Jill Biden, e cila ka një karrierë të gjatë univesitare si pedagoge e gjuhës angleze, do të flasë të martën në mbrëmje, gjatë kuvendit demokrat në përpjekje për të bindur amerikanët që të votojnë për të zgjedhur bashkëshortin e saj si presidentin e ardhëshëm të Shteteve të Bashkuara.
Zonja Biden ka luajtur një rol aktiv larg syve të publikut në kandidimin e tretë të bashkëshortit të saj për postin e presidentit.
Ndihmësit thonë se ajo ofroi mendimet e saj mbi kandidaturat për postin e nënpresidentit para se bashkëshorti i saj të zgjidhte Senatoren Kamala Harris nga Kalifornia javën e shkuar. Zonja Harris është gruaja e parë me prejardhje afrikano-amerikane dhe aziatiko-amerikane që zgjidhet në dyshen konkurrente në zgjedhjet presidenciale të një partie kryesore amerikane.
Ngaqë pandemia ka kufizuar ndjeshëm aktivitetet publike të fushatave politike këtë vit, fjalimi i zonjës Jill Biden në natën e dytë të kuvendit virtual kombëtar demokrat, do të jetë i regjistruar dhe do të transmetohet në televizion për miliona votues amerikanë. Ajo do të prezantohet si zonja e parë e mundshme për katër vitet në vazhdim duke ofruar interpretimin e saj se si do të vepronte Joe Biden si president, duke folur si një person që e njeh nga afër kandidatin e pritshëm demokrat.
Po ashtu të martën në mbështetje të zotit Biden në fushatën kundër Presidentit republikan Donald Trump do të jenë dy ish-presidentët demokratë, Bill Clinton dhe Jimmy Carter – si dhe kandidati demokrat për president i vitit 2004 John Kerry dhe vajza e ish-Presidentit John F. Kennedy, Caroline.
Dy figura politike në Uashington, Senatori demokrat Chuck Schumer dhe ligjvënësia progresiste Alexandria Ocasio-Cortez, që të dy kritikë të zëshëm dhe të shpeshtë të zotit Trump, po ashtu do të flasin në mbështetje të zotit Biden.
Në kunvendin virtual do të thirren emrat e shteteve për të emëruar zotin Biden dhe zonjën Harris si dyshen demokrate për Shtëpinë e Bardhë. Kjo është një praktikë e vjetër që zakonisht merr disa orë deri në përfundim. Por votimi i së martës mund të zgjasë rreth 30 minuta, në përpjekje për të mos humbur interesin e shikuesve, të cilët fare lehtë mund të ndërrojnë kanalin e televizorit.
Kjo është hera e parë që një kuvend kombëtar politik zhvillohet në mënyrë virtuale. Pandemia ka detyruar demokratët këtë javë dhe republikanët javën tjetër, që të heqin dorë nga kuvendet e bujshme të viteve më parë nga frika e përhapjes së koronavirusit. Po ashtu janë mënjanuar edhe traditat e viteve të shkuara me muzikë dhe delegatë nga mbarë vendi.
Kuvendi virtual demokrat u hap tëhënën me regjistrime të shkurtra mesazhes me video të mbështetjes për zotin Biden nga kandidatët që ai i mundi gjatë fushatës brenda partisë.
Ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Michelle Obama foli përmes një regjistrimi me video në kuvendin virtual duke kritikuar Presidentin Trump dhe duke kërkuar mbështetje për zgjedhjen e zotit Biden në postin e presidentit.
Prezantimi dy-orësh i demokratëve shkoi mirë, por për shkak se fjalimi i zonjës Michelle Obama ishte rregjistruar ditë më parë, ajo nuk përmendi zgjedhjen e historike të zonjës Harris nga zoti Biden.
Presidenti Trump e përqeshi vlerësimin e saj për presidencën e tij, ndërsa postoi në Twitter të martën, “Faleminderit për fjalët e tua shumë të dashura Michelle!”
Udhëheqësi amerikan tha se fjalimi i saj ishte regjistruar disa ditë më parë dhe se kishte shifra të gabuara për vdekjet nga koronavirusi.
Komentet