Sekretarja e Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen, dha dorëheqje pas 16 muajsh në këtë post dhe trysnisë së madhe nga Shtëpia e Bardhë dhe publiku mbi situatën përgjatë kufirit jugor të vendit.
“Me gjithë përparimin në reformimin e sigurisë kombëtare për epokën e re, kam vendosur që është koha e duhur për t’u larguar” shkroi zonja Nielsen në letrën e dorëheqjes dërguar presidentit Donald Trump.
Ndonëse nuk tha saktësisht se pse po ikte, zonja Nielsen, shkroi se shpreson që sekretari i ardhshëm “do të ketë mbështetjen e Kongresit dhe gjykatave në rregullimin e ligjeve që kanë penguar aftësinë tonë për të siguruar plotësisht kufijtë e Amerikës dhe që kanë kontribuar në mosmarrëveshjet në vendin tonë. Burrat dhe gratë e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, meritojnë të kenë të gjitha mjetet dhe burimet e nevojshme për të zbatuar misionin që u është besuar”.
Zonja Nielsen më vonë shkroi në twitter se dita e saj e fundit në post do të jetë e mërkura.
I have agreed to stay on as Secretary through Wednesday, April 10th to assist with an orderly transition and ensure that key DHS missions are not impacted.
— Sec. Kirstjen Nielsen (@SecNielsen) April 8, 2019
Presidenti Trump ka shprehur zhgënjimin me situatën përgjatë kufirit të Shteteve të Bashkuara me Meksikën, ku janë drejtuar qindra e mijëra emigrantë në përpjekje për t’i shpëtuar varfërisë dhe krimit në Amerikën Qendrore, me shpresë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Ai ritheksoi qëndrimin e tij në një seri komentesh në twitter të dielën vonë duke i nënvizuar ato me pohimin se “Vendi ynë nuk mban më!”.
Burimet në Shtëpinë e Bardhë thonë se presidenti Trump qortonte shpesh zonjën Nielsen se nuk po tregohet mjaft e rreptë në frenimin e numrit të emigrantëve që po përpiqeshin të hynin në Shtetet e Bashkuara.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, i quajti politikat e emigracionit të administratës së president Trump “mizore” që sipas saj, “vetëm sa kanë përkeqësuar vuajtjet njerëzore në kufi”.
“Është thellësisht alarmuese që zyrtarja e administratës Trump që ka futur fëmijët nëpër kafaze, thuhet se po jep dorëheqje meqë nuk është mjaft e ashpër për t’i pëlqyer Shtëpisë së Bardhë “, tha ajo, “Amerika ka nevojë për një sekretar të Sigurisë Kombëtare që do të respektojë shenjtërinë e familjes, do të nderojë trashëgiminë tonë krenare si komb i emigrantëve dhe do të rivendosë mendjen e shëndoshë në politikat e kësaj administrate”.
As Homeland Security Secretary, Kirstjen Nielsen oversaw the implementation of the Trump Admin’s increasingly toxic anti-immigrant policies. That she is reportedly resigning because she is not extreme enough for the White House’s liking is deeply alarming. https://t.co/MVKarszG06
— Nancy Pelosi (@SpeakerPelosi) April 8, 2019
Zonja Nielsen u përball me protesta publike për shkak të politikës shumë të papëlqyeshme të administratës për ndarjen e familjeve emigrante pas hyrjes në SHBA.
Mijëra fëmijë u ndanë nga prindërit e tyre dhe u mbajtën në mjedise të ndara. Zonja Nielsen ishte përgjegjëse për zbatimin e asaj politike ndonëse atëbotë e mohonte një gjë të tillë.
Në letrën e saj zonja Nielsen shkroi se “atdheu ynë sot është më si sigurt sesa kur ju bashkova kësaj administrate. Kemi ndërmarrë veprime të pashembullta për të mbrojtur amerikanët”.
Presidenti Trump falënderoi në twitter zonjën Nielsen për shërbimin e saj dhe njoftoi që komisionari i doganave dhe mbrojtjes së kufijve, Kevin McAleenan, do të jetë ushtrues detyre i sekretarit të Sigurisë Kombëtare.
“Kam besim që Kevini do të bëjë një punë shumë të mirët”, tha presidenti Trump.
Komentet