Ish-Presidenti Donald Trump, ndaj të cilit është ngritur akuza se ka nxitur rebelim duke rezultuar në sulmin e dhunshëm në Kapitol më 6 janar, do të gjykohet nga Senati duke filluar nga e marta.
Më 6 janar ish-presidenti doli para përkrahësve, para se ata të niseshin drejt Kapitolit ku ligjvënësit po certifikonin rezultatin e zgjedhjeve. Ja disa pasazhe nga komentet e tij atë ditë.
— “Të gjithë ne këtu sot nuk duam që fitorja jonë në zgjedhje të vidhet nga demokratë të së majtës radikale që kanë marrë hov. Atë po bëjnë, po vjedhin së bashku me median e rreme. Atë kanë bërë dhe atë po bëjnë. Nuk do të pushojmë kurrë. Nuk do të pranojmë kurrë humbjen. Nuk pranohet humbja kur ka vjedhje votash”.
— “Vendi është ngopur. Nuk do të durojmë më. Po përdor një frazë të preferuar, të krijuar nga vetë ju: ne do të ndalim vjedhjen”.
— “Pas kësaj do të ecim drejt Kapitolit. Do të jem edhe unë me ju. Do të shkojmë. Do të brohorasim për senatorët, ligjvënësit e guximshëm. Ndoshta nuk do të na duhet të brohorasim shumë për disa prej tyre, pasi kurrë nuk mund ta marrësh nën kontroll vendin kur je i dobët. Duhet të tregosh forcë, të jesh i fortë”.
— “Kemi ardhur për t’i kërkuar Kongresit të bëjë atë që duhet dhe të numërojë vetëm elektorët nga zgjedhje të zhvilluara në mënyrë të ligjshme. E di se të gjithë ju këtu do të marshoni drejt Kapitolit në mënyrë paqësore, patriotike dhe të thoni fjalën tuaj”.
— “Do të luftojmë. Do të luftojmë si dreqi. Nuk do të keni më atdhe nëse nuk luftoni fort”.
— “Do të ecim nëpër Bulevardin Pensilvania. Sa më pëlqen Bulevardi Pensilvania! Do të shkojmë tek Kapitoli, do të përpiqemi të ndihmojmë ligjvënësit republikanë, ata të dobëtit sepse të fortët nuk kanë nevojë për ndihmën tonë. Do të përpiqemi t’u japim atë krenari dhe guxim që u duhet për të marrë përsëri vendin”.
Më 13 janar Dhoma e Përfaqësuesve ngriti akuza kundër zotit Trump. Dy javë pas trazirave, mandati Presidentit Trump përfundoi. Ai u largua drejt rezidencës së tij në brigjet e oqeanit Atlantik në Florida.
Komentet