Kompanive të Naftës në Serbi, Tomisllav Miqoviq, ka thënë më herët se sanksionet eventuale do të ndikonin në tregun serb të derivateve të naftës, por shtoi se për të gjitha pengesat që mund të dalin, ka zgjidhje dhe se furnizimet nuk do të ndërpriten.
“Unë jam i bindur se ato sanksione – çfarëdo qofshin ato, nëse miratohen – nuk janë të drejtuara kundër Serbisë. Ndaj, besoj se do të gjendet një zgjidhje për të garantuar furnizim të sigurt të tregut vendas”, thotë Miqoviq për Radion Evropa e Lirë.
Nafta në Serbi importohet kryesisht përmes një tubacioni me të cilin operon kompania JANAF në Kroaci. Përmes tij, nafta dërgohet në Kroaci, Hungari, Sllovaki dhe Serbi.
SHBA: Sanksionet godasin burimin kryesor të financimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës
Administrata në largim amerikane e demokratit Joe Biden, i cilësoi sanksionet e fundit si më të rëndësishmet deri më tani ndaj sektorëve të naftës dhe gazit të lëngshëm natyror të Moskës, që forcojnë ekonominë ruse.
Zyrtarët thanë se sanksionet, që shënjestrojnë entitetet që bëjnë biznes me rusët, kanë potencialin që t’i ofrojnë ekonomisë ruse miliarda dollarë në muaj.
Më shumë se 180 anije, transportuese të naftës, që dyshohet se janë pjesë e një flote në hije, që përdoret nga Kremlini për të shmangur sanksionet ndaj sektorit të naftës, tregtarët, firmat e shërbimit të fushës së naftës dhe zyrtarë rusë të energjisë janë po ashtu pjesë e sanksioneve të reja.
Zyrtarët e Thesarit thanë po ashtu se disa anije që janë sanksionuar dyshohet se kanë transportuar naftën iraniane, që po ashtu është nën sanksione.
Sanksionet e reja po ashtu godasin një projekt të madh të gazit të lëngshëm natyror të Rusisë në Arktik, por edhe zyrtarë të lartë të Rosatomit, që është agjenci për ndërtimin e termocentraleve me energji bërthamore.
“SHBA-ja po ndërmerr veprime gjithëpërfshirëse kundër burimit kryesor të të ardhurave të Rusisë për financimin e luftës së saj brutale dhe të paligjshme kundër Ukrainës”, tha përmes një deklarate sekretarja e Thesarit, Janet Yellen.
“Me veprimet e sotme, ne po rrisim rrezikun e sanksioneve të lidhura me tregtinë e naftës ruse, përfshirë transportin dhe lehtësimin financiar për të mbështetur eksportet e naftës ruse”, shtoi Yellen.
*Lajmi është duke u përditësuar
Komentet