Ish-shefi i personelit të Presidentit Donald Trump, John Kelly tha se ishte dakord me ish-Sekretarin e Mbrojtjes, James Mattis i cili sulmoi këtë javë me një deklaratë zoti Trump se po përpiqej “të përçante” Amerikën dhe tha se ai përbënte kërcënim për Kushtetutën.
“Mendoj se duhet të shikojmë më me kujdes se kë zgjedhim”, tha zoti Kelly të premten në një intervistë me ish-Drejtorin e Komunikimeve të Shtëpisës së Bardhë, Anthony Scaramucci.
“Mendoj se pavarësisht se cilat janë pikëpamjet tona për politikën, duhet të analizojmë karakterin e njerëzve që kandidojnë për poste. Cila është etika e tyre? A kanë ata vullnetin nëse zgjidhen, që të përfaqësojnë të gjithë zgjedhësit, jo vetëm bazën e tyre? Dhe pastaj të shohim politikën e tyre”, tha zoti Kelly.
Disa nga komentet e tij ishin të ngjashme me deklaratën e Mattisit, që u botua të mërkurën në revistën The Atlantic të mërkurën.
“Në jetën time, Donald Trumpi është presidenti i parë që nuk përpiqet t’i bashkojë amerikanët, dhe as pretendon ta bëjë një gjë të tillë”, u shpreh zoti Mattis.
Që nga vdekja më 25 maj në Mineapolis e George Floyd, një afrikano-amerikan i asfiksuar nga një polic i bardhë, një valë historike zemërimi është përhapur në qytetet amerikane, duke denoncuar racizmin, dhunën e policisë dhe pabarazinë sociale. Qindra mijëra njerëz protestuan paqësisht në të gjithë vendin, por plaçkitjet dhe trazirat gjithashtu dëmtuan lëvizjen.
Donald Trump, shumë i heshtur për përgjigjen e tij ndaj praktikave të denoncuara nga demonstruesit, nga ana tjetër përdori një ton ushtarak dhe kërcënoi të drejtohej tek ushtria për të shuar protestat, duke e prezantuar veten si “president të ligjit dhe rendit”.”Ne nuk duhet të shpërqendrohemi nga një pjesë e vogël veprimesh të jashtëligjshme. “Demonstruesit janë dhjetëra mijëra njerëz me parime që këmbëngulin që të mbrojmë vlerat tona,” tha Jim Mattis.
Presidenti Trump reagoi në Twitter, duke e quajtur zotin Mattis gjeneralin më të mbivlerësuar të botës.
“Nuk më pëlqente stili i tij i ‘udhëheqjes’ apo ndonjë gjë tjetër prej tij dhe shumë të tjerë mendojnë njëlloj. Jam i kënaqur që ka ikur!” zëri i amerikës
Komentet